Qëndrimi i kryeministrit Edi Rama në mbrojtje të zyrtarëve të tij të lartë të korruptuar dhe të hetuar nga SPAK, po konsiderohet si një kontribut i madh politik për opozitën.
Sipas deputetit të PD Arjan Ndoja që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, Rama duke centralizuar vendimmarrjen, mban personalisht edhe koston politike të kësaj mbrojtjeje.
Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, deputeti demokrat tha se, “lëvizja e kryeministrit ngre pyetje thelbësore mbi motivet e tij, duke përfshirë atë se pse ekziston një "dëshpërim për ta mbrojtur Ballukun me çdo kusht" dhe nëse ky qëndrim përbën një formë presioni ndaj sistemit të drejtësisë. Këto janë çështjet që mbeten në qendër të debatit publik, ndërkohë që reforma në drejtësi, ende nuk ka dhënë efekte praktike në shërbim të qytetarit. Ky pozicionim politik I Ramës sipas deputetit të PD, shihet si një zhvillim pozitiv për strategjinë e opozitës, por një lajm i keq për vendin, pasi minon shtetin dhe imazhin e tij ndërkombëtar.
Flavio Qarri: Ju bëri një nder të madh zoti Rama në datën 9?
Arjan Ndoja: Shiko, në zhargonin e përditshëm kjo quhet nder, por faktikisht në aspektin politik, unë them që është me vërtetë një kontribut i madh që i ka dhënë opozitës.
Sigurisht, opozita niset nga veprimi që ai bën gjatë jetës së tij si kryeministër i vendit dhe kreu i mazhorancës qeverisëse të këtij vendi, e ardhur si rezultat i zgjedhjeve të pandershme, jo të rregullta, që tashmë është vërtetuar katërçipërisht. Por edhe mbas veprimit që ai bën, që konstatohet nga agjencitë ligjzbatuese, siç janë SPAK-u, të paktën deri tani që ka një dyshim të arsyeshëm.
Nuk them që është shpallur fajtore zonja Balluku, sepse ekziston prezumimi i pafajësisë. Po e vërteta është që vetëm për këtë shkak dhe për shkak të kërkesave proceduriale që parashikon ligji, qëndrimi që ai po mban, domethënë ai, sepse bashkë me atë njësohet e gjithë mazhoranca. Nuk është ai Partia Socialiste e vërtetë, edhe brenda Partisë Socialiste ka njerëz që e kundërshtojnë atë, po ai ka marrë përsipër atë mision, e ka centralizuar në atë pikë, kështu që edhe kostot i mban ai. Në rastin konkret po bën shërbim të madh përpara faktorit ndërkombëtar qëndrimi i tij. Ne ndodhemi para një situate ku reforma në drejtësi, ju e dini që nuk ka dhënë efektet e veta praktike në drejtim të shërbimit të qytetarit, por ka dhënë efektet e veta praktike për të thënë që miti i pandëshkueshmërisë që e kanë artikuluar kaq shumë, është thyer.
Meqenëse qenka thyer miti i pandëshkueshmërisë, në këtë rast, ky është suksesi i vetëm për ndërkombëtarët që kanë investuar, dhe Bashkimi Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë rast, pikërisht këtë arritje të vetme në thonjëza, pavarësisht se unë jam selektiv te kjo arritje, po ta marrësh emër për emër, por në total në opinionin publik u krijua bindja edhe përpara faktorit ndërkombëtar që miti i pandëshkueshmërisë u thye. Në këtë rast, pikërisht këtë gjë po cenon ai. E vetmja gjë e mirë, përveç disa instituteve procedurale që janë rregulluar në procedurë civile e të tjera që e kam thënë, gjëra teknike. Të gjitha të tjerat, për efektin e shërbimit ndaj qytetarit, as koha, as largimi i korrupsionit, as shpejtësia, efektiviteti i gjykimit, e të tjera e të tjera. Aksesi në gjykatë e të tjera me radhë, janë të gjitha mangut. Në këtë drejtim, pikërisht këtë arritje, në aspektin figurativ, ai do ta dëmtojë këtë nëpërmjet këtij qëndrimi politik që mban. Për mendimin tim, kjo është gjë pozitive për ne, është gjë e keqe për vendin, sepse shteti nuk ka rëndësi nëse drejtohet sot nga ai dhe nesër nga një forcë tjetër opozitare. Në aspektin e historisë që shkruhet përpara ndërkombëtarëve, kjo është hap mbrapa, është regres. Kështu e mendoj unë.
© SYRI.net