Kryeministri Edi Rama u shfaq sërish para rektorëve të universiteteve për të folur për “reformë” në arsimin e lartë, duke pranuar se ligji aktual ka nevojë për ndryshime. Pas më shumë se një dekade në pushtet, Rama zbulon sot se arsimi i lartë nuk funksionon – një problem që mban firmën e qeverive të tij.
Në Konferencën e Rektorëve, kryeministri paralajmëroi korrektime në ligjin e arsimit të lartë, duke insistuar se nuk bëhet fjalë për përmbysje, por për ndërhyrje të shpejta teknike. Një gjuhë e njohur, e përdorur sa herë dështimi bëhet i pamohueshëm.
Ndërsa Rama flet për “modernizim” dhe “integrim europian”, realiteti i arsimit shqiptar përshkruhet ndryshe nga dëshmia e ish-zëvendësministrit të Arsimit, Taulant Muka, i cili qëndroi vetëm 10 ditë në detyrë në vitin 2018, përpara se të largohej pas denoncimeve për plagjiaturë dhe korrupsion akademik.
Sipas Mukës, Ministria e Arsimit funksiononte pa rregulla, pa protokoll dhe pa përgjegjësi. Vendimet merreshin në WhatsApp dhe në kafe, jo në institucione. Administrata ishte e paralizuar, jo nga paaftësia, por nga mungesa e vullnetit për të ndryshuar një sistem të kalbur.
Muka denoncon se në pozicione kyçe ishin vendosur persona me probleme me ligjin, madje edhe figura që duhet të luftonin diplomat false, ndërkohë që vetë dyshoheshin për to. Një tablo që hedh poshtë çdo pretendim për reformë serioze.
Ai tregon se e kuptoi shpejt se roli i tij ishte thjesht dekorativ dhe se çdo përpjekje për meritokraci shihej si kërcënim. Pas largimit, sipas Mukës, reagimi i vetëm ishte një telefonatë agresive nga vetë kryeministri Rama, e mbushur me fyerje.
Nga kjo përvojë, Muka arrin në një përfundim të rëndë: Shqipëria qeveriset përmes fasadës dhe propagandës, ndërsa dija dhe mendimi kritik trajtohen si armiq. Një sistem që promovon mediokritetin dhe ndëshkon profesionalizmin.
Në këtë kontekst, nuk është rastësi që Shqipëria kryeson listat për largimin e trurit në Europë. Intelektualët po ikin, universitetet po zbrazën dhe arsimi po degradon, ndërsa kryeministri vazhdon të flasë për “ndërkombëtarizim”.
Prandaj, paralajmërimet e Ramës për ndryshime në ligjin e arsimit të lartë nuk janë lajm i mirë, por kambanë alarmi. Sepse një kryeministër që ka shkatërruar sistemin nuk mund të paraqitet sot si shpëtimtari i tij.
© SYRI.net