E ftuar në emisionin “Task Force” në Syri TV, nën moderimin e Sonila Meços, ekspertja për çështjet ndërkombëtare Ilda Zhulali ka deklaruar se kryeministri Edi Rama po përballet me një situatë të vështirë politike dhe me një presion të madh si brenda vendit, ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Zhulali u shpreh se sipas saj, Rama nuk po përballet me një çështje të izoluar, por me një pakënaqësi të gjerë popullore që ka marrë vëmendje ndërkombëtare.
Sipas saj, mbulimi mediatik ndërkombëtar i protestave në Shqipëri ka ndryshuar gjatë ditëve të fundit. Ajo deklaroi se mediat kryesore botërore nuk e shohin më situatën vetëm si një çështje të lidhur me investime apo emra të veçantë, por si një shprehje të një pakënaqësie të madhe ndaj qeverisjes.
Zhulali tha se kjo situatë tashmë është kthyer në një lajm me përmasa ndërkombëtare dhe se Rama po e ndjen presionin pavarësisht përpjekjeve për të paraqitur një imazh qetësie publike.
Ajo u ndal edhe te marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, duke përmendur presionet nga faktorë europianë dhe amerikanë lidhur me luftën kundër korrupsionit, trafikut të drogës dhe transparencën e investimeve të huaja në Shqipëri.
Sipas saj, kërkesa për një kontroll më të thelluar të investimeve të huaja lidhet me nevojën për të identifikuar pronarët përfundimtarë të pasurive dhe kapitalit, duke u shprehur se kjo mund të nxjerrë lidhje mes biznesit, pushtetit dhe grupeve kriminale.
Zhulali:
Nuk besoj që ka ndonjë paqe për Edi Ramën, veçanërisht këto kohë ai ndodhet në një gjendje tërmeti të brendshëm që e shoqëron kudo që të shkojë. Sepse kudo që shkon ai nuk shkon si artisti Edi Rama, ai shkon si kryeministri i Shqipërisë që sot i kanë dalë të gjithë njerëzit në shesh, janë stacionuar mediat kryesore ndërkombëtare të cilat pas 17 ditëve protestë kanë arritur të gjitha njëzëri në konkluzionin që kjo nuk është një çështje mjedisore apo e lidhur vetëm me Zvërnecin apo vetëm me emrin e Trump.
Kjo është shprehje e një pakënaqësie shumë të madhe popullore në Shqipëri që ka ardhur si rezultat i keqqeverisjes së Ramës dhe shkatërrimit që i ka bërë ai Shqipërisë në tërësi. Dhe ky është një konkluzion në të cilin kanë arritur në unison të gjitha mediat. Edhe CNN-i që është stacionuar prej kohësh... Pra edhe pse gjatë ditëve të para e mbuloi ekskluzivisht si një çështje të lidhur vetëm me çështjen e Jared Kushner dhe Trump, tani ka marrë krejtësisht orientim tjetër dhe po i jep jehonë pakënaqësisë popullore dhe çfarë problemesh ka krijuar qeverisja e Edi Ramës.
Kështu që kjo gjë, ky lajm, është lajm botëror sot dhe e shoqëron Edi Ramën kudo. Sado që ai përpiqet ndoshta me fotografi të tregojë diçka krejt tjetër, një situatë që ai është i qetë. Po vetë mënyra se si ai komunikon me publikun shqiptar tregon që ai është thellësisht i tronditur nga çfarë po i ndodh, edhe nga gjendja brenda partisë së vet, brenda Partisë Socialiste. Ne kemi parë për shembull dhe reagimin e figurave të ndryshme socialiste që ose nuk kanë marrë pjesë në festat e 35 vjetorit, i kanë refuzuar dekoratat... Dhe kulminacioni pastaj u parapri nga lista e Spiropalit, me një rebelim brenda grupit. Tani e pason Mariana Koçeku, thuhet që ka edhe deputetë të tjerë që pritet të ndjekin sjelljen e saj. Kështu që pushteti i tij është totalisht i tronditur.
Po, nëse deri dje Edi Rama kishte kartën e një, si të thuash mbi-pushtetit në Shqipëri, që çfarëdo lloj gjëje që të ndodhte duket sikur populli nuk reagonte aq fort, ishte vetëm opozita, po edhe ajo, Edi Rama e kishte plagosur për një kohë të gjatë. Sot atij i ka humbur kjo kartë. Kështu që përpara ka edhe partnerët gjermanë të cilët janë të njëjtët që kanë sjellë këto dosjet në Shqipëri dhe ushtrojnë presion në forma të tjera. Po ka partnerët amerikanë po themi që përsëri kanë nxitur luftën kundër narkotrafikut në Shqipëri, që e kanë cilësuar atë si një problem që është aq të rëndë sa mund të kërcënojë dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës jo më të Shqipërisë.Nuk ka gjëra rastësore. Se mund të kesh një moment që mund të përkojnë për koincidencë gjërat, por kur këto pastaj bëhen si rregull, nuk ka asgjë rastësore.
Për shembull ne dje, në mos gaboja, kishim një tjetër lajm ku flitej për detyrimin që i është vënë përpara qeverisë shqiptare që të skanojë të gjithë investimet e huaja në Shqipëri. Se nuk e bën me dëshirë qeveria, nuk është ndonjë nismë e ministres Ibrahimaj apo e Edi Ramës. Por është një detyrim që i ka vënë qoftë BE-ja, qoftë SHBA-ja, sepse ai me këtë emrin e investitorëve të huaj ka justifikuar pastrimin e parave në Shqipëri. Kështu që tani atij i është kërkuar që të bëjë një skanim dhe një regjistër për të parë se cilët janë këta në të vërtetë, për të shkuar tek ata që supozohet që janë pronarët fundorë, që nuk shfaqen kurrë, dhe kjo pastaj do të ndryshojë shumë gjëra në Shqipëri siç ka filluar të ndryshojë. Sepse do të dalin pastaj emrat e vërtetë që janë të lidhur o drejtpërdrejt me pushtetin, ose kanë edhe ndonjë zgjatim tek grupet e krimit të organizuar.
Ndaj presioni që po i vjen Edi Ramës po i vjen në të gjitha format, dhe po i vjen edhe nga presioni ose nxitja që mund t'u bëhet edhe organeve të drejtësisë...Nuk mund të them të rrethuar, por gjithsesi SPAK-un e shikon dhe një hap më përpara prandaj tij. Pa dyshim. Nuk besoj që është rastësore ky veprim i SPAK-ut këto ditë për të arritur...
Bëhet fjalë për qindra milionë euro, qindra llogari bankare, qindra prona.po të mblidhen bashkë automjete edhe prona, llogaritjet diku në rreth 700 milionë euro vetëm në pak ditë. Pra, dhe kjo nuk është rastësore, kjo jep, furnizon edhe më tepër zemërimin popullor, po i jep të drejtë edhe atyre kauzave që ka ngritur opozita përgjatë gjithë këtyre ditëve.
© SYRI.net