Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, ka reaguar pas takimit të zhvilluar në Antalya mes ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe homologut të tij serb, Marko Duriç.
Në një reagim të tij, Çollaku shkruan për komunikimin zyrtar të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke e cilësuar atë si një formulim tipik diplomatik, i ngjashëm me çdo takim standard mes dy vendeve.
Sipas tij, në njoftim theksohet bashkëpunimi, fryma evropiane dhe normalizimi i marrëdhënieve, ndërsa dallimet mes palëve, përfshirë çështjen e Kosovës, trajtohen në kuadër të dialogut dhe pa cenuar klimën e përgjithshme të marrëdhënieve.
Por për Çollakun, ky qasje nuk është e pranueshme.
Reagimi i Kreshnik Çollakut:
Një takim i njoftuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë midis ministrit të jashtëm shqiptar dhe atij serb të bie në sy për tekstin e komunikimit.
Një tekst klasik i çdo takimi midis diplomatëve të dy vendeve.
Flitet për bashkëpunim, frymë evropiane dhe normalitet marrëdhëniesh.
Ka edhe pika ku mendohet ndryshe, siç është çështja e Kosovës, për të cilën palët ftohen ta zgjidhin përmes dialogut. Sidoqoftë, dallimet nuk prishin klimën e miqësisë.
***
Ky do të ishte teksti i njoftimit të çdo ministri tjetër në botë pas takimit me Serbinë.
Por ky nuk mund të jetë qëndrimi i Republikës së Shqipërisë përballë Serbisë, një vend dhe një fuqi që ka kërcënuar me terrorizëm dhe agresion ushtarak, me pushtim dhe cenim të territorit të Kosovës, gjysmës tjetër të kombit.
Ky inferioritet, i veshur me petkun e ‘marrëdhënieve të mira’, është vasalitet dhe thjesht meriton përçmim.
© SYRI.net