Koncesioni i sterilizimit, Hoxhaj: Privati shfrytëzoi asetet e shtetit për të vjelë 156 milionë euro

Koncesioni i sterilizimit, Hoxhaj: Privati shfrytëzoi asetet e shtetit për të vjelë 156 milionë euro

21:13, 21/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Koncesioni i sterilizimit vazhdon të mbetet një nga plagët më të mëdha financiare për buxhetin e shtetit shqiptar, i cilësuar tashmë nga Gjykata e Posaçme si vepër e një grupi të strukturuar kriminal.

I ftuar në emisionin ‘Kush Paguan’ në Syri Tv, nën moderimin e Klaudja Karabolli, gazetari dhe autori i emisionit investigativ ‘Plug’, Julian Hoxhaj tha se kjo është hera e parë në historinë e prokurimeve publike në Shqipëri që një kontratë e tillë merr një cilësim kaq të rëndë ligjor, duke lënë pas një dëm kolosal financiar dhe shumë pikëpyetje për të ardhmen e menaxhimit të këtij shërbimi.

Ndërkohë që pronarët e koncesionit "SaniService" ndodhen prapa hekurave, qeveria ka vendosur krijimin e një operatori të ri shtetëror, një lëvizje që Hoxhaj e sheh me skepticizëm. Kompania e re, një Shoqëri Anonime (SH.A.), nis rrugëtimin me një kapital fillestar prej 2 milionë eurosh nga buxheti i shtetit. Për gazetarin, ky kapital është krejtësisht i panevojshëm, pasi investimet për pajisjet e sterilizimit janë kryer prej vitesh dhe shteti zotëronte infrastrukturën e duhur qysh para se të firmosej koncesioni famëkeq.

Ironia e kësaj afere qëndron në faktin se koncesionari privat, i cili qarkulloi rreth 156 milionë euro gjatë periudhës së operimit, shfrytëzoi pikërisht asetet e shtetit për të vjelë këto para. Autoklavat dhe ambientet në QSUT, Spitalin e Traumës dhe atë të Durrësit iu dorëzuan privatit, i cili jo vetëm që përdori infrastrukturën publike, por sipas raporteve të KLSH-së, shkaktoi dëme shtesë duke mos paguar as energjinë dhe as ujin e harxhuar.

Dëmi i llogaritur nga SPAK arrin në 100 milionë euro neto, një shumë marramendëse e cila sipas gazetarit, është paguar drejtpërdrejt nga qytetarët shqiptarë. Kostoja për një set kirurgjikal në Shqipëri arriti në 300 euro, një shifër absurde krahasuar me vendet e tjera si Britania e Madhe, ku kostoja maksimale shkon rreth 50 paund.

Pavarësisht kërkesës së Gjykatës së Posaçme për ndërprerjen e kontratës, qeveria zgjodhi të vazhdojë pagesat, duke shpërndarë dhjetëra milionë euro të tjera edhe pas vendimit të gjykatës. Me krijimin e operatorit të ri, duket se skema e pagesave nga buxheti nuk do të ndalet. Ndonëse kostot mund të jenë pak më të ulëta se 19 milionë eurot vjetore të viteve të fundit, thelbi mbetet i njëjtë: shteti po paguan për të ri-blerë një shërbim që mund ta ofronte vetë.

Një autoklavë e blerë që në vitin 2011 për 1 milion euro, qëndroi stok pa u vënë në punë derisa iu fal privatit, duke dëshmuar se qëllimi nuk ishte mungesa e kapaciteteve, por kanalizimi i fondeve publike drejt llogarive private.

Koncesioni i sterilizimit, për herë të parë në historinë e prokurimeve publike shqiptare të hetuara nga Prokuroria e Posaçme dhe nga Gjykata e Posaçme, është cilësuar si aferë e një grupi të strukturuar kriminal. E dyta aferë e grupit të strukturuar kriminal është ajo e dosjes së Check-up-it. E para është kjo. Jo nga prokuroria nga SPAK, por nga Gjykata e Posaçme, që janë detaje që mund t'i shpjegojmë. Tani, krijimi i operatorit të shërbimeve shëndetësore, pra që do të marrë në pronësi, po themi, koncesionin e sterilizimit, është bërë në mënyrë të tillë që të marrë përsëri para nga buxheti i shtetit. Që nga themelimi, kjo kompani do të ketë në dispozicion 2 milionë euro kapital. Që nuk i ka të nevojshme. Sepse nuk ka për të kryer asnjë lloj investimi më, sepse investimi është kryer që para 10 vitesh.

Kompania që mori koncesionin e sterilizimit, SaniService, pronarët e së cilës sot janë në pas hekurave, është kompani e cila e mori asetin nga shteti shqiptar. Pra, mori autoklavat që ndodheshin në QSUT. Madje, mori në shërbim të saj, mori edhe ambientet. Pra, në QSUT mori ambientin ku ndodhej autoklava dhe e vuri në punë për të kryer sterilizimin. Në institucione të tjera spitalore, për shembull në Spitalin e Traumës, në Spitalin e Durrësit, ndodhi e njëjta gjë. Dhe kjo kompani, madje i shkaktoi dëm buxhetit të shtetit, jo vetëm me sterilizimin, por i shkaktoi dëm sepse përdori energjinë, ujin dhe nuk e pagoi këtë, dhe këto i ka gjetur KLSH. Pra, kompania që po krijohet do të marrë asetet të cilat shteti i kishte, ia dha për 10 vjet në përdorim koncesionarit privat, për të qarkulluar 156 milionë euro. Që është dëm drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve shqiptarë. Kjo e thënë nga Prokuroria e Posaçme, 100 milionë euro dëm.

Tani, për çfarë i duhet një kompani qeverisë, ndërkohë që ashtu siç e tha doktori, shteti mund të marrë asetet, t'i vërë në punë, ka stafin dhe personelin, janë po të njëjtët njerëz që kanë punuar në spitale, kanë bërë edhe gjatë kësaj periudhe 10-vjeçare, kanë bërë po sterilizimin e pajisjeve mjekësore, pra të pajisjeve kirurgjikale. Pra nuk është e nevojshme. Nga pikëpamja e menaxhimit mund ta bëjnë shumë mirë spitalet dhe me kosto shumë herë më të ulëta. Mjafton që shteti këto para, sikur 2 milionë euro që ka dhënë vetëm për kapitalin e kompanisë, themelimin e saj, t'ua japë shpërblime dhe paga personelit të spitaleve dhe i motivon, dhe sigurisht që ata e kryejnë shumë mirë këtë shërbim. Ajo që është e rëndësishme është që nga ky koncesion, ose është i pari po themi, e para aferë e hetuar, ne kemi kuptuar që qytetarëve shqiptarë u janë vjedhur para. Pra në mënyrë të drejtpërdrejtë u janë vjedhur para. 300 euro një set kirurgjikal nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në asnjë vend të botës.

Anglia, për shembull, në dijeninë time e ka maksimumi 50 euro në varësi po themi të ndërhyrjes, të nivelit të ndërhyrjes kirurgjikale. Pra kostoja mund të shkojë deri në 50 paund në Britani, ndërkohë që vendet e tjera e kanë shumë herë më të lirë. Tek kosto financiare dhe në hetimet e SPAK, afera e sterilizimit është cilësuar e tillë, me një dëm neto buxhetit të shtetit prej 100 milionë eurosh. Gjykata e Posaçme kërkoi që kjo aferë, kjo kontratë të ndërpritej. Ka qenë vetë kryeministri që nuk e anuloi. Por një ditë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, ka shkuar në një nga spitalet, mos gaboj te Shefqet Ndroqi dhe ka thënë që kontrata do të vijojë dhe ajo ashtu ndodhi.

Pra kontrata prej 3 vitesh pas vendimit të gjykatës vijoi dhe janë paguar edhe disa dhjetëra milionë euro pas asaj dite. Dhe do vijojnë. Të vjedhura. Shteti do ta ketë administrimin, është krijuar një SH.A. Pra shoqëri aksionere me përgjegjësi të kufizuar që, si shoqëritë publike që kanë, po them unë, Ujësjellësi, KESH-i e të tjera e të tjera. Dhe normalisht, qëllimi i vetëm në këndvështrimin tim është që kjo shoqëri po krijohet për të disbursuar fonde nga buxheti i shtetit për sterilizimin. Pra, ndoshta kostot nuk do të jenë 10 deri në 15 milionë euro në vit, në të paktën dy vitet e fundit ka shkuar deri në 19 milionë euro, por mund të jenë pak më të vogla, por përsëri shteti po na paralajmëron se do vijojë të paguajë me para një proces që nuk ka nevojë ta paguajë. Sepse e bën pikërisht spitali Nënë Tereza me një infrastrukturë që ka kushtuar vetëm 1 milion euro. Autoklava e ndërtuar në vitin 2011, që ngeli pa u vënë në punë, ka ngelur për rreth 800 mijë euro investim, trajnim stafi dhe përgatitjen e ambientit për ta vënë në funksion. Dhe u mor dhe iu fal pikërisht koncesionarit. Koncesionari e mori dhe sot kemi të zhdukura 156 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco