BE e paralajmëroi, Boçi: Me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Rama synon të blindojë veten

16:56, 18/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, akuzoi kryeministrin se përmes ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale po kërkon të “blindojë” veten dhe kabinetin, në një sulm të drejtpërdrejtë ndaj SPAK-ut, demokracisë dhe shtetit ligjor, duke theksuar edhe reagimin e fortë të Bashkimit Evropian ndaj kësaj nisme.

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, Luçiano Boçi, deputeti i Partisë Demokratike, foli mbi përpjekjen e hapur të kryeministrit Edi Rama për të “blinduar” veten përmes ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale. Ai u shpreh se kemi të bëjmë me një sulm brutal ndaj SPAK-ut dhe vetë demokracisë në vend.

Boçi deklaroi se reagimet e fundit të Bashkimit Evropian janë ndër më të fortat që janë dëgjuar ndonjëherë ndaj qeverisë shqiptare, duke theksuar se gjuha e përdorur nuk është më diplomatike dhe e rrumbullakosur, por e drejtpërdrejtë dhe paralajmëruese për fatin politik të Ramës. Sipas tij, kërkesa për dorëzimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe kundërshtimi i hapur ndaj ndryshimeve ligjore tregojnë se BE-ja e ka kuptuar rrezikun që i kanoset shtetit ligjor.

Deputeti demokrat theksoi se nisma e Ramës synon të krijojë një “koracë mbrojtëse” për kryeministrin dhe kabinetin e tij, duke ndërtuar një kastë të paprekshme mbi ligjin, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen çdo ditë me ndëshkime për shkelje minimale. Ai e cilësoi këtë si tentativë për të bllokuar hetimet e SPAK-ut dhe për të garantuar pandëshkueshmëri për pushtetin, duke ngritur pikëpyetje të forta edhe për heshtjen e deritanishme të këtij institucioni përballë një ndërhyrjeje kaq të rëndë ligjore.

Pjesë nga deklarata:

Unë mendoj se, duke u nisur nga gjuha diplomatike që shpesh zgjedh Bashkimi Evropian në komunikimet me vendet pretenduese për t'u bërë pjesë e tij, janë deklarata shumë të forta, qëndrime shumë të forta, paralajmëruese edhe ndaj ecurisë së Shqipërisë në ambicien e saj për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe paralajmëruese për jetën politike të vetë Ramës dhe të kabinetit të tij. Zakonisht gjuha e tyre ka qenë gjithmonë e rrumbullakosur. Tashmë ka shkaktuar debate. Një gjuhë me dy kuptime gjithmonë e tillë ka qenë. Kurse sot nuk është e tillë, është e hapur, është goditëse dhe kërkojnë në mënyrë absolute nga Rama, sepse ka pasur deklarata të strukturuara edhe pak më përpara, para vizitave.

Kërkojnë që të dorëzojë Ballukun, të dorëzojë imunitetin e zëvendëskryeministres dhe ndërkohë kanë avancuar duke kërkuar të ndalin Ramën në absurditetin e tij për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale në nenin që krijon një koracë mbrojtëse për vetë kryeministrin, për kabinetin e tij, ndërsa emrat e tjerë i ka futur për të justifikuar pikërisht një ndryshim ligjor, se ishte po ky person që thoshte se presidenti është i mbrojtur, për shembull, nga pezullimi, por nuk duhet të jetë vetëm presidenti, duhet të futen edhe këta, qeveritarët e të tjerë, me qëllim që të krijohet kjo klasë e re e bllokuesve të dikurshëm, apo të themi e patricëve të sotëm, sepse kështu i ndan Rama.

 Ai me të tijtë është në rangun e njerëzve që drejtojnë, që udhëheqin, janë të paprekshëm, të pandëshkueshëm dhe plebejtë pastaj janë populli që mund të marrë çfarëdo lloj ndëshkimi për parkim të dyfishtë, për moslyerje gjobe, për parkim të gabuar, për kotec të ndërtuar pa leje. Ndërsa ky që ka ndërtuar Shqipërinë pa leje, ky njeri që grabit me një firmë miliona euro dhe në historinë e tij si kryeministër ka depozituar, sipas raporteve që vijnë nga shërbime të ndryshme, 14 miliardë euro, ky duhet të shpallet sipas tij i paprekshëm.

Përpos kësaj gjuhe që përdor Bashkimi Evropian, duhet t'ia nënshtrojmë veprimin që bën Rama edhe logjikës së brendshme. Kjo është e rëndësishme, sepse nuk mundet që një person të propozojë një ligj për veten e tij, domethënë, në logjikën më të thjeshtë për dëgjuesin, i bie që unë, meqenëse jam deputet, duhet të përgatis një ligj i cili ka të bëjë vetëm me mua dhe më mbron mua apo më jep favore, benefite, dhe kjo do të shkaktonte kundërshti absolute dhe është tërësisht jashtë logjikës. Një njeri që është në politikë, që ka logjikë normale, nuk mund ta bëjë këtë. Si mund ta bëjë kryeministri Edvin? Të propozojë një ndryshim, kur e ka marrë vetë iniciativën mbi të gjitha, për të bërë këtë lloj ndërhyrjeje që personalisht e ka deklaruar me pompozitet. Të bëjë këtë ndërhyrje që mbron pikërisht atë të parin, pastaj të tjerët me radhë që qeverisin.

Sipas përkthimit të bisedës popullore, kjo do të thotë që ai bashkë me të tijtë mund të vjedhin, mund të grabisin, mund të qëndrojnë aty deri në fund të mandatit, sepse nuk pezullohen. Pastaj, në fund të mandatit, kur vijnë zgjedhjet, gjithë paratë që kanë fituar t'i përdorin që të fitojnë një mandat tjetër, pra të mos u hiqet posti i qeveritarit, i të qenurit kryeministër, i të qenurit ministër.

Në këtë lojë ka edhe pjesën më të errët, goditëse: ai që nuk i shërben Ramës nga ata ministra paketohet dhe dorëzohet menjëherë tek organet e drejtësisë, që të them të drejtën unë nuk e kuptoj pse heshtin përgjatë gjithë kësaj periudhe. Meqenëse unë e shpjegova me gjuhën e qytetarit, tek e fundit qytetari e mendon: Rama kërkon të bëjë një ndryshim që të mbrojë veten e tij. Po pse SPAK-u nuk vepron para këtij ndryshimi, duke e thirrur të paktën, duke e futur në hetim, se ligji nuk është ndryshuar? Pse nuk i kërkon një pezullim, për shembull?

Është ai mentaliteti i qytetarit të thjeshtë që gjykon se drejtësia sheh gjithçka, se drejtësia duhet të ndërhyjë dhe nuk duhet të bëjë aktorin e heshtur apo, aq më keq, spektatorin e heshtur, siç po e bën tani, duke i lënë gjithë kohën në dispozicion Ramës për të ndërtuar kalkulime, por si duket edhe vetë SPAK-u duke ndërtuar kalkulimet e veta. Të çuditshme janë, sepse unë mendoj se duhet të kishte shfaqur krejtësisht pamje tjetër.

Në fund të fundit, ndryshimi ligjor që po bën Rama nuk është thjesht sulm ndaj qytetarëve. Nuk është vetëm sulm ndaj kolonave të demokracisë, por është sulm ndaj SPAK-ut. Është sulm brutal ndaj veprimeve të tij për ta kufizuar, për t'i mbyllur derën. Gjithsecilit i lind e drejta të mendojë se ka një rakordim këtu midis SPAK-ut dhe qeverisë, sepse çuditshëm është kërkuar për zëvendëskryeministren një pezullim që nuk kishte ndodhur më parë, ishte një praktikë e pangjarë. Pastaj ndodhën gjërat që ndodhën pas asaj mbylljeje të famshme shtatë orë në kryeministri.

Disa kalkulime juridike kanë përputhjet e tyre, pa hyrë në teori konspirative, por që sot kanë prodhuar këtë realitet që ka shkaktuar një reagim të fortë të komunitetit ndërkombëtar, të BE-së. Komisioni Evropian, para një jave, ka dalë me deklaratë shumë të fortë për imunitetin e zëvendëskryeministres, por pa u tharë mirë boja e asaj deklarate, Rama kalon menjëherë në sulmin tjetër dhe kërkon ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.

Faktikisht, Edvin Rama, kur gjendet keq, po ta vësh re metodikën e tij, gjithmonë mbrohet duke sulmuar. Jo vetëm se është parimi se mbrojtja më e mirë është sulmi, por ai është bërë gjithmonë më arrogant kur është kapur keq dhe, për hir të së vërtetës, i ka dalë mirë. Nuk mendoj se do ta kapërcejë më këtë herë, sepse pas gjithë gjërave që kanë ndodhur në Shqipëri, zbulesa është e plotë.

Pas gjithë skandaleve, aferave korruptive, bashkëpunimeve me krimin e organizuar, sipas kritikëve, është ai dirigjenti, njeriu kryesor që lëviz fijet, që lidh interesat, që grabit votën, që shtyn korrupsionin, që përfiton dhe i shndërron në mjete për të rezistuar gjatë në pushtet, siç ka bërë përgjatë këtyre viteve.

Shpresohet që komuniteti ndërkombëtar të jetë zgjuar qartazi dhe të shohë se kush është në të vërtetë Rama. Ka pasur një mbyllje sysh, edhe për shkak të gjeopolitikës, edhe për shkak të rrethanave të tjera, për shkak të mbështetjes që ai ka fituar dhe lobuar. Por sot edhe ata që ndoshta dikur e përkrahnin e shohin me skepticizëm, jo më ballazi, por anash. E shohin si një autokrat që po minon qeverisjen dhe një shtet që duhet të mbështetet mbi parimet demokratike, sepse pretendon të bëhet pjesë e një familjeje të madhe demokratike siç është Evropa.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco