'2 euro nga çdo shqiptar për Kanye West'/ Bushkolaj: Qytetarët protestojnë për hallet e tyre, jo nga ‘influencat’

22:37, 11/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, gazetari Elkier Bushkolaj u shpreh se protesta 42-ditore e qytetarëve nuk lidhet me ndikime të huaja apo me faktorë të jashtëm, por me shqetësime të drejtpërdrejta ekonomike dhe politike që kanë prekur familjet shqiptare.

Bushkolaj deklaroi se ndërsa qytetarët përballen me vështirësi për të mbyllur muajin dhe shumë prej tyre detyrohen të bëjnë disa punë për të përballuar jetesën, qeveria po shpenzon miliona euro për aktivitete si koncerti i Kanye West. Sipas tij, kjo shumë përkthehet në rreth 2 euro nga taksat e çdo qytetari shqiptar, duke e cilësuar këtë si një shembull të shkëputjes së qeverisë nga realiteti ekonomik i vendit.

Gazetari u ndal edhe te reagimi i qeverisë ndaj protestave, duke u shprehur se qytetarët nuk kanë dalë në shesh për shkak të "agjentëve të huaj" apo "influencave", por për shkak të problemeve ekonomike, akuzave të ngritura ndaj qeverisjes dhe mungesës së llogaridhënies. Sipas tij, 42 ditët e protestës tregojnë një nerv rezistence qytetare që pritet të vijojë edhe në muajt e ardhshëm.

Pjesë nga deklarata:

Ne kemi një kryeministër që kishte akses te ky ish-sekretar i Shtetit, i cili sot, në fakt, raportohet se është shpallur "non grata", si edhe në institucionin ku punonte, te Anthony Blinken. Pra, janë fakte që ne i kemi parë dhe janë gjëra që duhet t’i lexojmë me shumë kujdes.

Është e pamundur të presim që këta të rinj, dhe këta qytetarë, përgjithësisht të shtresës së mesme, bashkë me familjet e tyre, të rrëzojnë një kryeministër, për të cilin kanë dalë fakte se ka bashkëpunuar edhe me një pjesë të grupeve kriminale.

Kur themi prova, për çfarë flasim? Flasim për një firmë për një leje ndërtimi, nga e cila një grup kriminal ka përfituar për të pastruar para. Normalisht, kryeministri për këtë duhet të përgjigjet. Por nuk përgjigjet, ashtu siç nuk u përgjigj as për 17 firmat e tij për çështjen e inceneratorëve, apo për bonusin 8% për një kompani që nuk ekzistonte.

Pra, ka shumë arsye pse këta njerëz dalin në rrugë dhe unë besoj se ata do të vijojnë të dalin. Do të vijojnë edhe në shtator, me rikthimin e studentëve, dhe besoj se do të kemi një realitet krejt tjetër edhe sa u përket protestave.

Dëgjo, protestën nuk e bëjnë numrat, por rezistenca. Për sa i përket rezistencës, kjo protestë i ka arritur disa qëllime, sepse nuk është e lehtë të dalësh 42 ditë radhazi në protestë në një vend të varfër, ku njerëzve u duhet të bëjnë dy ose tre punë për të mbyllur muajin.

Ne nuk jemi as Danimarka, as Zvicra, por është e sigurt se kjo protestë ka treguar që në këtë vend ka një nerv rezistence dhe ky nerv rezistence, të paktën, duhet të mbështetet. Është e papranueshme që ky nerv rezistence të linçohet nga ata që paguhen me taksat e atyre njerëzve që janë në shesh. Kjo është gjëja më e papranueshme.

Mbi të gjitha, është normale që kjo të kanalizohet. Ne kemi parë edhe një reflektim të Edi Ramës. Nëse ditën e parë merrej me agjentët e huaj, ditën e dytë merrej me influencat, ai e ka kuptuar se këta njerëz nuk kanë dalë aty prej agjentëve të huaj, por prej problemeve ekonomike që prekin çdo familje të tyre.

Nuk kanë dalë as prej influencave, sepse, në fund të ditës, influencat janë një krijesë e kësaj qeverisjeje. Nuk është se i morëm apo i importuam nga diku, por përgjatë kësaj kohe shumë prej tyre u promovuan dhe u kthyen në model.

Këta njerëz, ose ata që janë pjesë e influencës dhe dalin e mbështesin këtë protestë, patjetër që duhen vlerësuar, sepse, në fund të ditës, nuk është e lehtë të dalësh dhe të protestosh në Shqipëri. Kjo është diçka që ne e dimë shumë mirë. Mjafton të shohësh se si u shuan protestat në qytete të tjera.

Nëse ju kujtohet, javën e parë dhe javën e dytë kishte protesta në pjesën dërrmuese të qyteteve. Pastaj nisën sulmet, nisën linçimet. Është shumë e rëndë kur vetë kryeministri, ish-ministri i Brendshëm, ministri i Brendshëm dhe zyrtarët më të lartë të qeverisë i etiketonin njerëzit me emra e mbiemra, ndërkohë që kanë heshtur për bashkëpunëtorët e tyre, të cilët kanë rezultuar partnerë të organizatave të rrezikshme kriminale ose janë në kërkim ndërkombëtar.

Ata thonë: "Qeveria dhe partia jonë nuk mban përgjegjësi për askënd", thotë Rama. Po pse qindra mijëra njerëz që dalin në atë protestë duhet të mbajnë përgjegjësi për një person që është i dënuar për trafik droge, për vjedhje apo për pedofili dhe që merr pjesë në atë protestë?

Pra, ku është diferenca? Diferenca është se këtu kemi një kryeministër që qartazi ka një axhendë krejt të kundërt me qytetarët. Qytetarët janë ata që janë në shesh. Qytetarët janë ata që janë në shtëpi dhe mezi po e mbyllin muajin. Ndërsa për festa, këto nuk mungojnë.

Edhe në Rusi ka koncerte. Shkon Madonna, shkojnë artistë të tjerë. Këngëtarët këtë punë kanë. Këta këngëtarë janë si arkitektët, nuk kanë ndonjë diferencë. Edhe Kanye West mund t’i thotë Edi Ramës: "Dua të bëhesh mbret".

Jo, nuk ka lidhje me këtë. Unë ta thashë, këta janë njerëz... Jo, nuk është çështje rëndësie. Nuk kemi faturuar asgjë. Kanye West as nuk e di ku bie Shqipëria dhe këtë e tregoi qartë edhe në postimin e tij në rrjetet sociale, ku e kishte bërë sikur po shkonte në Turqi.

Problemi është se Kanye West po paguhet me taksat e mia. Pra, Kanye West merr, të themi, nga 2 euro nga çdo qytetar shqiptar për këtë koncert.

Patjetër. Duhet të keni parasysh se, për ne që punojmë në media, nuk përbën ndonjë risi sjellja e Edi Ramës. Ato uljet në gjunjë përballë një kryeministri, të një përfaqësuesi legjitim...

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco