Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në Tiranë, ku kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

SYRI TV/ Kuvendi zvarrit heqjen e imunitetit për Ballukun, PD: Operacion i koordinuar Kuvend- Kushtetuese

15:35, 28/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeministri Edi Rama, përmes kryeparlamentarit Niko Peleshi, ka zvarritur sërish heqjen e imunitetit për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, që do t’i hapte rrugë arrestimit të saj. Ndërsa Kuvendi shtyu mbledhjen e Këshillit të Mandateve me justifikimin për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi këtë si një operacion të koordinuar mes dy institucioneve për të bllokuar SPAK-un, me urdhër të Edi Ramës.

Kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca socialiste, përmes kreut të Kuvendit, Niko Peleshit, kanë shtyrë sërish heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, që do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, me kërkesë të SPAK-ut. Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese njoftoi se do të marrë më shumë kohë për vendimin lidhur me pezullimin e Ballukut nga detyra, edhe kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e numrit dy të qeverisë. Kreu i Kuvendit përdori si justifikim për shtyrjen e mbledhjes faktin që Gjykata Kushtetuese ende nuk është shprehur për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

"Duke marrë në konsideratë se në mbledhjen e parë të Këshillit, të zhvilluar më datë 19.12.2025, deputetë anëtarë të këtij këshilli kanë kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese"

Por për Partinë Demokratike, zvarritja që Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi po i bëjnë çështjes Balluku është një strategji e përbashkët për të bllokuar SPAK-un. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se Kushtetuesja dhe Kuvendi po koordinohen dhe po veprojnë nën urdhrat politikë të kryeministrit Edi Rama, i cili ka marrë në mbrojtje zëvendësen e tij.

"Zvarritja e çështjes Balluku, si në Parlament ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese, nuk është rastësi, por një operacion i koordinuar politik për të bllokuar SPAK-un dhe për të mbrojtur korrupsionin në majë të pushtetit. Si shtyrja nga Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe shtyrja nga Kuvendi janë hallka të të njëjtit zinxhir mbrojtës, i komanduar politikisht nga Edi Rama. Çdo vonesë është shërbim i drejtpërdrejtë për Edi Ramën, për të blerë kohë kundër drejtësisë, dhe për të pandehurën Balluku, për prishje provash, intimidim dëshmitarësh dhe vijim të aferave korruptive me vlerë miliona euro"

Debati mes mazhorancës dhe opozitës për këtë çështje ka nisur edhe për faktin se shqyrtimi që Gjykata Kushtetuese po i bën ankimit të kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Ballukut është një çështje e ndarë nga kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe nuk e ndikojnë njëra-tjetrën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco