'Po na nxjerrin në rrugë', Tregtarët protestojnë para Bashkisë Vlorë: Jemi hallexhinj, tregu ishte e vetmja gjë që kishim!

08:32, 27/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dhjetëra tregtarë kanë braktisur ditën e sotme punën për të protestuar kundër largimit nga vendi ku ushtrojnë aktivitetin e tyre prej tre dekadash. Me një të ardhme të pasigurt, ata janë mbledhur para bashkisë, duke kërkuar një zgjidhje nga autoritetet vendore.

“Po na heqin pas 30 vitesh këtu. Ku të shkojmë? Jemi hallexhinj, me qira, me fëmijë, pa punë,” shprehet një prej protestuesve, duke përmbledhur dramën ekonomike dhe sociale me të cilën përballen shumë familje.

Protestuesit deklarojnë se kanë ndërprerë punën dhe janë në pritje të një takimi me kryetaren e bashkisë Vlorë, Bruna Mersini, për të marrë një shpjegim zyrtar për fatin e tyre.

Pavarësisht një takimi të zhvilluar mbrëmjen e kaluar, situata mbetet e paqartë dhe tensioni është në rritje. Skeptikë për një zgjidhje të shpejtë, tregtarët shprehen se ndihen të braktisur. “Çfarë zgjidhje do të japin këta?” pyet një tjetër protestues, ndërsa shton se ka mundësi për alternativa, por mungon vullneti.

LEXO EDHE: Bashkia njofton mbylljen e tregut në Vlorë/ Rreth 200 tregtarë në protestë: Votat na i morët, tani nuk na doni…

Ndërkohë, flitet për një projekt restaurimi të tregut, por vetë tregtarët pohojnë se nuk kanë asnjë informacion konkret

“Ne dëgjojmë fjalë, por askush nuk na tregon gjë”, përfundon ai, duke lënë të kuptohet se e ardhmja e tyre mbetet peng i një vendimi që ende nuk u është komunikuar.

Deklarata e tregëtarit:

"Po na heqin, na po na, 30 vjet atje. Ku të shkojmë? Jemi hallexhinj, jemi me qira, jemi me fëmijë, pa punë, pa gjë, ku do shkojmë. Presim të vijë kryetarja e bashkisë, të na japë justifikimin ç'do na thotë.

U pa puna, ku kemi ku të vemi? S'kemi ku të shkojmë. Çfarë zgjidhje do japin këta? Ka zgjidhje plot, ta bëjnë pjesë-pjesë atë brenda, po mos të na lenë kështu.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco