Qindra qytetarë u mblodhën edhe këtë të shtunë në sheshin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e 42-të të protestës qytetare, duke kërkuar me brohoritje dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë nga pushteti.
Krahas thirrjeve kundër qeverisë, protestuesit mbajtën edhe pankarta me mesazhe politike, ku kritikonin qeverisjen dhe përdorimin e fondeve publike.
Ndër pankartat që tërhoqën më shumë vëmendje ishin: "Rilindja 2.0? Llogaridhënia 0.0", "4.3 mln euro për Kanye West, 0 euro për të varfrit", "42 ditë, 4.3 mln euro. Kanye këndon, askush nuk dëgjon", "Atdheu na thërret, Rama ja fundi jot", "Kjo pankartë kushtoi më shumë se biletat e patronazhistëve", si dhe "Morët timonin, humbët drejtimin".
Përmes këtyre mesazheve, protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisë, duke e akuzuar për keqmenaxhim të fondeve publike dhe duke përsëritur kërkesën për ndryshim politik.
Protesta u zhvillua në një atmosferë të qetë, ndërsa organizatorët deklaruan se tubimet do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre, me në qendër dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
© SYRI.net