Vizita e fundit e kryeministrit Edi Rama në Izrael ka rihapur debatin mbi arkitektët e vërtetë të marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve, duke nxjerrë në pah një histori diplomatike komplekse, ku rolet kryesore nuk i takojnë vetëm protagonistëve të sotëm.
I ftuar në emisionin ‘KAFE Shqeto’ në Syri Tv, gazetari dhe analisti Genci Burimi, argumenton se themelet e partneritetit strategjik aktual nuk u hodhën me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, por gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Sipas tij, marrëdhëniet Shqipëri-Izrael nuk filluan me qeverinë aktuale, ashtu siç nuk filluan me të as procese të tjera madhore si anëtarësimi në NATO apo liberalizimi i vizave, të cilat e kanë zanafillën në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike.
Momenti kyç që transformoi rrënjësisht marrëdhëniet dhe i dha atyre dimensionin aktual, thekson analisti Burimi, ishte një fjalim i mbajtur në selinë e Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit 2011. Gjatë sesionit vjetor të OKB-së, Shqipëria, nën drejtimin e kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, mbajti një qëndrim të prerë dhe të paprecedentë.
Në fjalimin e tij, Berisha deklaroi se ishte ende herët që Palestina të kërkonte anëtarësimin si shtet në OKB, duke theksuar si parakusht nevojën për njohje reciproke me Izraelin nga bota arabe. Për më tepër, Shqipëria votoi kundër futjes së Palestinës në OKB, një lëvizje e guximshme për një vend anëtar të Konferencës Islamike.
Ky qëndrim u interpretua nga Izraeli si një “provë” e shumëpritur e miqësisë totale të Shqipërisë, një akt që dëshmonte se Tirana ishte një aleat i besueshëm. Përpara këtij momenti, pavarësisht vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991, Izraeli nuk e kishte konsideruar Shqipërinë një partner të denjë për një miqësi të plotë, duke mos pasur një ambasadë rezidente në Tiranë. Pasojat e këtij veprimi diplomatik ishin të menjëhershme.
Vetëm dy muaj më vonë, në nëntor 2011, kryeministri Berisha u ftua në një vizitë zyrtare në Izrael, ku u prit nga homologu i tij, Benjamin Netanyahu, mbajti një fjalim në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtme dhe u nderua me një medalje. Kulmi i kësaj vizite ishte vendimi historik i Izraelit për të hapur për herë të parë ambasadën e tij në Tiranë, e cila u inaugurua zyrtarisht në vitin 2012.
Kjo analizë historike, sipas Burimit, sfidon narrativat mediatike sipas të cilave marrëdhëniet u ftohën gjatë qeverisjes së Berishës dhe u bënë “speciale” vetëm pas vitit 2013. Ndërsa diplomacia e sotme padyshim shton një gur më shumë në “murin” e miqësisë Shqipëri-Izrael, themelet e kësaj aleance të fortë duket se janë hedhur në një moment kyç diplomatik, që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Shqiptarët duhet të dinë që marrëdhëniet Shqipëri-Izrael nuk filluan me Edi Ramën. Ashtu si për NATO-n, ashtu si për marrëdhëniet me BE-në, me liberalizimin e vizave, gjithçka ka filluar në kohën e udhëheqjes së Partisë Demokratike. Dhe është e turpshme që të eklipsohet e kaluara. Berisha ka qenë tre herë në Izrael. Ishte e tmerrshme. Shiko, thjesht që të kuptojnë shqiptarët, ka vetëm një indicie. Memorandumi i marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Izraelit sigurisht ndodhi pas momentin e rënies së komunizmit, momentin kur shumë shqiptarë u larguan me ambasadat, po ashtu dhe hebrenjtë që ishin në Shqipëri, shkuan në Izrael dhe kjo ndodhi në '91-shin.
Por, nuk ka patur ambasadë të Izraelit në Shqipëri për aq kohë sa Izraeli nuk e konsideronte Shqipërinë si një vend të denjë për miqësi totale me Izraelin. Dhe Izraeli donte prova që Shqipëria ishte vend total pro-izraelit dhe kjo ndodhi me Sali Berishën, ta dinë shqiptarët. Në shtator 2011 bëhesh, si çdo vit, konferenca vjetore, sesioni vjetor në OKB në Neë York. Jemi pra në kohën kur Berisha kryeministër është atje në OKB dhe ai, Berisha mban në OKB një fjalim ku i thotë copë palestinezëve që është ende herët për juve të kërkoni të bëheni anëtarë të OKB-së, para një kohe sa nuk ka një njohje reciproke edhe për Izraelin nga bota arabe. Këtë trimëri pra, Shqipëria e asaj kohe, i kundërvihej një aksensioni, pra një futje të shpejtë të Palestinës si shtet në OKB, pa përmirësuar marrëdhëniet me Izraelin.
Po ashtu, duhet përmend, Shqipëria votonte, nuk votonte për futjen e Palestinës në OKB. Imagjinoni ta bënte Berisha atë gjë? Shqipëria vend i konferencës islamike. Nuk kishte shenjë më të qartë të një miqësie totale të Shqipërisë me Izraelin dhe kjo ndodhi nën Berishën. Fill pas saj, Berisha ftohet në Izrael, vizitë zyrtare nëntor 2011, e pret Netanyahu, mban një fjalim të madh në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtme të Izraelit, Berisha, bëhet që i jepet dhe një medalje dhe ishte ai moment kur Izraeli vendosi të hapë ambasadën në Tiranë, e cila erdhi në 2012-ën. Kjo është historia, nuk është Edi Rama. Pra Edi Rama thjesht vë një gur më shumë dhe duhet një gur më shumë në murin e marrëdhënieve Shqipëri-Izrael, por themelet e asaj marrëdhënie janë vënë në kohën e Partisë Demokratike.
© SYRI.net