Një qytetare, gjatë fjalës së saj në aktivitetin e organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas ka denoncuar publikisht gjendjen e rënduar në sistemin shëndetësor shqiptar, duke ndarë një përvojë personale.
Ajo rrëfeu kalvarin e saj me shëndetësinë publike, ku për shkak të një problemi shëndetësor, i është dashur të paraqitet në urgjencë gjashtë herë brenda tre javëve.
Sipas dëshmisë së saj, ajo ka vuajtur nga të vjella të vazhdueshme dhe trajtimi që ka marrë në spital ka qenë i një cilësie aq të ulët, saqë e ka lënë në një gjendje të panjohur për veten.
“Është shumë skandaloze të shkosh në këto spitalet tona ku nuk merr mjekimin e duhur, as cilësor,” deklaroi ajo.
Qytetarja shpjegoi se mjekët nuk kanë arritur të vendosin një diagnozë të saktë, duke e transferuar nga një repart në tjetrin, nga spitali i veshit tek ai infektiv, pa i ofruar asnjë zgjidhje konkrete.
Ajo theksoi se ekzaminime thelbësore si rezonanca magnetike kërkojnë kohë shumë të gjatë, duke e bërë të pamundur identifikimin e shkakut të problemit.
“Ata nuk e ndajnë se çfarë problemi ke,” shtoi ajo.
Përballë kësaj situate, gruaja u shpreh se është detyruar t’i drejtohet sektorit privat për të marrë një shërbim mjekësor, duke përballuar kosto të larta financiare.
Në fund të fjalës së saj, ajo bëri një thirrje të fortë për reagim qytetar, duke ftuar gratë të bashkohen dhe të ngrenë zërin. “Duhet të bëhemi një zë i fuqishëm, të ngrihemi në protesta kundër kësaj qeverie që ka shkatërruar gjithçka në këtë vend, por edhe shëndetësinë që është jeta,” përfundoi ajo mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
Deklarata e plotë:
"Është shumë skandaloze të shkosh në këto spitalet tona ku nuk merr, nuk merr mjekimin e duhur, as cilësor.
Jo vetëm njëherë ka ndodhur kjo, po brenda këtyre tre javëve më ka ndodhur gjashtë herë. Edhe mbrëmë fatkeqësisht po kam qenë në urgjencë, tek spitali i veshit më çuan atje.
Njëherë thonë tek, meqë je me të vjella do shkosh tek infektivi, njëherë këtu nuk të japin asnjë zgjidhje.
Kam marrë disa medikamente, po i bëj ato, mirëpo rezonancat dalin shumë vonë, për të bërë kokën edhe qafën ose veshin, sepse ata nuk e ndajnë se çfarë problemi ke.
Prandaj, po mundohem që t'i zgjidhim këto në privat edhe me kosto. Prandaj ne të gjitha gratë duhet të bëhemi një zë i fuqishëm, të ngrihemi në protesta kundër kësaj qeverie që ka shkatërruar gjithçka në këtë vend, po dhe shëndetësinë që është jeta".
© SYRI.net