Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke uruar të gjithë besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen për më shumë paqe, shëndet dhe mbarësi. Në mesazhin e tij, Blushi thekson rëndësinë e kësaj dite si simbol shprese dhe mirësie, pas një muaji sakrifice dhe përkushtimi.
Urimi i plotë:
Gëzuar Fitër Bajramin!
Me shëndet, lumturi, mbarësi, paqe, begati dhe ditë më të mira për të gjithë shqiptarët, si dhe për besimtarët myslimanë që, pas një muaji agjërimi, festojnë sot me besim të palëkundur dhe me shpresën se Zoti do t’ua pranojë sakrificën, lutjet dhe veprat e mira.
Në këtë ditë të madhe shprese dhe mirësie, një urim i veçantë shkon për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partia e Lirisë, si dhe për familjet e tyre, kudo që ndodhen!
Ishte kënaqësi e veçantë që, së bashku me deputeten Brunilda Haxhiu, Zv/Kryetarin e Bashkisë Kavajë, Baki Dervishi, Kryetaren e LGI, Myrvete Asqeri, Sekretarin për Organizimin, Rexhep Ballmi dhe Zëdhënësen e Presidentit, Jasmira Memelli të përcillnim urimet tona më të përzemërta, edhe në emër të Presidentit Ilir Meta, gjatë takimeve me Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, dhe Kryetarin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Gëzuar Fitër Bajramin dhe mbarësi në çdo familje shqiptare!
Le të rritet shpresa për ditë më të mira që patjetër do të vijnë shumë shpejt!
© SYRI.net