Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në Tiranë, ku kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

‘Shqipëria, në situatë që tejkalon edhe keqqeverisjen’, Muçollari: Mund të jemi para zgjedhjeve të parakohshme!

16:58, 16/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike po intensifikon aksionin e saj opozitar me një objektiv të qartë: çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Në një intervistë për edicionin e pasdites në Syri Tv, nën moderimin e Edvin Parrucës, Grigel Muçollari, anëtari i Kryesisë së PD, tha se Shqipëria ndodhet në një situatë “mosqeverisjeje” që e tejkalon edhe “keqqeverisjen”, duke e bërë të domosdoshme një lëvizje politike përmes protestave popullore.

Një moment kyç që ka tensionuar së fundmi skenën politike, ishte votimi në Parlament për imunitetin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila u pa nga opozita si një “provë zjarri” që qeveria dështoi ta kalonte.

Ky akt, sipas Muçollarit, jo vetëm që cenon drejtësinë e re, por rrezikon drejtpërdrejt procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Qëndrimi i prerë i ambasadave të vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht Gjermanisë, konfirmoi, sipas tij, një sinkronizim mes vizionit të saj dhe atij të partnerëve ndërkombëtarë.

Në këtë kontekst, opozita po artikulon një strategji të bazuar në një “trekëndësh” faktorësh, me potencialin për të sjellë ndryshim. Ky trekëndësh, për Muçollarin, përbëhet nga presioni i opozitës, hetimet e thelluara të SPAK që po “troket në dyert e të paprekshmëve”, dhe mbështetja e qartë e Bashkimit Europian për sundimin e ligjit.

Koordinimi i këtyre tre forcave shihet si formula që mund të çojë në krijimin e një qeverie teknike, e cila do të garantonte organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme. Për Partinë Demokratike, integrimi në BE mbetet “ylli polar” dhe çdo veprim i qeverisë që e rrezikon atë, justifikon thirrjen për një mandat të ri popullor.

Patjetër që qëllimi kryesor i Partisë Demokratike është intensifikimi i protestave i një sezoni për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi vendi nuk po qeveriset më. Vendi në një mënyrë apo një tjetër ka shkuar edhe përtej keqqeverisjes, gati s'po qeveriset fare, domethënë, se të qeverisësh keq është një gjë, po të mos qeverisësh fare, është akoma më e rëndë dhe më e madhe. Janë kryer zgjedhjet në degët ku ka munguar kryetari ose ka qenë i komanduar, që do të thotë i pazgjedhur me votë. Dhe në ato degë ku nuk ka pasur kryetar të zgjedhur me votë, janë kryer zgjedhjet. Ndërkohë, afati i të zgjedhurve, të kryetarëve të zgjedhurve, mbaron si afati, si afat i parashikuar në statut dhe hyjnë në procesin e katërvjeçarit, e katërvjeçarit të ardhshëm për të organizuar zgjedhje, një anëtar një votë, një parim tashmë i mbajtur me fanatizëm nga Partia Demokratike dhe për të shkuar, për të çuar dhe zgjedhjen e të gjithë strukturave të tjera, mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, Këshillin Kombëtar dhe të gjitha strukturat drejtuese.

Mund të kemi disa gjëra për të përmirësuar dhe jo më kot kemi ngritur edhe dy grupe pune të cilët lidhet njëri me rishikimin e lëshimeve në statut për të përmirësuar elementë të caktuar të cilën mund të kenë ndodhur problematikë, por edhe një grup pune tjetër që lidhet dhe me dizimin dhe me regjistrimin më të mirë të anëtarëve dhe mënyrat dhe të themi dhe në të drejtën e tyre për ta bërë më të lehtë të drejtën e tyre për të ushtruar votë, por edhe më të pakontestueshme nga çdo palë që konkurron. Kështu që, e shoh një proces që Partia Demokratike e ka hapur si parim këtu e disa vjet përpara dhe duhet të vazhdojë për të kthyer të gjithë shoqërinë në të njëjtat parime dhe pse jo, të gjitha partitë politike që të, të funksionojnë me parimin të të votuarit, të votës, jo të të zgjedhurit nga kryetari apo nga kryeministri, në rastin që është kryetari siç është rasti i Partisë Socialiste. Kështu që parimi është e drejta për të votuar, e drejta për të zgjedhur. A kemi gjëra për të përmirësuar? Patjetër po. por nuk mund t'i përmirësojmë pa e ushtruar dhe pa i kuptuar problematikat. Kështu që çdo ushtrim besoj që përmirëson gjithmonë e më shumë parimin bazë, parimin e demokracisë, e drejtën e votës dhe të zgjedhurin që të përfaqëson dhe jo të emëruarin.

Partia Demokratike është e vendosur që vendi duhet të shkojë drejt Bashkimit Europian. A i ka kushtet vendi për të shkuar? Patjetër që jo. Domethënë ka shumë çështje të cilat për hir të së vërtetës i kemi identifikuar dhe duhen përmirësuar në aspektin e përmirësimit të jetës së qytetarit, që do të thotë, kur bën pjesë në Bashkimin Europian, nuk ka të bëjë që ti plotëson disa kushte që Bashkimi Europian ti kërkon. Bashkimi Europian të kërkon të barazojë qytetarin e tij me qytetarin tënd, që për fat të keq nuk është i barabartë. Kështu që Partia Demokratike jo më kot ka këmbëngulur që në mënyrën e qeverisjes, në mënyrën se si ne duhet të plotësojmë kushtet për Bashkimin Europian dhe jo më kot, faktet e treguan që nuk ka qenë një retorikë, por ka qenë aksion, ka qenë angazhim i plotë i Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, në të kundërt, kemi patur me një retorikë dhe me fjalë boshe dhe patjetër që në momentin që u vu në rrezik, apo që SPAK-u trokiti te dera e kryeministrisë, me sa duket Bashkimi Europian nuk ekziston më për qeverinë.

Qëndrimi politik i shteteve kryesore dhe konkretisht i shtetit gjerman, i Gjermanisë, ishte i prerë për që rrezikohet integrimi europian. Kështu që sot nëse dikush po rrezikon integrimin europian dhe këtë radhë është faktike, po ndërkohë dhe Bashkimi Europian e konsideron si të tillë, është Edi Rama dhe kryeministri i cili duke mos lejuar deputetët e vet të heqin imunitetin ose të autorizojë, të autorizojë parlamentin për t'i hequr imunitetin, e bëri të pamundur kryerjen e hetimeve normale për të goditur korrupsionin e niveleve të lartë dhe keqqeverisjen. Kështu që, në një dimension tjetër kemi dhe një SPAK tashmë, e cila ka trokitur realisht në dyert e të paprekshmeve. Kështu që, nëse, mendoj që nëse ky trekëndësh faktorësh shumë të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare, opozitë, Bashkimi Europian, SPAK, do të koordinonin lëvizjet në raport me të mirën e shoqërisë, mendoj që shumë shpejt ne do të jemi përpara zgjedhjeve të parakohshme, përpara një qeverie teknike dhe organizimi i një palë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku do ketë mundësi Shqipëria të ndërrojë drejtimin nga drejt keqqeverisjes dhe korrupsionit dhe monopolizimit të të gjitha institucioneve, të gjitha pushteteve në një njeri, në një vend i cili realisht aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco