Familja Hysenaj në Kukës rrezikon jetën nga rrëzimi i malit, kryetari i PD Kukës: Shteti duhet të reagojë menjëherë

09:34, 21/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Katër vëllezërit Hysenaj në fshatin Cërnalevë të Kukësit, së bashku me bashkëshortet, fëmijët e tyre të vegjël dhe dy prindërit e moshuar, kanë kaluar tashmë tetë ditë të mbushura me frikë dhe pasiguri pas një rrëshqitjeje të madhe të malit që ndodhet mbi banesat e tyre.

Situata ka krijuar një kërcënim të vazhdueshëm për jetën e tyre, pasi rrëshqitja e baltës, dherave dhe pemëve ka mbërritur pranë hyrjes së shtëpive, duke lënë të gjithë familjen në një rrezik të drejtpërdrejtë.

Kreshnik Hysenaj, njëri prej vëllezërve, shpjegon se kjo situatë lidhet me një hidrocentral të ndërtuar në vitin 2015 në zonë.

Grumbullimi i ujit nga ky hidrocentral, për shkak të mosdrenazhimit të tokës në faqen e sipërme të malit, ka shkaktuar rrëshqitjen e dherave dhe rrënjëve të pemëve, të cilat tani kërcënojnë banesat e tyre. Rrëshqitja vijon të jetë aktive dhe ka mbajtur zonën në një pasiguri të vazhdueshme.

"Situata është e frikshme, jemi çdo ditë me sytë nga mali, duke pritur që ai të mos rrëshqasë më shumë dhe të na rrezikojë jetën," – shprehet Kreshnik Hysenaj.

Përveç kërcënimit të vazhdueshëm të rrëshqitjes, katër familjet që jetojnë në këtë zonë janë të bllokuara, pasi rruga që çon drejt banesave të tyre është bllokuar.

Edhe aksi kryesor malor, që lidh Borjen dhe Cërnalevën me qytetin e Kukësit, është i pamundur për t'u përdorur.

Për të shkuar në Kukës, banorët janë të detyruar të përdorin një rrugë ndërlidhëse shumë më të gjatë, që kalon përmes Borje–Krushevë–Shishtavec, një itinerar shumë i vështirë dhe i ngadalshëm.

Për vetë Kreshnikun, udhëtimi në qytet është një sfidë më vete: "Për të shkuar deri në Borje, më duhet të ecë në këmbë për më shumë se një orë dhe pastaj të pres ndonjë mjet të rastësishëm që mund të më çojë në Kukës," – thotë ai.

Kryetari i degës së PD-së Kukës, Rrahman Demaj, që ka vizituar terrenin për të parë nga afër situatën, deklaron se deri tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje konkrete nga autoritetet për stabilizimin e terrenit apo për zhvendosjen e familjeve në një zonë më të sigurt.

Pasiguria e banorëve të fshatit vazhdon të mbetet e lartë, ndërkohë që situata është bërë më e rëndë çdo ditë.

"Ditët po kalojnë dhe frika jonë është gjithnjë e më e madhe. Mali duket sikur afrohet çdo ditë më shumë dhe ne nuk dimë çfarë do të ndodhë nesër," – përfundon Kreshnik Hysenaj.

Në këtë situatë, familja Hysenaj dhe katër familjet e tjera që jetojnë në këtë zonë, janë të pafuqishëm për të përballuar rrezikun që u kanoset, duke pritur një ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të siguruar jetën dhe pasuritë e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco