Mëngjesi: Çështja ndaj Berishës dhe Malltezit tërësisht politike, shkresa e FA rrëzon pretendimet për planin e përhapjes

11:38, 06/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Jamarbër Malltezi dhe avokatët e tij zhvilluan një konferencë për shtyp ku u shprehën se procesi gjyqësor për dosjen “Partizani” përbën persekutim politik ndaj tij dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Avokati i Berishës, Sokol Mëngjesi, deklaroi se kallëzimi penal i rremë, përmbante emra konkretë personash të cilëve u atribuoheshin vepra penale, por SPAK nuk ka regjistruar asnjë emër gjatë hetimeve paraprake. Sipas tij, kjo është bërë për t’u mohuar të drejtat kushtetuese personave në fjalë, përfshirë të drejtën për t’u marrë në pyetje gjatë fazës së hetimit.

Mëngjesi akuzoi gjithashtu SPAK-un për tejkalim kompetencash, duke argumentuar se neni 287 i Kodit Penal, që lidhet me pastrimin e produkteve të veprës penale, nuk është në juridiksionin e këtij institucioni në mungesë të një funksionari të lartë shtetëror të regjistruar si i dyshuar. Ai shtoi se çështja është mbajtur në hetim për disa vite pa persona konkretë të regjistruar.

Sipas avokatit, masat e sigurimit ndaj Berishës dhe Malltezit janë vendosur pa u pyetur ata më parë nga SPAK-u.

Një nga pikat kryesore të mbrojtjes lidhet me ndryshimin e destinacionit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Mëngjesi deklaroi se ndryshimet urbanistike janë miratuar nga Edi Rama në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës në vitet 2004, 2006 dhe 2008, përmes planit të përgjithshëm vendor.

Ai theksoi se roli i Berishës si kryetar i KRRTRSH-së nuk përfshinte vendimmarrje të pavarur, pasi sipas tij, vendimet kalonin fillimisht nga këshillat rregullues të bashkive dhe nuk mund të ktheheshin mbrapsht nga KRRTRSH.

Sa i përket pronësisë, mbrojtja argumenton se ish-pronarëve u është njohur prona që në vitet ’95 dhe se ata kanë ndjekur për vite me radhë procedurat për kthimin e saj, duke paguar edhe 700 mijë dollarë cash. Sipas avokatit, nëse do të kishte komunikim të parregullt mes Malltezit dhe Berishës, pagesa do të ishte shtyrë për t’u realizuar përmes letrave me vlerë pas miratimit të një VKM-je.

Gjithashtu, Mëngjesi përmendi një shkresë të vitit 2022 nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ku sipas tij thuhet se klubi “Partizani” nuk ka qenë pjesë e planit të përhapjes në vitet 2006, 2007 dhe 2009. Ai kritikoi SPAK-un për marrjen në pyetje të mbi 30 ish-ushtarakëve lidhur me këtë çështje.

Mëngjesi: 

Duhet bërë me dije se kallëzimi, pavarësisht se ai është i rremë, ka pasur emra konkretë në kallëzim, personave që ju atribuohej vepra penale, por SPAK-u nuk ka regjistruar asnjë emër personi, për arsyen e vetme për t'ju shkelur të drejtat kushtetuese dhe marrjes dhënie në pyetje gjatë fazës së hetimeve paraprake.

Gjithashtu, SPAK-u ka tejkaluar kompetencën e vet, për arsye sepse neni 287, që është pastrimi i produkteve të veprës penale, nuk është në kompetencë të SPAK-ut dhe, për arsye sepse nuk ishte ndonjë funksionar i lartë shtetëror si të regjistruar si i dyshuar për kryerjen e ndonjë vepre penale. SPAK-u ë nuk e ka mbajtur këtë mbi dy-tre vjet në hetime pa emra personash konkretë.

Doktor Berisha dhe zoti Malltezi  janë caktuar masat e sigurimit pa u pyetur asnjëherë nga SPAK-u. Gjithashtu, një prej pikave më thelbësore në këtë çështje është ndryshimi i destinacionit në klubin Partizani. Ndryshimi i destinacionit në klubin Partizani është bërë nga kryeministri i vendit, i tanishëm, atëherë kryetar bashkie i Tiranës, zoti Edi Rama, në vitet 2004, 2006 dhe në fund në vitin 2008 me zonimin funksional të planit të përgjithshëm të Tiranës.

E vetmja pikë ku SPAK-u kapet për ta akuzuar Berishën, është për arsye sepse zoti Berisha ka qenë kryetar i KRRTRSH-së por asnjëherë KRRTRSH-ja nuk ka marrë ndonjë vendim pa i vajtur nga KRT-të e bashkive dhe KRT-të e bashkive, sipas vendimit 29 të vitit 2006, kanë, nuk mund të kthehen ato që shkojnë në KRRTRSH. Gjithashtu, një prej pikave të tjera është që ish-pronarët e klubit Partizani ë, ku u është njohur kjo pronë që në vitet '95 të themi dhe, e kanë marrë këtë pronë shumë vonë. Në vitin 2007 ë kanë vijuar me proceset dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ata kanë kërkuar për t'ju kthyer kjo pronë.

Gjithashtu ish-pronarët kanë paguar 700.000$ kesh. Ndërkohë, nëse do të kishte ndonjë komunikim midis zotit Malltezi dhe zotit Berisha, atëherë do të pritej vetëm pak javë për miratimin e VKM-së për t'u paguar kjo me letra me vlerë, sikurse e pa dhe zoti Malltezi. Një prej pikave të tjera që tregon tendencën e SPAK-ut, ka patur një komunikim zyrtar me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosur, ku ka saktësuar me shkresë që në vitin 2022, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura se klubi Partizani nuk ka qenë pjesë e planit të përhapjes as në vitin 2006, as në vitin 2007 dhe as në vitin 2009. Megjithatë, SPAK-u ka thërritur mbi 30 dëshmitarë, ish-ushtarakë, për të pyetur nëse kjo është apo jo në planin e përhapjes. Kështu që kjo çështje nuk ka thelb, nuk ka bazë dhe është tërësisht politike për të përndjekur kryetarin e opozitës, zotin Berisha dhe zotin Malltezi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco