Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në Tiranë, ku kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Dekriminalizimi i rremë i shpifjes dhe pabesia e PS-së/ Myzyraj: Drafti i votuar nuk ishte ai i konsultuar me median

10:02, 29/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Me votat e saj maxhoranca socialiste miratoi në orën 03:00 të mëngjesit të 28 janarit ndryshimet në Kodin Penal, përfshirë edhe të ashtuquajturën dekriminalizim i shpifjes, një draft i cili nuk është ai i konsultuar me median dhe grupet e interesit

Gazetari Isa Myzyraj, në një intervistë për ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV thotë se prej muajit gusht po punonin me deputetët për hartimin e draftit, ndërkohë që në Kuvend ka mbërritur draft tjetër.

“Na e futën në fund të procesit në mënyrë të pabesë dhe pa u konsultuar me ne. Drafti që ka shkuar në Kuvend nuk është konsultuar as me profesionistët e medias as me grupet e interesit. Ne kemi konsultuar një draft tjetër.

Nga ana proceduriale drafti i qeverisë nuk është konsultuar dhe është me problem të mëdha. Këtë legjislacion, e kanë bërë në emër të BE-së dhe ku shumica e deputetëve më beso nuk e dinë  çfarë votojnë. Në seancën kur u votua Kodi Penal, ka pasur deputetë që nuk kanë qenë present në asnjë moment në seancën që zgjati 18 orë dhe u shfaqën vetëm për të votuar” thotë Myzyraj.

Myzyraj i cili është dhe kreu i Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë AGSH shpjegon dhe pse ky draft nuk dekriminalizon shpifjen e gazetarëve.

“Shpifjen e kanë asociuar me gazetarët sikur vetëm ata shpifin, gjë që është tërësisht e pavërtetë.

Së dyti i hap rrugën për një regjistër të gazetarëve.

Shqipëria nuk ka një regjistër ku regjistrohen gazetarët dhe shumë mirë që nuk ka një regjistër të tillë, por patjetër dy prej eksponentëve shumë të rëndësishëm të Partisë Socialiste, përfshirë kryetarin e grupit parlamentar, zotin Taulant Balla dhe nënkryetaren e Kuvendit Klodiana Spahiu, kanë hedhur idenë e rrezikshme të statusit të gazetarit dhe krijimin e këtyre farë regjistrave. Çfarë do të thotë kjo? Një autoritet shtetëror nesër do të përcaktojë, Isa është gazetar apo s'është gazetar. Flavio është gazetar apo s'është gazetar.

Pra ata do na përcaktojnë ata neve se kush qenka gazetar dhe kush jo. Ndaj krijimi i regjistrave të tillë është është i panevojshëm.

Pika e tretë pse ne e kemi kundërshtuar kaq shumë, është për shkak se ne jemi angazhuar në bisedime me parlamentin e Shqipërisë, me Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste në Komisionin e Mediave. Kemi punuar në gusht për të hartuar një draft final ku e shfuqizonte përfundimisht shpifjen dhe për këtë gjë ranë dakord dhe socialistët. Për muaj të tërë, ne kemi hartuar bashkë me edhe Partinë Socialiste draftin, kur papritur pak ditë më përpara ato e prishën paktin dhe sigurisht vazhduan me variantin e tyre për këtë dekriminalizimin të pjesshëm të shpifjes. “

Myzyraj sjell dhe shembullin e vet.

“Vetëm për ta ilustruar me shembull konkret. Unë jam në një gjyq për shpifje prej katër vitesh. Avokatja ime pasi pa draftin e qeverisë tha se ti nuk përfiton nga kjo. Dhe këtë nuk e kam për të përfituar unë personalisht, më beso, sepse unë kam shumë dëshirë që të përfundojë ai gjyq dhe unë të shpallem i pafajshëm, sepse jam i sigurt për atë. Por thjesht po ta jap shembull konkret se çfarë kanë bërë dhe se si kjo nuk çon detyrimisht në dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët. Ne mendojmë që çdo gazetar në Republikën e Shqipërisë duhet të mbajë përgjegjësi për atë që thotë, por përpara një gjykate civile dhe jo përpara një gjykate penale”

Kush do jetë hapi?

“Dërgimi në gjykatë n Kushtetuese është opsion” thotë Myzyraj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco