Përfaqësuesja e Partisë Demokratike për Diasporën, Erisa Bajaziti, e ftuar në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon u shpreh se protestat e qytetarëve shqiptarë përbëjnë tashmë një reagim të vazhdueshëm ndaj 13 viteve qeverisje dhe se ato pasqyrojnë një pakënaqësi të thellë që ka tejkaluar kufijtë e një reagimi të izoluar.
Ajo u shpreh se fasada e qeverisë është rrënuar dhe se zhvillimet e fundit tregojnë një krizë të qartë politike dhe institucionale në vend.
Bajaziti theksoi se edhe qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë mesazhin e fundit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbrojtjen e interesave kombëtare, duhet lexuar si një sinjal serioz mbi gjendjen e institucioneve shqiptare.
Ajo vuri në dukje se diaspora shqiptare mbetet një forcë e madhe ende e pashfrytëzuar politikisht, e cila sipas saj mund të ketë rol vendimtar në ndryshimin e situatës në vend.
Pjesë nga deklarata:
Sensibilizues dhe mbështetës për çdo qytetar të Shqipërisë dhe jo vetëm të Tiranës, që del në shesh ose nuk del, proteston dhe ngre zërin çdo ditë kundër qeverisë së Ramës. Mendoj se kjo ishte forma më e mirë për ta bashkëngjitur këtë mesazh me shqiptarët kudo që ata ndodhen. Nuk është hera e parë që protestohet dhe, le të themi, nuk kemi pritur vetëm këtë moment. Ky është kulminacioni i një historie të gjatë të Shqipërisë, e cila ka vuajtur në këto 13 vite qeverisje dhe nuk po arrin dot të shkëputet nga një keqqeverisje që u ka shkatërruar jetën shqiptarëve.
Mendoj se ka ardhur momenti që shqiptarët të flasin dhe të kërkojnë të marrin fatin e tyre në duar. Ata kanë kuptuar se kjo qeveri nuk është më një qeveri që qeveris për shqiptarët; është një qeveri që nuk mbështet më interesat kombëtare. Protesta sot, dje apo çdo protestë që do të ndodhë në vazhdim, është artikulimi i qartë i një mesazhi që, besoj, këtë herë duhet patjetër të shkojë në veshët e kryeministrit, sepse nuk ka më rrugëdalje.
Nuk ka më rrugëdalje sepse fasada e qeverisë Rama ka rënë. Këtë nuk e kanë kuptuar vetëm shqiptarët, por mendoj edhe miqtë realë të Shqipërisë, qofshin këta shqiptarë apo ndërkombëtarë, që i ndjekin me shumë kujdes zhvillimet në Shqipëri.
Dhe ndoshta për ta dhënë me një shembull konkret, është mesazhi dhe postimi i fundit i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ajo i drejtohet shqiptarëve me një mesazh shumë të qartë: “Mbroni interesat kombëtare.” Imagjinojeni në çfarë pike ka arritur shteti shqiptar. Pra, një shtet tjetër, në këtë rast partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u bën thirrje shqiptarëve por është edhe një mesazh i fortë për qeverinë të mbrojnë interesat kombëtare. Pra, imagjinojeni në çfarë gjendjeje të rëndë është sot shteti shqiptar, që nuk arrin dot vetë të mbrojë interesat kombëtare.
© SYRI.net