Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në Tiranë, ku kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Italia rinovon kontratën me hotelin e Lezhës, 18 milionë euro për akomodimin e forcave të rendit

Italia rinovon kontratën me hotelin e Lezhës, 18 milionë euro për akomodimin e forcave të rendit

15:57, 28/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Ministria e Brendshme e Italisë ka rinovuar kontratën për akomodimin e forcave të policisë italiane në qendrat për migrantë në Shëngjin dhe Gjadër, Shqipëri, me një vlerë mbi 18 milionë euro dhe për një periudhë 24-mujore.

Kontrata, e firmosur më 11 dhjetor 2025, e bërë publik vetëm orët e fundit, parashikon dhoma individuale me ushqim dhe shërbime të tjera për stafin italian përmes kompanisë Rafaelo Resort S.r.l., në Shengjin. Megjithatë, edhe pas këtij investimi të madh, numri i migrantëve të strehuar në këto qendra ka qenë shumë i ulët, duke nxitur kritika për efikasitetin dhe shpenzimin e fondeve publike.

Sipas dokumentit zyrtar të Ministrisë së Brendshme italiane, kontrata u atribuua në favor të kompanisë Rafaelo Resort S.r.l. për shërbimin e akomodimit në dhoma individuale hoteliere me ushqim dhe shërbime të lidhura për një periudhë 24-mujore, me kosto ditore për person 83 euro, për një vlerë maksimale të parashikuar prej 18,177,000 euro, pa taksa.

Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, ka shpjeguar se nuk mund të funksiononte më parë për shkak të vendimeve gjyqësore dhe ka theksuar se kostoja e shërbimit është e nevojshme për të siguruar që personeli italian të mos qëndrojë në ambiente të papërshtatshme.

Edhe pse qendrat parashikonin të pranonin deri në 3,000 migrantë në muaj dhe rreth 36,000 në vit, realiteti ka qenë shumë më i ulët. Në gusht të vitit 2025 vetëm 9 persona qëndronin në një nga qendrat, ndërsa gjatë verës numri mesatar nuk kaloi 20 persona.

Gjatë vitit të parë të funksionimit, pak më shumë se 100 migrantë ishin strehuar, ndërsa shumica u kthyen në Itali për shkak të pengesave ligjore dhe vendimeve të gjykatave që konsideruan qendrat në Shqipëri të pasigurta dhe jo të përshtatshme për mbajtje.

Shpenzimet e larta për rezultate minimale janë vënë në dukje nga mediat dhe ekspertët, ndërsa raportet e organizatave si ActionAid tregojnë se kostoja për një vend strehimi në qendrat shqiptare është shumëfish më e lartë se në qendrat italiane, rreth 153,000 euro krahasuar me 21,000 euro në Itali.

Gjykatat italiane kanë ndaluar transferimet e migrantëve në Shqipëri, duke argumentuar se nuk garantohen kushtet e sigurta dhe të drejtat e kërkuesve të azilit. Partitë opozitare në Itali e kanë quajtur projektin një dështim të shtrenjtë dhe joefektiv, ndërsa organizata joqeveritare kanë paraqitur ankesa për përdorim jo transparent të fondeve publike.

Edhe pse kontrata është rinovuar për dy vjet, numri i migrantëve të strehuar mbetet shumë i ulët krahasuar me objektivat fillestare, duke e bërë shpenzimin e 18 milionë eurove për akomodimin e forcave të rendit një nga çështjet më të diskutueshme të politikës migratore italiane në vitet e fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco