Plani për shembjen e banesave në Durrës, Muka: Kanë futur duart persona që kanë pasur interesa në zonë!

09:55, 11/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një mbledhje e tensionuar e Këshillit Bashkiak të Durrësit të martën e 10 shkurtit, përfundoi me largimin e këshilltarëve të opozitës, pas ndalimit të protestuesve nga policia.

Në qendër të debatit ishte një projekt-vendim për bonusin e qirasë për banorët e prekur nga projekti i rehabilitimit urban në zonën e Parkut Arkeologjik, një plan që parashikon shpronësimin dhe shembjen e 74 pronave, mbi 40 prej të cilave janë banesa.

I ftuar në emisionin ´Kafe Shqeto´, anëtari demokrat i Këshillit Bashkiak, Ardian Muka tha se projekti TID, i cili ka nisur pas tërmetit të vitit 2019, prek zemrën historike të qytetit të Durrësit, një zonë me banim të pandërprerë prej 3000 vitesh.

Nga një plan fillestar i një studioje italiane që parashikonte prishjen e 10-12 godinave, projekti aktualisht sipas Mukës, përfshin 74 objekte.

Sipas Mukës, vendimi nuk bazohet në funksionalitet, por në një vizion estetik personal, ku “lulet” e hedhura në letër nga kryeministri përkthehen në shembjen e shtëpive të ndërtuara me mund nga banorët.

Në dokumentet që na kishte prezantuar për diskutim ishte pika 13, një projekt-vendim për dhënien e bonusit të qirave të gjithë banorëve të cilët preken nga projekti i TID, pra nga projekti i rehabilitimit dhe i kualifikimit urban të zonës, që prek pikërisht pjesën e parkut arkeologjik të Durrësit. Në atë pikë neve këmbëngulëm që në mbledhjen e këshillit, të cilët janë mbledhje të hapura, duhet të jenë edhe persona të cilët janë të interesuar. Bashkia e kishte blinduar me policët bashkiakë hyrjen, nuk lejonte, mezi hymë edhe neve, që jemi këshilltarë dhe ne vendosëm veton aty.

Në qoftë se nuk do të kishte një përfaqësi të qytetarëve, ranë dakord që të hyjë një përfaqësi. Por ndërkohë që neve diskutonim, morëm vesh që aty kishin ndërhyrë dhe forcat e policisë së shtetit duke arrestuar protestuesit civilë, të cilët kërkonin të drejtën e tyre, një protestë jashtëzakonisht paqësore, dhe kishin arrestuar katër nga protestuesit. Në atë pikë, nuk mundet që në ato kushte ku ku banorët po trajtoheshin në mënyrë shtazarake përjashtë, neve të vazhdonim mbledhjen e këshillit. U çuam në mënyrë demonstrative dhe dolëm nga mbledhja.

Ky projekt ka filluar përnjëherë pas tërmetit të 2019-ës. Duhet të kemi parasysh që në atë kohë në Këshillin Bashkiak, për një veprim të gabuar për mendimin tim, forca politike e djathta nuk morën pjesë në Këshillin Bashkiak, kështu që forcat e majta, Partia Socialiste ka bërë çfarë ka dashur. Dhe bazat e këtij projekti janë hedhur pikërisht duke filluar nga viti 2020 dhe në vazhdim. Deri në vitin 2023 ku është konstituuar Këshilli i ri Bashkiak, ishin hedhur të gjitha, po themi piketat kryesore të këtij plani. Janë të gjitha ndërtimet që ndodhen brenda murit të parë rrethues të qytetit, ku jeta për 3000 vite nuk ka rreshtur. Pra aty, brenda këtyre mureve të para rrethuese të fortifikuese të qytetit të Durrësit, është baza, është qendra vitale po flasim e qytetit tonë, ku të gjitha ndërtimet që janë, janë të hipotekuara, janë ndërtime të ndërtuara ndër shekuj dhe të trashëguara njëra pas tjetrës.

Ne jemi për zhvillimin. Kjo zonë, duhet të kemi parasysh që pas tërmetit të vitit 1926, është shkatërruar pothuajse e gjitha dhe është rindërtuar në kushte emergjence. Dhe është një zonë ku, në pjesën më të mirë të saj, ka goxha degradim, sepse godinat janë të vjetra, e ndërtuar në kushte, thashë, emergjence, me ato lloj materialesh që në atë kohë kanë ekzistuar. Por kjo nuk do të thotë që me rehabilitim dhe me rikualifikim duhet të shkosh dhe të shembësh godinat e ligjshme të këtyre të këtyre banorëve. Në fillimet e veta, studio e cila është marrë me me projektin, një studio italiane, ka planifikuar 10 apo 12 godina që shembeshin.

Ndërkohë që pasi është dorëzuar materiali nga ana e studios, janë futur duart të personave të cilët kanë pasur interesa të ndryshme në këtë zonë. Dhe në radhë të parë, kur them persona të ndryshëm, është piktori kryeministër, i cili i ka dhënë penelatën e fundit projektit. Aktualisht që neve flasim, janë për për shpronësim 74 pronësi, ndër të cilat mbi 40 janë banesa. E kuptoj. Dhe në logjikën e tij nuk është funksionaliteti, por janë larat edhe ngjyrat që ai përdor, lulet që do të bëjë, dhe ato lulet që i ka hedhur në projekt janë jetë njerëzish, janë shtëpi të cilat ata me djersë dhe me gjakun e tyre i kanë ndërtuar ndër vite.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco