‘Alarmante, zbrazja e Shqipërisë’, Xhixho: Politikat e rilindjes po shpopullojnë vendin – Jetojmë në një narkoshtet

15:33, 16/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shpopullimi i vendit ka marrë përmasa dramatike, duke u kthyer në një nga sfidat më të mëdha për shoqërinë. Qarqet kryesore të veriut po përjetojnë një zbrazje masive, ku vetëm qarku i Shkodrës ka regjistruar një rënie drastike prej rreth 50 mijë banorësh përgjatë një dekade. Kjo situatë konsiderohet nga deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho një kambanë e fortë alarmi për të ardhmen e shtetit. Ndryshe nga vitet e para të tranzicionit, kur qytetarët largoheshin kryesisht për arsye thjesht ekonomike, sot eksodi masiv, veçanërisht i të rinjve dhe shtresës së mesme, lidhet me mungesën thelbësore të shërbimeve bazë si arsimi, shëndetësia dhe siguria për të ardhmen, tha Xhixho gjatë intervistës në edicionin e mesditës në Syri tv, me moderatorin Arnold Kariqi.

Deputetja e PL e lidh këtë valë largimesh drejtpërdrejt me politikat qeverisëse të viteve të fundit, veçanërisht pas implementimit të hartës së re territoriale dhe asaj gjyqësore. Mbyllja e drejtorive arsimore, reduktimi i gjykatave dhe mbyllja e zyrave të hipotekës në rrethe kanë centralizuar shërbimet drejt kryeqytetit, duke e bërë tepër të vështirë jetesën për banorët e zonave të tjera. Ndërkohë që reforma territoriale mendohej se do të sillte ulje të kostove dhe efikasitet, shifrat tregojnë një rritje të administratës publike nga 80 mijë në mbi 200 mijë punonjës. Në të njëjtën kohë, njësitë administrative vendore e kanë humbur fuqinë për t'u shërbyer komuniteteve, duke i detyruar banorët të zhvendosen ose të emigrojnë.

Arnold Kariqi: Kam deputeten e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në studio. Kemi transmetuar pak më parë qarqet më të mëdha të veriut të Shqipërisë, të cilat po përjetojnë një zbrazje të fortë popullsisë në dekadën e fundit, për shkak të përshpejtimit të një cikli të emigracionit jashtë vendit. Zonja Xhixho, pashë që Shkodra shënonte një humbje drastike me 50,000 banorë në vetëm 10 vite.

Erisa Xhixho: Është një këmbanë shumë e madhe alarmi. Në fakt, jo vetëm presidenti i Partisë së Lirisë, që mund të them që ka qenë i pari që kur ka qenë president që ka ngritur shqetësimin e shpopullimit që po i ndodhte vendit, dhe absolutisht sot faktojmë ato që kemi thënë. Jemi të gjithë dëshmitarë se si qytete të shumta janë zbrazur, se si të rinjtë janë larguar në masë. Por jo vetëm të rinjtë, edhe qytetarë të cilët në qoftë se në vitet '90 iknin për shkaqe ekonomike, sot në këto 10 vite të qeverisjes së Rilindjes, kanë ikur për mungesën e shërbimeve në arsim, shëndetësi, për një mirëqenie, për një siguri për fëmijët e tyre. Po të marr një të dhënë të Eurostatit, i cili ka thënë se në 2024-ën, dhe nuk po flas as në '91-shin, nuk po flas as '97-ën as '98-ën. Në 2024-ën, janë dhënë rreth 45 deri 48 mijë të drejta për shtetësi apo pasaporta evropiane shtetasve shqiptarë. Që është një rekord.

48 mijë në 2024-ën. Pra, nuk po flasim për vite kur Shqipëria ka kaluar kriza të forta ekonomike, sociale, politike, por po flasim për 2024-ën. Janë 48 mijë shqiptarë që kanë marrë pasaportën evropiane sipas Eurostat

Unë mendoj që kjo ka ardhur si një agjendë e posaçme e Rilindjes. Pse e them këtë? T'i shihni çfarë ka ndodhur me qytetet. Padyshim, u hoqën shërbimet, filluan drejtoritë arsimore të reduktohen, filluan gjykatat me hartën e re gjyqësore, dhe ti ke vetëm një gjykatë apeli vetëm në Tiranë, dhe ke një reduktim të të gjithë gjykatave të vendit. Ke gjithashtu hipotekat, ke gjithë shërbimet praktikisht të njerëzve, që padyshim, pa shërbime kush mund të rrijë. Unë kam avokatë, kam miq të mi që janë në Kavajë apo në vende të tjera, që për shkak të ikjes së gjykatës janë larguar ose jashtë vendit ose në qytete të tjera si Durrësi e të tjerë. Pra kjo ka qenë një agjendë e posaçme e Rilindjes.

Arnold Kariqi: Po harta e re territoriale zonja Xhixho? Ndikoi në këtë mes?

bPatjetër, patjetër. Sepse u larguan shërbimet.

Arnold Kariqi: Komuna deri dje, për shembull, ka patur atë buxhetin e saj, investimet, ishte më pranë problemeve që kishte zona, ndërkohë që sot për shembull, një i largët atje duhet të vijë në bashki që të zgjidhë diçka.

Erisa Xhixho: Absolutisht. Qëllimi i asaj reforme në fakt ishte pikërisht reduktimi i punonjësve, për të mos sjellë më shumë kosto për qytetarët, dhe ofrimi i shërbimeve më cilësore duke i centralizuar. Realiteti solli që jo vetëm që u pesëfishuan punonjësit, dhe këtë e ke edhe në administratë publike në tërësi që ka shkuar mbi 200 mijë punonjës nga 80 mijë që kanë qenë në 2013-ën. Dhe nga ana tjetër largimi i shërbimeve, padyshim që ka sjellë edhe zhvendosjet e qytetarëve. Sepse në qoftë se ti i heq shërbimet bazike të njerëzve, padyshim që ajo automatikisht çon në shpopullim. Kjo çfarë sjell? Kjo sjell absolutisht një rënie të forcës së punës në Shqipëri, kjo sjell një absolutisht një demoralizim të shtresës së mesme, të të rinjve, largimin e tyre masiv, sepse largohen të rinjtë. Kush do të dojë të largohet nga vendi i tyre? Kur arsyet kryesore absolutisht është një kosto shumë e lartë e jetesës.

Dhe nga ana tjetër mospasja e mundësisë që çiftet e reja, ne e kemi diskutuar bashkë, çiftet e reja e kanë të pamundur të marrin një shtëpi. Sepse kostoja e tyre është e jashtëzakonshme, dhe ti vetëm në Tiranë ke mbi 70 mijë apartamente bosh, që e kemi diskutuar, flasim për narkoshtet. Vetëm në aksionin e fundit të prokurorisë, dy aksionet e fundit, vërtetohet ajo që ka thënë opozita që jemi në një narkoshtet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco