Asnjë iluzion për territorialen dhe zgjedhoren, protesta e vetmja rrugë!

Asnjë iluzion për territorialen dhe zgjedhoren, protesta e vetmja rrugë!

15:51, 02/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Petrit Vasili 

Reforma administrative si edhe ajo zgjedhore mbeten instrumente, që nuk kanë zgjidhur kriza dhe probleme, por përkundrazi i kanë thelluar keq e më keq ato.

Edi Rama është një narkokryeministër, që udhëhiqet vetëm nga banditizmi i njëanshëm politik, që nuk ka asnjë lidhje me kompromiset parimore politike.

Dhunimi dhe rrëzimi nga Rama dikur i konsensusit të 5 qershorit të vitit 2020 për Reformën zgjedhore, i cili u votua në Kuvend dhe u mbështet shumë fort nga ndërkombëtarët, si nga Departamenti Amerikan i Shtetit ashtu edhe nga Bashkimi Europian e OSBE dhe ku vetë marrëveshja u firmos në prani të ambasadorëve të SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe është prova më e padiskutueshme, që shuan çdo iluzion për marrëveshje apo kompromis me Edi Ramën.

As edhe një iluzion i vetëm nuk mund të ushqehet se ato Komisione mund të prodhojnë diçka dhe aq më pak kompromise parimore me Edi Ramën dhe përfaqësuesit e tij.

Komisionet për Reformën

"e përjetshme" zgjedhore kanë prodhuar në vazhdimësi zgjedhje njëra më të turpshme e më të manipuluara se tjetra, pra efekti real i këtyre komisioneve është më pak se zero.

Edhe ndonjë ndryshim pozitiv në Kodin Zgjedhor është asgjësuar në praktikë nga Rama rilindja duke e dhunuar Kodin e duke vjedhur e plaçkitur zgjedhjet pa iu dridhur syri.

Iluzionet për Reformën Territoriale janë edhe më pak se asgjë.

Prania e opozitës tek Territorialja ka qëllim të vetëm që të përdoret si alibi nga Rama për të thënë se: ja debatuam për një kohë tepër të gjatë, por opozita është destruktive dhe meqë votat i kemi po e votojmë vetë se vendit dhe integrimit i duhet shumë kjo reformë.

Ramës i duhet ta mbushë ambientin propagandistik dhe mediatik me pallavrat boshe pa fund, që bëhen në këto komisione, duke mbushur mediat me orë të tëra në mënyrë që të shpërndajë sa më shumë vëmendjen nga korrupsioni, narkopastrimi i parave prej rilindjes dhe vjedhja mafioze e zgjedhjeve.

Është vërtet naiv ky kompleks i opozitës, e cila merr pjesë në këto Komisione farsë nga halli se çfarë do të thonë ndërkombëtarët.

Ndërkombëtarët kanë shumë ç'të thonë e të bëjnë sepse edhe informacionin e kanë pa fund, mund: të ngrijnë procesin e integrimit, mund të sanksionojnë ekonomikisht Shqipërinë për pastrimin e frikshëm të parave, mund të bllokojnë liberalizimin e vizave, mund të izolojnë politikisht Ramën etj. etj., por nuk e kanë bërë realisht asnjërën prej tyre deri tani.

Protesta dhe vetëm protesta mbetet i vetmi instrument politik i opozitës përballë Edi Ramës.

Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit vendosi bazën politike të veprimit politik të opozitës si dhe demaskimit ndërkombëtar të Ramës.

Sot çdo debat politik për këto Komisione është një humbje e tmerrshme kohe nga opozita dhe ushqimi i iluzioneve të humbura.

Çdo energji duhet të shkojë vetëm tek protesta, tek puna në terren me njerëzit dhe tek qartësia e konsekuenca e qëndrimeve politike të pakompleksuara ballore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco