Nisma ligjore e qeverisë për rishikimin e neneve për fyerjen dhe shpifjen ka ndezur një debat të fortë publik. Ndërsa ekzekutivi pretendon se ndryshimet synojnë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, nga këndvështrimi i opozitës, kjo lëvizje shihet si një tjetër përpjekje e vjetër e kryeministrit Edi Rama për të vendosur censurën mbi median.
Në një intervistë për SYRI TV me gazetarin Edvin Parruca, Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, e cilësoi këtë nismë si një “përpjekje të vjetër të Ramës dhe të tijve”, duke theksuar se liria e shprehjes qëndron gjithmonë mbi censurën. Sipas Lelës, ky është tentimi i katërt ose i pestë për të futur, “sa nga dera, sa nga dritarja”, mekanizma që kufizojnë lirinë e medias dhe të shprehjes në përgjithësi.
Duke analizuar qëndrimin e kryeministrit ndaj medias, Lela argumentoi se gjuha e Ramës ka qenë historikisht e ngarkuar me “përçmim dhe epsh për ta kufizuar lirinë”. Ai shtoi se kryeministri e sheh veten si “të pasulmueshëm” dhe kritikët i konsideron ose si instrumente të kundërshtarit politik, ose si njerëz që nuk e kuptojnë “rolin e tij historik”. Këto, sipas Lelës, janë tipare të autokratëve dhe diktatorëve.
Lela rikujtoi shprehjen e Ramës në vitin 2017, “timonin për vete”, duke deklaruar se ambicia e tij nuk ishte vetëm për kontrollin ekonomik, por edhe për “timonin e fjalës”. “Kjo ka qenë një strategjemë, një përpjekje e vjetër, të cilën ai e ka shtuar kur iu mundësua të merrte timonin i vetëm”, tha ai.
Alfred Lela: Shikoj gjithmonë, një gazetari po t'i duhej të zgjedhë, e para s'do duhej t'i zgjidhte, të zgjidhte mes censurës dhe lirisë së shprehjes, sigurisht do të zgjidhte lirinë e shprehjes. Kështu që këtu mendoj unë me një fjali mund të marrë, mund të marrë fund debati. Liri e shprehjes gjithmonë përherë më mirë sesa censurë. Është, sigurisht përpjekja për censurë në vend të lirisë së shprehjes, është një përpjekje e vjetër e Ramës dhe e të tijve. Është ndoshta përpjekja e katërt apo e pestë, nëse e mbaj mend, për ta futur sa nga dyert, sa nga dritarja këtë demarshin për censurë. Pra, për t'ia ngushtuar hapësirat, për t'i, për t'i kufizuar liritë, qoftë gazetarëve, qoftë apo lirinë, qoftë edhe lirinë e shprehjes në përgjithësi. Dhe ne e dimë se nga, nga vjen kjo. Përpjekja e tij edhe gjuha, e zotit Rama ndaj medias, ndaj reporterëve, komentatorëve, analistëve, ka qenë gjithmonë e ngarkuar, jo vetëm me, me përçmim, por edhe me dëshirën, mund të thuhet, madje me epshin për ta kufizuar lirinë, sepse, Rama shpeshherë e ka parë veten, si të pasulmueshëm, dhe të gjithë ata që e sulmonin, si ose instrumente të kundërshtarit politik ose si moskuptues të rolit të tij historik. Dhe kjo është veti e autokratëve, për të mos thënë e diktatorëve. Në vende normale, respektohet liria e shtypit, liria e shprehjes dhe nuk ka asnjë dyshim, asnjë dyshim për këtë, madje as nuk futet në axhendat e diskutimit përpjekja për të zgjedhur censurën para lirisë së shprehjes dhe të shtypit.
Nëse e kujtoni dhe me siguri e kujtoni qartë, ajo shprehja 'timonin për vete', në 2017-ën, ka patur ndërmend ndër të tjera, jo vetëm timonin ekonomik, pra atë hapjen, hapësirën e paanë për të vendosur për tendera dhe për të vendosur përqindjen, për të vendosur ndarjen, për të vendosur përfitimet. Ka pasur ndër të tjera edhe lirinë, lirinë e shprehjes, lirinë e medias. Pra, të paturit në dorë edhe të timonit të fjalës, çfarë thuhet, ku thuhet, si thuhet, kush e thotë, sa herë, sa herë e thotë. Desha të them me këtë se kjo ka qenë një strategjemë, një përpjekje e vjetër e Ramës, të cilën e ka shtuar kur iu mundësua që të merrte timonin i vetëm. Iu mundësua në shumë mënyra kjo, pra, ju plotësua në një farë mënyre dëshira. Jo plotësisht, por ai është kthyer gjithmonë tek sëmbimi i vjetër, tek dëshira e vjetër për t'i kontrolluar njerëzit, njerëzit e lirë. Edhe pse duhet thënë, ka në dorë dhe ka nën kontroll, herë me kulaç dhe herë me kërbaç, pjesën më të madhe të shtypit. Atë që s'e ka në dorë, dhe ju e dini ose të paktën komuniteti i gazetarëve me siguri e di shumë mirë, është munduar që të fusë nën kontroll atë pjesë të medias, pra median e re, jo median mainstream ose median tradicionale, të cilën e ka pasur në shumicë nën kontroll. Dhe tendenca e tij kanë qenë portalet, rrjetet sociale, sulmet apo mbyllja e faqeve me shumë ndjekës në Facebook, apo sulmi edhe ndaj portaleve të cilat i kanë dhënë hapësirë dhe kanë kritikuar abuzimet e pushtetit të Ramës.
© SYRI.net