Alarmi demografik në Shqipëri/ Pano: Çdo 30 minuta një i ri largohet nga vendi

15:42, 06/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqipëria përballet me një emergjencë kombëtare demografike, teksa shifrat e publikuara nga Eurostat tregojnë një realitet dramatik: rreth 18,000 të rinj të moshës 15-29 vjeç largohen nga vendi çdo vit. Kjo shifër alarmante, e barabartë me 1,500 largime në muaj, po kthehet në kërcënimin më serioz për të ardhmen e kombit, duke e lënë atë pa forcën më vitale dhe produktive.

Në një intervistë në Syri TV me gazetarin Arnold Kariqi, Jonathan Pano, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, theksoi se ky fenomen nuk është i ri, por një krizë e paralajmëruar që përkeqësohet vit pas viti. Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë dekadës së fundit (2014-2024), rreth 1.1 milionë shqiptarë janë larguar nga vendi. Pano e cilësoi situatën si “më të keqen ndonjëherë”, duke vënë në dukje se popullsia e grupmoshës 15-29 vjeç ka pësuar një rënie prej 4.32%. Shkaqet e këtij eksodi masiv janë të shumta dhe të ndërlidhura, duke filluar nga mungesa e shpresës dhe perspektivës. Kostoja e lartë e jetesës, ku mbi 40% e të ardhurave familjare shpenzohen vetëm për shportën ushqimore, e bën mbijetesën një sfidë të përditshme.

Jonathan Pano: Nuk ka asnjë gjë të re në diell. Është diçka që ne e kemi paralajmëruar. Unë kam qenë në vitin 2021 që po merrem vetë personalisht me studime përsa i përket demografisë dhe shpopullimit në Shqipëri. Po duket që çdo vit po bëhet më keq. Nga viti 2014 deri në vitin 2024, në qoftë se ne bazohemi tek të dhënat e Eurostatit, kemi rreth pothuajse 1.1 milionë shqiptarë të cilët janë larguar vetëm në këto 10 vite dhe arsyet tani ne, besoj që nuk ka shqiptar i cili nuk i di arsyet se pse të rinjtë po largohen.

Kryeministrit i duhet të shkojë në Vatikan pastaj t'i lutet Zojës për rininë shqiptare. Tani pyetja ime është se për cilën rini, për atë të larguarën apo këtë që ka mbetur? Apo për këtë që ka mbetur që të mos largohen? Sepse shiko, në qoftë se lexoni të dhënat e Eurostat-it, jo vetëm për Shqipërinë por dhe për vendet e tjera, ne shikojmë në vitin 2023 dhe Sllovenia ka patur një trend rënës, po ka patur rreth 1500 të rinj të moshës 15 deri 29 vjeçare të cilët janë larguar. Ndërsa këtë vit Sllovenia kishte një koefiçent rritës, madje ishte vendi i katërt me rritjen më të madhe të popullsisë së re. Po Sllovenia nuk është se mbahet si një vend ku ka prurje të larta emigratore që vendet nga lindja e mesme apo vendet nga Afrika po shkojnë dhe po emigrojnë në Slloveni. Kryesisht vendet emigratore ne i dimë, kemi Spanjën, kemi gjithashtu Belgjikën, Anglinë, Gjermaninë, por Shqipëria është në situatën më të keqe që ka qenë ndonjëherë. Ne shikojmë kemi një rënie të popullsisë së grupmoshës 15 deri 29 vjeç, në masën e 4.32%. E thënë shkurt, çdo 30 minuta një i ri merr valixhet për të mos u kthyer më në këtë vend.

Hajde diskutojmë nga mëngjesi deri në darkë për arsyet sepse të rinjtë po largohen. Tani, po të jetosh në Tiranë e kemi parë Tirana bashkë me Durrësin zënë pothuajse 50% të popullsisë së Shqipërisë, pra 50% e popullsisë së Shqipërisë banon në këto dy qytete. Po në Tiranë, vetëm sot unë kam dashur që të vij nga hyrja e Tiranës pra, nga zona e Kasharit që të vij për drejt qendrës dhe të merr minimumi 50 minuta. Tani kostoja nuk është vetëm koha që ne shpenzojmë në trafik, po është edhe tymi, po është janë edhe ato nervat, terezia që ti do prishësh duke ndenjur në trafik gjatë gjithë kohës ë duke qenë totalisht i bllokuar. Ne kemi parë që gjysëm ore shi të bie në Tiranë, këtu bëhet liqen dhe rrugët ne i kemi parë që kthehen në lumenj.

Po cila është shpresa që kjo qeveri po i jep të rinjve që do ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu? Sepse ne shikojmë që Shqipëria ka barrën më të lartë financiare të shëndetësisë në Ballkanin Perëndimor, sipas anketës që doli për vitin 2025, rreth 57% e shqiptarëve shpenzojnë deri 1% deri në 10% të të ardhurave të tyre vjetore vetëm për shëndetësi. Po për çfarë shëndetësie falas mund të flasim ne me qeverinë Rama? Nuk ekziston shëndetësia falas. Dhe 27% e familjeve shpenzojnë mbi 10% të të ardhurave të tyre vjetore vetëm për shëndetësinë. Po nga krahu tjetër, raporti tjetër tregon që ne kemi mbi 40% e të ardhurave në familjet shqiptare, shkojnë vetëm për produktet e shportës ushqimore. Pra 40% ne i shpenzojmë për ushqim, 10% ne po i çojmë për shëndetësi. Po për gjërat e tjera?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco