Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka denoncuar me tone të ashpra nga ambientet e Komisariatit nr. 1 në Tiranë, arrestimin dhe dhunimin e një fëmije 10-vjeçar nga forcat e policisë pas protestës së opozitës këtë të shtunë, 24 janar. Sipas tij, ngjarja skandaloze tregon brutalitetin e një regjimi në ditët e tij të fundit.
Duke folur për mediat, Xhaferri tregoi se fëmija ishte marrë nga policia, ishte futur në makinë dhe sipas dëshmisë së vetë 10-vjeçarit, ishte dhunuar fizikisht. Ai u gjet në një gjendje të rëndë psikologjike, "i shokuar dhe i paaftë të mbante mend as numrin e telefonit të prindërve", tha deputeti, duke shtuar se fëmija kishte frikë se do të dhunohej përsëri.
Xhaferri akuzoi policinë për shkelje të rënda të procedurave, duke theksuar se për më shumë se dy orë, fëmija ishte mbajtur në komisariat pa u njoftuar shërbimet sociale, psikologu apo prindërit e tij. “Me sa duket këta policë nuk kanë fëmijë, nipa apo mbesa. Janë thjesht robotë që i shërbejnë Edi Ramës,” deklaroi ai.
Deputeti demokrat bëri një paralele të fortë mes ngjarjes dhe regjimit komunist, duke e krahasuar atë me represionin e vitit 1990 ndaj studentëve. “Asgjë nuk e ndan regjimin e Edi Ramës nga regjimi i Ramiz Alisë,” u shpreh ai, duke shtuar se brutaliteti është simptomë e fundit të regjimit. I pyetur se çfarë vepre penale mund të kishte kryer fëmija, Xhaferri u përgjigj ironikisht se "krimi" i tij ishte një shëtitje apo pjesëmarrja në protestë.
Partia Demokratike, përmes zërit të Xhaferit, u zotua se do t'i dalë zot fëmijës dhe të gjithë të rinjve të shoqëruar, duke premtuar se kushdo që ka prekur minorenë "do të shkojë në kokërr të burgut". Deklarata vjen në një kohë kur dhjetëra protestues, shumica të rinj dhe studentë, janë shoqëruar në disa komisariate të kryeqytetit.
Gjëja më skandaloze është që një 10-vjeçar, siç e kanë kapur edhe mediat më parë, është marrë, është futur në makinë dhe sipas 10-vjeçarit është dhunuar fizikisht në makinë nga policia. Është dhunuar dhe nga policët civilë këtu dhe ishte në një gjendje të shokuar psikologjike, ku nuk mund të fliste, nuk mund të mbante mend as numrin e telefonit të prindërve të tij dhe kishte frikë se do dhunohej përsëri.
Pasi i garantuam që atë nuk do e preki njeri me dorë, aty pastaj filloi dhe normalisht situata konfliktuale me policinë, që skandali është si mund të kenë dhunuar një, një 10-vjeçar. Por në të njëjtën kohë si mundet një 10-vjeçar prej më shumë se dy orësh të rrijë në atë komisariat pa u lajmëruar punonjësi i shërbimeve sociale, pa u lajmëruar një psikolog, pa u lajmëruar prindërit e tij. Por me sa duket këta policë nuk kanë fëmijë, nuk kanë nipër, nuk kanë mbesa. Janë thjesht robotë që do i shërbejnë Edi Ramës.
Komisariatet janë plot me studentë, janë me nxënës gjimnazi, janë plot me të rinj dhe asgjë nuk e ndan regjimin e Edi Ramës nga regjimi i vitit '90 të Ramiz Alisë që i sakatonte studentët kur ata çoheshin në protestë. Por normalisht kur një regjimi i vjen fundi, këto janë simptomat e para të brutalitetit dhe agresivitetit që do tregojnë.
Normalisht vepra penale e atij 10-vjeçari është që ka bërë shëtitje apo mund të ketë qenë pjesë e një proteste dhe kjo është krim sot. Në regjimin e Edi Ramës kjo quhet krim sot, sipas ligjit që Edi Rama ka në kokën e tij. Megjithatë ne do i dalim zot dhe atij 10-vjeçari, do i dalim zot. Ne do i dalim zot jo vetëm 10-vjeçarit, do i dalim zot të gjithë të rinjve të cilët me patjetër duhet të jenë të sigurt që Partia Demokratike nuk do i lëri vetëm, avokatët e Partisë Demokratike nuk do i lëri vetëm dhe kushdo që e ka thyer ligjin, nga të gjithë ata individë që kanë prekur fëmijë, kanë prekur minorenë, do shkojnë në kokërr të burgut.
Ky regjim do bjerë. Kjo është gjëja më e sigurt që të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë sot. Ky regjim do rrëzohet. Këtij regjimi i ka ardhur fundi dhe sot patjetër po shohim simptomat e tyre të fundit, të agresivitetit dhe brutalitetit që vetëm kriminelët dhe fëmijët e etërve komunistë mund ta arrinin dhe t'i bëheshin. Se të arrestosh një 10-vjeçar, këtë s'e kishim parë deri më sot.
© SYRI.net