'Mbrojtja fanatike', Gjokutaj: Manovra e Ramës për Ballukun, dështim i plotë që i hapi rrugën SPAK-ut

15:39, 09/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në intervistën e ditës në Syri TV, avokati Genc Gjokutaj foli mbi zhvillimet e fundit të lidhura me ish-ministren Belinda Balluku, ku theksoi se veprimet e Kryeministrit për të mbrojtur Ballukun, duke u drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ishin një manovër alogjike dhe joligjore, që jo vetëm dështoi, por i hapi rrugën hetimeve të thelluara nga SPAK.

Avokati e quajti këtë një tentativë të dështuar për të manipuluar sistemin drejtësor, duke e kthyer politikën në një mekanizëm bllokues të ligjit dhe drejtësisë.

 Ai theksoi se veprime të tilla janë një pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se qeveria po përdor çdo mjet për të mbuluar korrupsionin dhe për të mbrojtur individë të akuzuar për abuzim me fondet publike.

Pjesë nga deklarata:

Ai te pjesa e kutive dhe kazaneve, edhe këtyre historive të tjera, teorive konspirative, mund të marrë vesh. Problemi tashmë është që Gjykata Kushtetuese ia dha përgjigjen. Ky tash mbeti në mes të rrugës sepse skenari nuk u realizua. Pra, as më shumë dhe as më pak, Gjykata Kushtetuese ia ktheu dhe i tha se nuk mund të kërkosh nga unë të ushtroj një kompetencë që mund ta ushtrosh vetë. Dhe kjo përfshin si shkarkimin e Ballukut që e bëri më parë, si pezullimin që ta ekzekutonte dhe t'i thoshte zonjës që nuk vemi në gjykatë, s'kemi pse vemi në gjykatë, por ne do të ankohemi ndaj këtyre masave.

Ajo që solli dhe agravoi situatën ishte fakti që ky karshillëk primitiv, administrativ dhe ligjor, duke dashur të bëjë karshillëk drejtësisë, çoi në veprimin e SPAK-ut, i cili shtoi pesë episode të tjera që kishin të bënin me korrupsionin, të cilat deri më tani quhen shkelje e barazisë në tendera. Kjo është një shkelje e barazisë në tendera, jo shkelje e barazisë në të drejtën për të folur, ose në të drejtën për të ushtruar një kompetencë, por shkelje e barazisë në tendera të cilët përcaktojnë cilësinë e rrugëve, përcaktojnë fondet që përdoren për to, dhe të cilat duhet të kalkulohen mirë nga pikëpamja financiare dhe inxhinierike, që të mos vijmë në situatën kur një rrugë shkatërrohet si një gazetë. Kjo, gjithashtu, është propaganda e pavërtetë e këtij kryeministri dhe e të gjithë ekipit të tij, i cili vazhdon të thotë se kjo është pasojë e fatkeqësive natyrore.

Dini ju, Enida, sa kohë ka kaluar pa rënë shi? Dhe nuk ka qenë as shi i rrëmbyeshëm, siç pretendon kryeministri në podkastin e tij. Tashmë ai nuk flet më nga kryeministria, nuk guxon të flasë në publik dhe përdor ironinë dhe talljen në podkast. Ai gjithashtu fton disa si mbështetës të tij, duke vazhduar me këtë teori.

Çfarë po bën Rama tani? Ai ka folur në mënyrën më të papërgjegjshme të mundshme. Duke dashur që politika e tij të ditës dhe manovrat që ka lidhur me këtë çështje për ta shpëtuar Belindën me çdo kusht, ai ka dashur ta kthejë në mekanizëm bllokues politikën dhe retorikën që përdor. Ai nuk e trajton këtë çështje nga pikëpamja ligjore, duke parë kush janë kushtet dhe kriteret për të tjerë, por dëshiron ta kthejë atë në një mekanizëm bllokues dhe kalon vendimmarrjen nga ligji në kalkulimin politik.

Masa e sigurimit, në rastin konkret, është një instrument juridik që për shkak të specifikave të tij kalon në një instrument legjislativ, siç është Kuvendi. Praktika, konsultimet e Komisionit të Venecias dhe e gjithë arkitektura ligjore kanë treguar se Komisioni i Mandateve dhe Imuniteteve ka vepruar si një filtër formal që ka verifikuar qëndrimësinë politike të këtij procesi, por nuk ka hyrë në teknikalitete që i takojnë ekskluzivisht gjykatës dhe prokurorisë. Për më tepër, të bësh politikë mbi një masë sigurimi është diçka që nuk ka kuptim.

Edi Rama ka përdorur shumicën e votave që i ka marrë, të cilat janë vjedhur, për të mbuluar vjedhjen e fondeve publike në infrastrukturë. Kjo është historia e thjeshtë. Përse Edi Rama e mbron me kaq fanatizëm? Ai nuk shquhet për të qenë një mbrojtës i kauzave për shoqërinë, për hir të integrimit të vendit apo të ardhmes së tij. Përkundrazi, ai është një zjarrvënës i procesit të integrimit, siç është treguar nga McAllister, i cili ka deklaruar qartë se qëndrimi ndaj çështjes Balluku dhe vendimmarrja e gjykatave dhe prokurorive kundër korrupsionit janë kushte të domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kjo tregon se qëllimi i këtij kryeministri dhe i mazhorancës së tij nuk është integrimi, por përdorimi i procesit të integrimit për të vjedhur fonde publike, ashtu siç kanë bërë deri tani. Retorika e tij merr fund këtu, në vitin 2026, kur Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s.

SPAK-u dhe GJKKO-ja janë ata që duhet të zbatojnë politikën penale. Ata janë përgjegjës për vendosjen e masave të sigurimit dhe vlerësimin e kritereve ligjore, ndërsa Kuvendi ka një rol formal dhe procedural. SPAK duhet t'i vërë emrin akuzës dhe të mos e etiketojë atë thjesht si shkelje tenderash, por si korrupsion të pastër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco