Përplasjet në Partinë Socialiste janë manifestuar sërish publikisht, pasi ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, i është kundërpërgjigjur sulmeve dhe kërcënimeve të kryeministrit, duke e akuzuar Edi Ramën për sjellje autoritare dhe për pengim të procesit të integrimit. Nga ana tjetër, Erion Braçe konfirmoi kandidimin në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, në një kohë kur prej muajsh Rama po promovon si kandidate për kryeqytetin Ogerta Manastirliun.
Nga SYRI TV
Kriza dhe tensionet në Partinë Socialiste kanë marrë një tjetër kthesë. Pas përplasjeve të ashpra dhe ofendimeve që kryeministri Edi Rama i bëri ish-ministres së Jashtme në mbledhjen e grupit parlamentar, Elisa Spiropali ka thyer heshtjen, duke e akuzuar shefin e qeverisë për sjellje autoritare. Përmes një reagimi në FB, Spiropali e cilëson arrogancën dhe abuzimin në PS si një model të instaluar, ku imponohen mendimet dhe vlerësohet vetëm bindja ndaj urdhrave.
Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore. Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur, ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen.
Në një kohë kur lajmet që vijnë nga Brukseli flasin për bllokim të procesit të negociatave, për shkak të çështjes Balluku, ish-ministrja e Jashtme nënkupton se sjellja e kryeministrit dhe qeverisë po rrezikon negociatat me Bashkimin Europian.
Ndërkohë, Europa mbetet referencë e përhershme në diskurs, një fjalë që përdoret për të legjitimuar çdo drejtim. Europa nuk është një narrativë për t’u cituar, por një rend vlerash që kërkon përputhje, dhe çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të zbrazët. Në këtë pikë, politika përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë: a jemi duke ndërtuar një sistem që prodhon përgjegjësi apo një sistem që e justifikon dhe riprodhon veten? Fitorja nuk merret, ajo provohet. Meritohet kur njerëzit nuk të ndjekin nga frika, por të besojnë nga bindja, dhe kur largohesh, mbetet respekti, jo vetëm rezultati.
Por Elisa Spiropali nuk është e vetmja që po rebelohet ndaj Edi Ramës. Edhe Erion Braçe, pak minuta pas reagimit të saj, konfirmoi kandidaturën e tij për Bashkinë e Tiranës, në një kohë kur kryeministri i ka besuar Ogerta Manastirliut kandidimin për bashkinë e kryeqytetit.
Disa ditë më parë, në një nga mbledhjet e asamblesë së PS, Erion Braçe paralajmëroi se do dalë në garë si kandidat i pavarur, në rast se Partia Socialiste nuk e mbështet kandidaturën e tij për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
© SYRI.net