E ftuar në ‘Çim Peka LIVE’ në Syri Tv, aktivistja Ekleva Merko u shpreh se ndarja territoriale e vitit 2014 ishte hapi i parë i centralizimit të pushtetit nga Edi Rama, duke sjellë zbrazjen e qyteteve të vogla dhe përkeqësimin e shërbimeve për qytetarët.
Ajo theksoi se opozita duhet të bashkohet për largimin e Ramës dhe korrupsionit.
Merko akuzoi qeverinë për keqqeverisje, duke përmendur mungesën e ujit në Sarandë gjatë sezonit turistik, kostot e larta për qytetarët e Delvinës për të marrë shërbime dhe favorizimin e klientelistëve.
Aktivistja tha se zgjedhjet e fundit nuk ishin të lira dhe administrata u përdor në funksion të pushtetit.
Pjesë nga intervista:
Unë, në fakt, shoh që problemi ka lindur që në 2014-ën, me ndarjen e parë territoriale të Shqipërisë, ku kemi minimizimin dhe heqjen e komunave, minimizimin e bashkive dhe, automatikisht, reduktimin e numrit të popullsisë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Sepse, në momentin që ti je në një qytet të vogël dhe shërbimin nuk e merr njësoj si në një qytet tjetër, do të shpërngulesh për një jetë më të mirë. Automatikisht, këtu kemi edhe pjesën e shpërnguljes së qytetarëve nga shumë qytete të Shqipërisë dhe kemi ato problematika që ne kemi sot në arsim, në pjesën e bujqësisë. Pra, çdo problematikë, mendoj, vjen nga kjo.
Kjo ka qenë e qëllimshme, sepse, duke pasur një numër të reduktuar qytetarësh, ai e kishte më të thjeshtë për të mbajtur në administratë një pjesë të punonjësve dhe për t'i përdorur, siç i përdor çdo herë, për çdo fushatë elektorale. Pra, edhe kjo është një mënyrë për ta centralizuar dhe për ta fokusuar përsëri produktin e vet, për të ngjyrosur me ngjyrën lejla gjithë Shqipërinë.
Pra, ai po merr hapat për zgjedhjet e radhës, kështu që unë mendoj se ai thotë: "Unë jam vetë kryeministri, vetë... ai që ndryshon algoritmin", pra jam mbreti i Shqipërisë. Gjë që duhet të ndryshojë realisht.
Po si duhet të ndryshojë? Këtë duhet ta gjejmë të gjithë së bashku. Opozita duhet bërë bashkë. Unë pashë që edhe sot, te protesta, ne ishim jashtë Parlamentit që protestonim, ndërkohë që opozita protestonte brenda Parlamentit. Kjo është një gjë e mirë. Kauza ishte e përbashkët. Të gjithë jetojmë në Shqipëri, të gjithë e duam Shqipërinë të jetë më e mirë se çfarë e kemi pasur këto 13 vite, kështu që duhet bërë bashkë për ta ndryshuar këtë mënyrë, këtë politikë të përqendrimit në një dorë të vetme të qeverisë Rama.
Pra, ka ardhur koha që ne të fokusohemi dhe të gjejmë politikat dhe mënyrat e duhura për ta larguar nga pushteti anti-shqiptarin Rama.
Në momentin që ne, në çdo artikulim që dalim dhe flasim, kemi termin "Rama jep dorëheqjen", automatikisht qëllimi është i përbashkët dhe arsyeja është vetëm një: largimi i pushtetit të Ramës. Largimi i korrupsionit.
Ne pamë në zgjedhjet e fundit që zgjedhjet nuk ishin të ndershme, ishin me banda kriminale, me administratën në terren. Ne shohim edhe sot e kësaj dite, siç e tha edhe profesori, që algoritmi dhe faqe të pafundme fake na sulmojnë në të gjitha rrjetet tona sociale, duke na nxjerrë dhe duke na thënë çfarëdolloj gjëje të paqenë.
Pra, ai, bashkë me qeverinë e tij, nuk po punon për ndërtimin e turizmit, sepse ne jemi në sezonin e turizmit dhe Saranda, para disa ditësh, ka qenë pa ujë. Është një qytet bregdetar dhe pa drita. Pret turistë nga vendet më të ndryshme dhe nuk ka turp i zoti: nuk ka ujë, nuk ka infrastrukturë.
U ndërtua terminali i autobusëve, ndërkohë që është vetëm një agjenci autobusësh, ajo e nënkryetarit të Bashkisë së Sarandës, që e menaxhon dhe, përsëri, nënkryetari ka edhe pjesën e taksive që janë te terminali i autobusëve.
Ndërkohë që një qytet i vogël, që nga ndarja territoriale e ka pësuar para disa vitesh dhe vazhdon që qytetarët ta kenë në kurriz, është qyteti i Delvinës, ku qytetarëve u duhet të marrin shërbime të përditshme në qytetin e Sarandës. Tarifat, kostoja e pagesës që ata paguajnë, është dyfish, sepse u duhet që nga Delvina për në Sarandë të marrin një autobus, të zbresin te terminali dhe pastaj të marrin një autobus tjetër, me një kosto tjetër, për të shkuar në qendër të Sarandës.
Pra, shpenzim dyfish për qytetarë të cilët jetojnë me pensione, për njerëz që kanë një ndihmë ekonomike qesharake, për njerëz që i kanë pagat shumë të ulëta dhe detyrohen të punësohen, të kenë një punësim sezonal në qytetin e Sarandës dhe të paguajnë më shumë koston e rrugës sesa pagën që ata përfitojnë nga puna që bëjnë në përditshmëri.
Ndërkohë që qeveria favorizon dhe mendon vetëm për klientelistët e vet. Pra, po fokuson përsëri përqendrimin e pushtetit të vet vetëm në disa qytete, për të marrë përsëri votat dhe për t'i përdorur përsëri administratat në zgjedhjet e radhës.
Dhe kjo është e turpshme, sepse qytetarët duan shërbim. Në momentin që ti je një taksapagues i rregullt i Republikës së Shqipërisë, ti duhet të kesh një shërbim të mirë; siç paguan, duhet të marrësh edhe shërbime.
Ndërkohë që ne kemi arsimin, i cili është për faqe të zezë. Ne kemi spitalet, të cilat ne i shohim ditë pas dite dhe themi: "Mos të shkofsh të vdesësh në spitalet tona."
Atëherë, përse nuk merren pikërisht me problematikat që qytetarët kanë, por merren me algoritmin e protestës? Ata qytetarë që kanë dalë në shesh, kanë dalë pikërisht për të gjitha këto problematika.
© SYRI.net