Shembja e një pjese të aksit rrugor Elbasan-Qafë Thanë ka shkaktuar izolimin e plotë të pjesës juglindore të vendit, duke sjellë paralizë në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.
Në një intervistë në SYRI TV, deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Blendi Himçi, e ka cilësuar situatën si “katastrofike” dhe ka hedhur akuza të rënda për papërgjegjshmëri të qeverisë dhe korrupsion. Sipas deputetit Himçi, kjo ngjarje nuk është një fatkeqësi natyrore, por pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës shtetërore.
Ai theksoi se dëmi është kolosal, duke ndërprerë jo vetëm lidhjen mes bashkive Elbasan dhe Prrenjas, por të gjithë Korridorin 8, një arterie jetike për tregtinë dhe lidhjen me pikat kufitare të Qafë Thanës dhe Kapshticës. Duke folur për shkaqet e shembjes, Himçi drejtoi gishtin nga një kompani private, ANK, e cila sipas tij ka gërryer në mënyrë të paligjshme shtratin e lumit Shkumbin për të marrë zhavorr.
Himçi e lidhi këtë ngjarje me një skemë më të gjerë korruptive në ndarjen e tenderave publikë. Sipas tij, projektet e mëdha infrastrukturore, si Unaza e Tiranës apo Korridori 8, po ndahen qëllimisht në lote të vogla për t'u shpërndarë te kompani klienteliste.
Ai shtoi se kompania në fjalë ka një histori tenderash problematikë, duke përmendur rrugët Delvinë-Kardhiq dhe Ersekë-Kolonjë. Situata mbetet kritike, me mijëra qytetarë dhe biznese të prekura nga bllokimi i këtij aksi kombëtar, ndërkohë që akuzat për korrupsion dhe abuzim me fondet publike kërkojnë një hetim të thelluar nga organet kompetente.
Himçi:
Situata është katastrofike. Domethënë, është, do të thoja, pjesë e papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie, fytyra e papërgjegjshmërisë së qeverisjes tonë, e vetë kryeministrit, i cili faktikisht konstatoi që janë ngjarje natyrore dhe që rrjedhin si të tilla edhe në Itali, rrezikohet zhdukja e një qyteti të tërë për shkak të shembjeve. Por ne nuk jemi aspak në këtë lloj situate. Ne jemi në një situatë katastrofike do të thoja, sidomos për qarkun e Elbasanit, por patjetër edhe për qarkun e Korçës.
Përqarku, dëmi ka ndodhur në qarkun e Elbasanit, është ndërprerë, ka një ndërprerje midis dy bashkive, Bashkisë së Elbasanit dhe Bashkisë së Prrenjasit, por edhe me të gjithë korridorin e tetë, të cilët lidhet më pas edhe pjesa e të gjithave pikave kufitare, siç janë Qafëthana apo Kapshtica, të cilat janë pjesë edhe të jo vetëm të lëvizjes së lirë të njerëzve por pse jo edhe e tregtisë që zhvillohet në mënyrë të përditshme në Shqipëri.
Dhe kjo ka sjellë një dëm kolosal, do të thoja, dhe nuk, në një vend që aspiron për Bashkimin Europian mos kesh një arterie alternative, domethënë kjo është e tmerrshme. Domethënë duhet, dy mënyra duhet të kesh, ose duhet të kalosh në një rrugë që nga Moglica për të shkuar në Gramsh, ose duhet të marrësh nga Bllata për të shkuar në Tiranë. Domethënë dhe kjo situate realisht kur pretendohet që për nevoja dhe emergjenca që kanë njerëzit, por edhe pse jo për edhe për tregtinë, zhvillimin e tregtisë apo gjithçkaje tjetër, të të ndërpritet dhe të kesh papërgjegjshmëri dhe mos japësh një afat kohor, se kur do ta zgjidhësh problemin, kjo është një situatë e cila është përtej. Sigurisht që do të thoja që kjo ka ardhur si rrjedhojë e një kompanie, një firme e cila ka gërryer shtratin e lumit.
Unë jo më shumë se sa sot kam nxjerrë një video bashkë me disa foto, ku konstatohet, do të thoja, marrja, nga kjo firmë, ANK quhet, që ka, e cila ka fituar lotin ëh, nga lotin përkatës për korridorin e tetë, për rrugën e re që po bëhet, dhe realisht, duke marrë zhavorr në lumë, 10 ditë kjo, i filmuar duke 10 ditë përpara në të njëjtin vend, ku merresh i gjithë shtrati i lumit në mënyrë të papërgjegjshme, pa një kontroll dhe pa një monitorim nga ana e autoriteteve përkatëse, kur këto vijnë dhe jo më të gërmosh lumin, po këto vijnë për një tjegull dhe të arrestojnë, qoftë policia e shtetit, qoftë IKMT-ja apo të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Dhe realisht këtu nuk ka asnjë që t'i kontrollojë këto kompani të cilat veprojnë në këtë lloj situate. Realisht do të thoja që situata në të cilën neve po përjetojmë, sidomos banorët e atyre zonave përreth, zonës së Dargostunjës, sidomos të Prrenjasit, që sigurisht kanë nevoja për të kryer shërbime edhe në qendër që është Elbasani, kam telefonata të pafundme në lidhje me këtë lloj shqetësimi dhe do të thoja që kjo firmë, nëse më lejon ta sqaroj pak, është një firmë e cila ka marrë tendera të pafundme, firmë pranë një ish-deputeti të Partisë Socialiste, Ndue Kola, dhe i cili, apo kjo kompani ka marrë tendera të cilat gjithmonë në ndërtimin e rrugëve ka qenë problematike. E them këtë edhe për Delvinë-Kardhiq që ka fituar kjo kompani, me aq sa hulumtova, edhe për kompaninë, edhe për rrugën tjetër të Ersekë-Kolonjë. Por edhe për rrugën ëh, që u bë si autostradë e floririnjtë, që ishte autostrada që ka këtë lloj rrugësh.
Ndaj gjithmonë sa herë kjo firmë ka ndërtuar, ka sjellë këtë lloj problematikash. Por shqetësimi im nuk është te kjo kompania, sesa tek pjesa e korrupsionit që ndodh sot me të gjitha këto kompani, të cilat ndahet në lote të vogla dhe pjesëtohet në lote shumë, shumë minimaliste, që të kenë mundësi që firmat të paguajnë të gjitha 30%-shin e rryshfetit, të korrupsionit, por nga ana tjetër edhe të ketë një mungesë cilësie në pjesën e ndërtimit, qoftë për shkak të eksperiencës, mungesës së eksperiencës, por qoftë edhe për shkaqe të tjera, që do të thoja që jemi para një situate në të cilën, zakonisht rrugët me interes të lartë, siç ka qenë rruga e Kombit, siç ka qenë autostrada Elbasan-Tiranë, gjithmonë kanë hyrë edhe operatorë të huaj të cilët kanë fituar në mënyrë të drejtë, siç ishte Bektel apo Aktor, që në të cilat po t'i shikoni këto rrugë nuk kanë lëvizur. Këtu po shikojmë që për shembull Tirana, vetëm lote dhe kjo është një çmenduri, domethënë gjithë unaza e Tiranës është ndarë në veriore e Tiranës është ndarë në 12 lote.
Domethënë është pjesëtuar në mënyrë parciale nga 1 km secila, secila firmë. Edhe këtu në Korridorin e Tetë, po e njëjta histori. Domethënë ndahet me lote dhe paracaktohet fituesi, vlera kapet në kokë dhe çmimi i rryshfetit sot, siç e shikoni, pasqyrohet në rrugë totalisht të degraduara dhe rrugë që s'kanë aspak cilësi dhe kualitet.
© SYRI.net