Protesta e opozitës ka vijuar me përplasje të dhunshme, ku Policia e Shtetit ka ushtruar dhunë dhe ka hedhur spraj dhe piper ndaj qytetarëve dhe deputetëve të PD-së.
Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi u shpreh se në terren po ushtrohet dhunë e organizuar ndaj protestuesve, gazetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës.
Ai akuzoi strukturat e rendit për veprime të koordinuara kundër deputetëve të Partisë Demokratike dhe qytetarëve që marrin pjesë në protestë. Boçi deklaroi se këto veprime përbëjnë një shkelje të rëndë dhe një sjellje të papranueshme ndaj qytetarëve.
Ai theksoi se opozita do të vijojë të denoncojë publikisht çdo rast që, sipas tij, cenon të drejtat dhe dinjitetin e protestuesve.
Theksojmë se një ndër deputetët e sulmuar me spraj dhe piper në fytyrë nga policia e shtetit ishte dhe deputeti Boçi i cili solli përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore në nisje të protestës.
Pjesë nga dekarata:
Jemi mësuar tashmë me kohë se shpesh i mbrojmë ne këto. Dhe ja ku i keni kundër qytetarëve, kundër gazetarëve dhe kundër deputetëve të Partisë Demokratike. Se nuk kanë as turp, nuk kanë as dinjitet këta. Kurse këtu qytetarët janë për dinjitet. Ata vijnë edhe për ju, edhe për fëmijët tuaj, dhe ju s’keni turp që i sulmoni! Turp keni!
Ne do t’i identifikojmë me emër e mbiemër, bashkë me urdhëruesit tuaj të poshtër që fshihen në rreshtin e fundit! Bashkë me ata që rrinë atje, si hajna, si hajdutë.
Kriminelë! Po jeni kriminelë, o vëlla! Po ju paguajmë ne me taksat tona! Kjo është dhunë fizike e organizuar, e projektuar kundër njerëzve dhe kundër deputetëve. Dhe kjo është poshtërsi! Edhe kundër gazetarëve!
Kanë drejtor të ri, që do të mbrojë pozitën e tij! Do të mbrojë shefin e tij, do të mbrojë kryeministrin! Prandaj ka ndryshuar! Dhe kush vjen bëhet më agresiv! Dhe këta janë robotë! Këta bëhen akoma më agresivë kundër njerëzve!
Secili prej tyre ka një njeri të tij këtu. E ka kushëririn, e ka çunin e hallës, e ka çunin e dajës, e ka kushëri të dytë. Këta nuk pyesin! Sepse janë robotë, kanë marrë urdhër, u është shtypur butoni! Janë njerëz politikë këta, janë patronazhistët numër një! T’ju vijë turp! Vjen dhe rreh një grua dhe kap një deputet! Largohuni! Largohuni!
© SYRI.net