I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Vasil Sterjovski, Kryetar i Aleancës së Maqedonasve për Integrimin Europian, foli mbi vendimin e qeverisë së Ramës për ndërtimin e tre qendrave pritëse për emigrantë në bashkinë Pustec, ku u shpreh se ky plan rrezikon të ndryshojë strukturën demografike të zonës dhe ta kthejë Prespën në një territor të militarizuar.
Sterjovski theksoi se Pusteci është park kombëtar, zonë e mbrojtur Ramsar dhe pjesë e rezervës ndërkufitare të biosferës Ohër–Prespë, e mbrojtur nga UNESCO, ndërsa ndërtimi i kampeve buzë liqenit do të shkatërrojë potencialin turistik të zonës.
Sipas tij, plani për të sjellë rreth 1 200 emigrantë në një bashki me nëntë fshatra dhe popullsi minoritare maqedonase bie ndesh me ligjin për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe është marrë pa asnjë konsultim me pushtetin vendor dhe banorët. Ai bëri me dije se vendimi është ankimuar në Gjykatën Administrative dhe se çështja do të ndiqet deri në gjykatat evropiane nëse nuk ka reflektim nga ana e qeverisë.
Pjesë nga deklarata:
Në Planin Kombëtar për menaxhimin e flukseve migratore, miratuar së fundmi në 24 dhjetor, 2023–2025, parashikohet ndërtimi brenda dy viteve të ardhshme i 20 qendrave pritëse për migrantët në tërë territorin e Republikës së Shqipërisë, nga të cilat ne si bashki mbajmë rekordin, pasi janë piketuar tre qendra pritëse në bashkinë Pustec. Në zonë kërkohet ndërtimi në zonë ushtarake, pa banorë, ose si tip “kampi ushtarak”, por zona është park kombëtar. I gjithë territori i bashkisë është park kombëtar.
Gjithashtu, zona Ramsar e shpallur është zonë pjesë e biosferës ndërkufitare të rezervës së Ohër-Prespës, e shpallur me mbrojtje nga UNESCO në vitin 2014. Plus që është një territor shumë i vogël me nëntë fshatra, pra bashkia Pustec është bashkia më e vogël në Republikën e Shqipërisë, me nëntë fshatra, dhe u la bashki më vete në vitin 2015 duke u përdorur kriteri etnik. Si bashki e komunitetit maqedonas, njësoj si Finiqi dhe Dropulli që janë bashkitë e komunitetit grek, u lanë më vete për të mbrojtur identitetin e tyre etnik e kulturor dhe për të pasur një zhvillim më të madh.
Duke u anashkaluar të gjitha këto, qeveria ka marrë vendim që në dy vitet e ardhshme, në këtë territor kaq të vogël, të ngrihen tre qendra pritëse për migrantët, ku kapaciteti i një qendre parashikohet deri në 410 migrantë. Pra, i bie që të ndërtohen tre fshatra të rinj në territorin e bashkisë Pustec. Kur flasim për një bashki të vogël, këtu kemi përveç malit dhe liqenit vetëm një rrugë kombëtare që kalon përmes bashkisë. Nuk kemi hapësira të pafundme. Plus, me ndërtimin e këtyre tre qendrave, bashkia Pustec, që është edhe bashki kufitare me Shqipërinë dhe Maqedoninë, kthehet në një zonë të militarizuar, sepse këto qendra do të kenë protokolle të posaçme sigurie.
Gjithashtu, zona është shpallur zonë turistike dhe kemi edhe një fshat që është pjesë e “100 fshatrave turistikë” të shpallur nga qeveria shqiptare. Lokacionet ku parashikohet ndërtimi i këtyre qendrave janë buzë Liqenit të Prespës, kështu që nuk do të kemi shpresë për zhvillimin e turizmit dhe për ardhjen e turistëve, pasi çdo lëvizje në territor do të survejohet nga organet e mbrojtjes, qoftë policia, qoftë Frontex-i. Do të ketë prezencë të vazhdueshme dhe edhe lëvizja e banorëve për të shkuar në shtëpi do të kontrollohet nga organet e shtetit.
Pikërisht për këtë arsye çuditemi se si është zgjedhur ky territor, duke pasur parasysh të gjitha këto fakte që janë në anën tonë. Prandaj dje e kemi ankimuar këtë vendim të qeverisë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë dhe shpresojmë e besojmë fort që ky vendim do të bjerë, duke përdorur të gjithë këta elementë dhe kriterin etnik, sepse në bazë të ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare të miratuar në vitin 2017, shteti është i obliguar të mos marrë asnjë masë që ndryshon strukturën demografike në njësitë e vetëqeverisjes lokale me popullsi minoritare.
Duke ngritur tre qendra me kapacitet rreth 400 migrantë secila, pra rreth 1 200 migrantë gjithsej, pothuajse gjysma e popullsisë ndryshon dhe cenohet struktura kompakte e komunitetit maqedonas. Këta janë të gjithë elementë që besojmë fort se do të bien në gjykatat shqiptare. Nëse nuk gjejmë mbështetje nga gjykatat shqiptare, do të shkojmë në gjykatat evropiane.
Shpresojmë që qeveria të reflektojë pas gjithë këtyre reagimeve, jo vetëm nga ana jonë si parti e komunitetit maqedonas që mbron interesat kolektive të komunitetit maqedonas, por edhe nga vetë banorët e bashkisë Pustec. Edhe Këshilli Bashkiak dje ka marrë vendim kundërshtues, pasi nuk është pyetur as pushteti lokal.
Dje, Këshilli Bashkiak, me propozim të anëtarëve të partisë Aleanca Maqedonase për Integrimin Evropian, ka marrë një vendim që kundërshton planin kombëtar të qeverisë shqiptare për ndërtimin e tre qendrave pritëse në Pustec. Nuk mund të merret një vendim pa pyetur vetë banorët që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të ardhmen e tyre, sepse me këtë vendim vetëm sa do të rritet shpopullimi në bashkinë Pustec. Banorët nuk do të shohin asnjë të ardhme dhe edhe ata që kanë emigruar vite më parë dhe planifikonin të ktheheshin për të investuar, jo vetëm që nuk do të vijnë, por edhe ata që kanë mbetur do të largohen.
Mes nëntë fshatrave krijohen faktikisht tre fshatra të rinj, me protokolle sigurie. Emigrantët që do të vijnë janë ata që kapen duke kaluar kufirin nga mali. Kjo situatë do ta bëjë jetën e banorëve të vështirë dhe do t’i shtyjë drejt braktisjes së vendlindjes së tyre.
Edhe sot, sidomos natën, nëse kalon në bashkinë Pustec, ndalohesh për kontroll, pasi kemi stacion policie kufitare, komisariat dhe doganë. Me ndërtimin e këtyre tre qendrave, zona kthehet në një territor të militarizuar, ku çdo lëvizje survejohet. Nuk do të presim turistë dhe as vetë banorët nuk do të lëvizin lirshëm nga fshati në fshat apo për të ardhur në qytetin e Korçës.
Ky nuk është vetëm reagimi ynë, por edhe i vetë banorëve, siç shihet edhe nga komentet dhe iniciativat në rrjetet sociale. Banorët prisnin investime konkrete. Zona e Prespës ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, duke pasur parkun kombëtar, Liqenin e Prespës, ishullin e Maligradit dhe kishat eremite të shekullit XIV, por ky potencial mbetet i pashfrytëzuar
© SYRI.net