Edhe pse Shqipëria është një nga shtetet më të vogla të Europës, shqiptarët janë të shpërndarë nëpër vendet e Bashkimit Europiane, duke qenë në listën e vendeve kryesore për kombësinë e vendeve të jo BE-së që janë rezidentë në Bashkimin Europian.
Nëse krahasohet me madhësinë e popullsisë, vendi ynë kryeson listën në Europë, në një tregues të përmasave të mëdha të emigracionit.Sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat, shtetasit shqiptarë u renditën në vend të 11 në grafikun e kombësive kryesore të shtetasve jo të BE-së, që janë rezidentë në BE në vitin 2024, sipas numrit në vlerë absolute.
Sipas grafikut janë rreth 550 mijë shqiptarë që jetojnë në vendet e BE-së, kryesisht në Itali, por në grafik mungon Greqia, ku sipas të dhënave të ndryshme jetojnë të paktën edhe 500 mijë shqiptarë.
Në nivelin e mbi 1 milionë banorëve, Shqipëria do të renditej në vend të katërt në numër absolut, pas Ukrainës, Turqisë, Marokut. Nëse llogaritet në bazë të popullsisë së mbetur në vendin e origjinës, Shqipëria absolutisht kryeson, madje edhe pa përfshirë të dhënat e Greqisë citon Monitor.
Shqipëria me rreth 550 mijë shtetas në BE dhe një popullsi 2.36 milion banorë, arrin rreth 230 shtetas për 1,000 banorë, një shifër shumë më e lartë se çdo vend tjetër në grafik. Edhe pa përfshirë Greqinë, treguesi e vendos Shqipërinë dukshëm mbi vendet e tjera të rajonit.
Nëse përfshihet edhe Greqia, ku jeton një numër i madh shqiptarësh, pesha e emigracionit për 1,000 banorë rritet edhe më shumë, duke arritur në 466 emigrantë për 1,000 banorë, pra afërsisht 1 në 2 shqiptarë jeton në BE, çka e vendos vendin dukshëm në krye të listës në raport me popullsinë.
© SYRI.net