Në protestën e 42-të të revoltës qytetare, i riu u shpreh se shqiptarët kanë humbur durimin me një sistem politik që ka prodhuar padrejtësi, korrupsion dhe mungesë përgjegjësie.
Në fjalën e tij përpara protestuesve, ai kërkoi largimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë si kërkesën kryesore të lëvizjes qytetare.
Ai deklaroi se protesta nuk është më vetëm një reagim ndaj një çështjeje të veçantë, por një kërkesë për ndryshim të thellë të mënyrës së qeverisjes. Sipas tij, sistemi aktual ka favorizuar të paaftët dhe ka dëmtuar njerëzit e ndershëm, ndërsa qytetarët që prej 42 ditësh qëndrojnë në shesh po kërkojnë një model të ri të bazuar te drejtësia dhe barazia përpara ligjit.
Gjatë fjalimit, ai u bëri thirrje qytetarëve që ende nuk i janë bashkuar protestës të dalin në shesh, ndërsa kërkoi edhe angazhimin e intelektualëve dhe shoqërisë civile për ndryshimin e situatës politike në vend. Ai theksoi se qëndresa do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të protestuesve.
Fjala e tij:
Përshëndetje, o shqiptarë të lirë, që i dhatë shpresë këtij populli që gati e kishte humbur atë. Unë jam njëri nga ju që kam qenë këtu për 42 ditë rresht dhe jam i gatshëm të rri edhe për 420 të tjera, nëse do të jetë nevoja, derisa kjo kastë politike e tradhtarëve të shporret.
Kjo parti 35-vjeçare ka ndërtuar një sistem ku i paafti promovohet, ku krimineli nderohet, ku hajduti nuk ndëshkohet dhe ku ndershmëria shihet si e metë, ndërsa i drejti si i marrë. Ky sistem nuk na përfaqëson ne! Ky sistem nuk përfaqëson shqiptarët e ndershëm të këtij vendi, që për 42 ditë me radhë po i tregojnë vetes dhe botës se nuk pajtohen më me të keqen. Nga sot, kurrë më!
Pajtohem plotësisht me pesë kërkesat themelore të kësaj proteste, por mbi të gjitha me kërkesën kryesore: dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit. Dorëheqje! Dorëheqje! Dorëheqje!
Ju që na ndiqni nga ekrani dhe ende nuk keni ardhur në këtë protestë, duhet të kuptoni se kurrë nuk është vonë për të dalë nga skllavëria. Mos e shisni lirinë tuaj për një thelë miell, për një rrogë në shtet apo për një përfitim financiar nga pushteti. Liria nuk ka çmim, është më e shtrenjtë se gjithçka, është më e shtrenjtë se vetë jeta juaj.
Kjo lëvizje ka nevojë për intelektualët e ndershëm të këtij vendi. Mbështetja juaj me shkrime është e vyer, por nuk mjafton. Duhet të vini këtu dhe të flisni, të jepni kontributin tuaj për ndërtimin e këtij sistemi të ri mbi baza drejtësie. Ky është një moment historik për Shqipërinë dhe egoja e gjithsecilit prej nesh nuk mund dhe nuk duhet të bëhet pengesë për bashkimin tonë.
Baballarët e kombit, firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, Haxhi Vehbi Dibra dhe Dom Nikoll Kaçorri, ishin njëri hoxhë e tjetri prift, por kjo nuk i pengoi që të mbronin atdheun dhe të bëheshin bashkë, të pandarë, për Shqipërinë.
Ndërsa ju, klerikë të sotëm, që nuk keni thënë asnjë fjalë për këtë lëvizje të pastër kombëtare, jeni ose të shitur, ose të frikësuar. Në çdo rast, të padobishëm!
Ne jemi evropianë dhe kemi nevojë për ndihmën e miqve dhe aleatëve që janë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por duhet të jemi ne ata që përpiqemi më shumë se kushdo për të drejtat tona.
Historia botërore ka parë shumë faraonë, mbretër e pushtetarë mizorë dhe, sado të fortë e të gjithëpushtetshëm t'u jetë dukur vetja, në fund janë rrëzuar nga forca e drejtësisë dhe e shpirtit.
Ky diktatoruci ynë që është këtu është shumë i vogël përballë forcës së shpirtrave të pastër të kësaj proteste. Ai është inferior, është i dobët dhe i pashpresë. Ai ka rënë, ne thjesht duhet t'i japim shtytjen e fundit. Ai dhe shpura e tij do të mbyten në detin e padrejtësive që i kanë bërë këtij populli.
Ne nuk kemi nevojë për një lider që të na zgjidhë gjithçka. Ai është i parëndësishëm përballë nevojës për një sistem qeverisës gjithëpërfshirës, që bazohet në drejtësi, ku secili merr atë që meriton dhe ku njerëzit janë të gjithë të barabartë përpara ligjit.
Vëllezër dhe motra, ju lutem, mos e lëshoni frontin. Rezistoni dhe duroni, mos u dorëzoni në këtë betejë për dinjitetin dhe lirinë tuaj. Vërtet, Zoti është me durimtarët!
© SYRI.net