Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi vendimin e GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, teksa është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera.
Sipas kryeministrit, Gjykata Kushtetuese nuk e gjeti dot forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë me këtë vendim të dhënë nga GJKKO. Ai tha se Shqipëria u bë për herë të dytë, në pak muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror.
Sipas kreut të rilindjes që foli sërish në podkastin e tij propagandës, as Prokurori që ka kërkuar masën e pezullimit nga detyra, nuk e akuzon Ballukun për korrupsion.
Por siç duket Rama nuk e ka lexuar shumë mirë akuzën që ka bërë prokuroria. Pasi pas dosjes së parë që GJKKO vendosi pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit për zëvendësen e tij ata kanë kërkuar nëpërmjet një dosje të kopsitur mirë dhe që është dërguar në Kuvend edhe heqjen e imunitetit për Ballukun dhe arrestimin e saj si një rrezik potencial për prishjen e provave të korrupsionit gjigant.
“GJK s’e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe dëgjuar në botën demokratike si pezullimi i një anëtari qeverie. Kështu Shqipëria bëhet për herë të dytë në muaj shembulli i parë një budallallëku botëror se GJK u mbyt në ujin e turbullt të atyre të arsyes e mos arsyes. Por fakti se mosvendimmarrja e GJK kthen në fuqi pezullimin e ministres, e cila pavarësisht se qartësia është një luks i rrallë që mund ta kërkosh por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që e shpiku pezullimin. Sidoqoftë zhbërja e kësaj shpikje 100% Made in Albania e drejtësisë së re, të papjekur, mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive të parlamentit”, tha Rama.
Pra Rama edhe pse sistemi i drejtësisë ka lënë në fuqi vendimin e GJKK duke u kuptuar qartë se kërkesa e SPAK kanë qenë të ligjshme, ai kërcënon sistemin me “pavarësinë ekzekutive të parlamentit”. Çka nënkupton se ai nuk ka ndërmend të lëshojë Ballukun dhe se do ta mbrojë më ushtarët e tij në parlament./E.I/
© SYRI.net