Turizmi nuk po ndihmon fshatin, importet e ushqimeve u rriten me 15% në 5-mujor

Turizmi nuk po ndihmon fshatin, importet e ushqimeve u rriten me 15% në 5-mujor

11:48, 22/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Bumi turistik nuk po arrin të ndihmojë apo të tërheqë pas vete bujqësinë, por përkundrazi, prodhimi vendas po zëvendësohet me shpejtësi nga importi, madje edhe në produktet ku Shqipëria ka pasur tradicionalisht avantazh konkurrues, të tilla si zarzavatet.

Të dhënat më të fundit mbi tregtinë jashtme për 5-mujorin 2026 tregojnë rritje të ndjeshme të varësisë së vendit nga importet e produkteve ushqimore.

Totali i importeve të grupi te ushqimeve ka arritur në mbi 520 mijë tonë për periudhën janar-maj 2026, duke shënuar një rritje prej 14% ose rreth 62 mijë tonë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky zgjerim i dyshifror i importeve ushqimore po udhëhiqet nga rritja e fortë e konsumit, e nxitur kryesisht nga prurjet e hershme të turistëve dhe ndryshimet në tregun e brendshëm. Por teksa vendi ka hyrë në kulmin e sezonit të prodhimit bujqësor, importet e zarzavateve dhe frutave kanë shënuar rritje të fortë.

Importet e grupit “Zarzavatet e ngrënshme” arritën ne 38 mijë tonë në 5-mujorin 2026, nga rreth 33 mijë tonë që ishin në vitin 2025 me rritje në sasi 15.3% ose 5 mijë tonë më shumë. frutat kanë pësuar rritje prej 8.1%, duke kapërcyer pragun e 51 mijë tonë në 5 mujor.

Rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe mishi dhe të brendshmet me rreth 14% me një total në 20 mijë kilogram dhe produktet e bulmetit me 10.7%, duke dëshmuar rënien e vazhdueshme të numrit të krerëve të blegtorisë në fshatrat shqiptarë.

Drithërat kanë pësuar rritjen më të madhe me 26.3%, duke shkuar në 171 mijë tonë. Importuesit thanë se rriten importet nga frika e rritjeve të çmimeve prej luftës në Iran.

Kjo ecuri e importeve të ushqimeve tregon se strukturat e hoteleri-turizmit dhe vetë konsumatorët vendas po mbulojnë nevojat e tyre përmes importeve në një kohë kur serat dhe fushat e vendit janë në pikun e prodhimit.

Rritja e flukseve turistike në Shqipëri që po reklamohet gjerësisht si motori i ri i zhvillimit ekonomik nuk po lidhet me prodhimin vendas. Në vend që paratë e turistëve të shkojnë për të mbështetur fermerët vendas, ato po kanalizohen sërish jashtë vendit përmes importeve.

Nëse kjo tendencë vazhdon, Shqipëria rrezikon të shndërrohet në një ekonomi shërbimesh që ushqehet tërësisht nga jashtë./Monitor

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco