Kalaja: Irena, gjyqtarja me 5 mbiemra duhet të shkarkohet nga detyra dhe të dënohet penalisht! Paralajmëron Brahon

15:58, 16/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Avokatja Adriana Kalaja ka bërë me dije se pas Gjykatës së Posaçme, edhe SPAK-u kanë pranuar kërkesën për hetime të thelluara mbi rastin e gjyqtares me shumë mbiemra, Irena Gjoka.

E ftuar në studion e edicionit të lajmeve në Syri TV me gazetarin Arnold Kariqi, Kalaja thotë se SPAK duhet të kryejë një rishikim të të gjithë dokumetacionit të dorëzuar nga Irena Gjoka për të kaluar Vettingun, dokumentacion i cili sipas saj është i falsifikuar.

Madje ka një apel dhe për Klodian Brahon e Bledar Maksutin. Nëse marrin përsipër që ta amnistojnë Irena Gjokën, do përgjigjen vetë.

“Mendoj se nëse SPAK-u, do të bëjë të njëjtën gjë edhe në hetimet që ka filluar, duke zbatuar me rigorozitet detyrat e caktuara nga gjykata, po edhe të gjithë problematikën që kemi ngritur ne qoftë në kallëzimin penal qoftë në të dy shtesat, mendoj se Irena Gjoka (Shpata, Maneku), përveç se do shkarkohet nga detyra, të dënohet penalisht, sepse ka raste të përsëritura kur ka falsifikuar dokumentacionin.

Pra, deklarimet janë të gjitha deklarime false, deklarime të bëra nga familjarë të saj. Vetë komisioneri publik për shembull, ka bërë një ankim të admirueshëm prej 17 faqesh, ku thonë që vetingu ka kaluar me deklarime personale.

Ndërkohë që magjistratë të tjerë, të cilët realisht kanë qenë elita e sistemit gjyqësor, janë shkarkuar për situata e problematika shumë herë më të vogla. Kështu që mendoj se kjo është një këmbanë alarmi në fakt edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor, i cili e zvarriti kaq shumë këtë çështje, shkoi në një vendimmarrje pa vendim, dhe nga ana tjetër këta janë zgjedhur aty, paguhen me taksat tona, dhe këto duhet të marrin një vendim të drejtë, të bazuar në ligj dhe në Kushtetutë, dhe pa marrë parasysh se emri i kujt magjistrati është.

Nëse Bledar Maksuti apo Klodian Braho apo kushdo, marrin përsipër që ta amnistojnë Irena Gjokën, do përgjigjen vetë. Sepse ndërkohë që të vjen një përgjigje nga Drejtoria Rajonale Tatimore e Fierit ku thuhet që nuk ka deklaruar biznes as vjehrri, as bashkëshorti i Irena Gjokës, ne kemi kalim të vetingut për një shumë jo pak të nderuar, po 60 milionë lekë. Nga ana tjetër janë 40 milionë lekë të tjera ku thuhet, bën deklaratë babai i Irenës dhe thotë: 'Ja kemi dhënë ne nëpërmjet ullinjve që kemi shitur dhe kemi marrë të ardhura

Vjehrri i Irena Gjokës që kishin deklaruar këto të ardhurat e biznesit në Fier, deklaronin dhe të ardhura se punonin emigrantë. Pra, pyetja që prokurori minimalisht duhet t'i bëjë vetes, është që këto 100 milionë lekë, që kanë justifikuar vetingun e kësaj magjistrate, si janë filtruar? Si kanë kaluar nga një komisioner dhe si kanë ardhur dokumentet nga institucionet përgjegjëse? Sepse për shembull, ka ardhur një shkresë nga KLGJ-ja, ku thuhet që ka pasur disa kallëzime penale dhe disa hetime lidhur me anën profesionale të kësaj gjyqtareje. Kemi problematikën shumë të madhe të fshehjes së dënimit, jo vetëm të dënimit penal, po të dy expulseve, dhe nga ana tjetër ndërkohë që ne kemi vërtetuar përpara SPAK-ut që ka patur dijeni të plotë për të gjitha situatat e krijuara

Ligji është i qartë, por në rastin e Irena Gjokës, këta nuk e kanë lexuar ligjin, këta e kanë shkelur madje ligjin dhe Kushtetutën. Madje, sipas atyre dokumenteve që ne kemi çuar, që nga Ulsi Manja, me cilësinë e ish-Ministrit të Drejtësisë, i cili për dy vite gati e mbajti dosjen pa përgjigje sepse çonte kërkesat për informacion në drejtime të gabuara në shtetin grek.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco