Arratisja e Ndocit, Maliqi: E planifikuar, është një dorë mafioze, kriminale, zinxhir... të hetojë SPAK

15:24, 14/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Arratisja e të burgosurit me rrezikshmëri të lartë, Altin Ndoci, nga spitali i Durrësit nuk ishte një akt i thjeshtë neglizhence, por një operacion i mirëorganizuar dhe i planifikuar në detaje. Ish deputeti Lefter Maliqi i ftuar ne edicionin e pasdites në Syri tv me gazetarin Arnold Kariqi, e cilësoi ngjarjen si një "arratisje të ftohtë, të qetë dhe të mirë organizuar".

Sipas Maliqit, largimi i Ndocit, i akuzuar për vrasje dhe i arrestuar në kuadër të operacionit "Plumbi i Artë", është pjesë e një zinxhiri të krimit të organizuar ku janë të përfshirë "banditë brenda e jashtë burgut, drejtues të burgjeve e deri tek vetë IEVP-ja e Durrësit". Gjatë një interviste televizive, ai theksoi se janë shkelur të gjitha protokollet e sigurisë "nga koka te këmbët".

Ai shpjegoi se për transferimin e një të burgosuri me rrezikshmëri të lartë, siç ishte Ndoci, procedura kërkon një zinxhir miratimesh që kalojnë përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe njoftimin e Policisë së Shtetit. Më tej, shoqërimi i personave të tillë duhet të kryhej nga forcat speciale të burgjeve (DAP), gjë që dukshëm nuk ka ndodhur.

Një tjetër pikë dyshimi e ngritur nga ish-zyrtari i lartë është vetë fakti se përse Ndoci ishte transferuar në paraburgimin e Durrësit, një institucion me nivel sigurie më të ulët se të tjerët. "Pse ky qenka në paraburgimin e Durrësit ku siguria është më e ulët? Kjo do të thotë që korrupsioni ka filluar këto dy-tre muaj. Pra, ka gjetur vendin se ku do vinte, spitalin, makinën që e priste e të gjitha me radhë," deklaroi Maliqi, duke sugjeruar se arratisja ishte planifikuar prej kohësh.

Ai bëri thirrje që SPAK të hetojë ngjarjen duke sekuestruar celularët e të gjithë hallkave zinxhir, që nga Drejtori i Përgjithshëm e deri te personeli i përfshirë, për të zbuluar të vërtetën. Duke e krahasuar rastin me atë të personazheve të tjerë të njohur si Ervis Martini, të cilët shoqëroheshin me forca të shumta policore, ai theksoi se mungesa e masave të sigurisë për Ndocin ishte e qëllimshme.

Në përfundim, Maliqi e përshkroi ngjarjen si dëshmi të një "dore mafioze, kriminale" dhe një "ndërhyrjeje shumë të fortë nga lart", duke e lidhur atë me një rënie të përgjithshme të sigurisë në sistemin e burgjeve dhe në të gjithë vendin.

Arnold Kariqi: Shikues të nderuar, do të jemi tashmë në hapësirën e intervistës për t'u fokusuar tek zhvillimet e aktualitetit. Sigurisht, arratisja spektakolare e ditës së djeshme nga spitali i Durrësit i të burgosurit Altin Ndoci, por jo vetëm. Do të jetë në fokus të intervistës me ish-deputetin, i cili dhe ish-zëvendës drejtor i Përgjithshëm i burgjeve, Lefter Maliqi. Zoti Maliqi, përshëndetje.

Lefter Maliqi: Përshëndetje dhe kënaqësi.

Arnold Kariqi: Një arratisje spektakolare ajo e djeshme, në fakt. Zoti Maliqi, sepse nuk është se duam të bëjmë politikë, por si ka mundësi që shtetit i ikën një i burgosur me rrezikshmëri të lartë, i akuzuar për vrasje, i dënuar, ëh, në fakt ishte paraburgim, del nga autoambulanca pa pranga. Si e patë gjithë atë skenën e djeshme? Vërtetë u iku nga pakujdesia apo mund të mendojmë për diçka tjetër?

Lefter Maliqi: Tani, unë ju flas edhe si ish-zëvendës drejtor i burgjeve, por dhe si ish-drejtues policie në veri dhe në jug të Shqipërisë, edhe si ish-anëtar i komisionit të Sigurisë Kombëtare prej shtatë vitesh. Kjo nuk ishte një arratisje spektakolare. Kjo ishte një arratisje e ftohtë, e qetë, e mirëorganizuar, në një zinxhir krimi të organizuar, që po të hetohet dalin, për mua dalin banditë, brenda burgut, jashtë burgut, drejtues të burgjeve, deri tek IEVP-ja e Durrësit. Në rastin konkret, unë s'mund ta akuzoj që t'i them që është vrasës me pagesë derisa gjykata t'i japë vendimin final, por di që një operacion i Plumbit të Artë, që është bërë para disa vitesh, e kanë arrestuar për shkak të të penduarit të drejtësisë, Dumanit të vogël, se Dumani i madh ishte kreu i SPAK-ut.

Tani, meqënëse thashë, kam qenë zëvendës drejtor i Përgjithshëm i burgjeve, ka një protokoll që është shkelur nga koka te këmbët. Çdo i paraburgosur dhe i burgosur në të gjithë IEVP-të e Republikës së Shqipërisë, pra në të gjithë paraburgimet dhe burgjet e Shqipërisë, kur kanë shqetësime shëndetësore, atëherë infermieri dhe mjeku, sepse çdo burg, IEVP ka të atashuar mjek dhe infermier, konstaton sëmundjen dhe në qoftë se është për te spitali i burgut, dërgohet tek spitali i burgut. Nëse nuk është për te spitali i burgut...

Arnolad Kariqi: Po kish bërë një sqarim Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që mjeku kishte thënë duhet të shkojë në një kardiolog...

Lefter Maliqi: Sqarimi është ky. Pra, bëhen shkresat kur thonë që mjeku thotë, bëhen shkresat, ciklohen nga administrata e IEVP-së, në rastin konkret në Durrës dhe vihet në dijeni përgjegjësja e shëndetësisë apo përgjegjësi i shëndetësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ciklohet edhe nga drejtori i policisë së burgjeve dhe në anën ligjore në një komision, bëhen të gjitha shkresat, ciklohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i burgjeve, i cili autorizon IEVP-të për zbatim, duke njoftuar policinë rajonale.

Në rastin konkret për elementë me rrezikshmëri të lartë kriminale dhe shoqërore, njoftohet dhe Policia e Shtetit. Dhe shoqërimi bëhet me forca të shumta të DAP-it. Po, DAP-i është forcat operacionale të burgjeve që janë të atashuara pranë SPAK-ut. Pra janë forcat operacionale të burgjeve.

Arnold Kariqi: Pra njoftohen dhe ata që t'i mbështesin.

Lefter Maliqi: Njoftohen ata sepse është person me rrezikshmëri. Nuk është një person që është i dënuar për falsifikim, sepse ky person mund të vritet edhe nga rivalët kur vete në për të vizituar spital. Pra, përbën rrezikshmëri jo vetëm arratisje por edhe... Dhe tani këtu kemi pakujdesi në thonjëza të policëve fatkeq që rrinë me 50-60.000 lekë rrogë, që u futën që u pezulluan dhe u morën, u arrestuan, apo një zinxhir.

Tani, të gjithë shqiptarët duhet të kuptojnë, ka rënë siguria në burgje, ka rënë siguria në vend, ka rënë siguria kudo në Shqipëri. Dhe për mua SPAK-u duhet që t'i merrte të gjithë celularët, që nga Drejtori i Përgjithshëm, të gjitha hallkat zinxhir e burgjeve, shëndetësisë, policisë e të gjitha me radhë, për të zbuluar të vërtetën. Tani, si ka mundësi, para një jave, pamë me çizme Lamallarin e drejtësisë, sepse bëri një show, siç bëjnë show dhe këta ministra që vajtën tani për fatkeqësitë e njerëzve në jug, sidomos të Shqipërisë, u përmbyt kati i parë.

Atëherë mbas kësaj përmbytje, çfarë mase sigurie ishin te burgu, te burgu i Durrësit? Dhe hetimi fillon. Ky kriminel po themi ne, i dyshuar për krime të rënda, Ndoci, ky ku ka qenë para se të ishte në Durrës? Pra, në qoftë se ky ka qenë në një IEVP tjetër, pra në një burg tjetër, se mund të ishte te 302-shi, mund të ishte te 313-a ku siguria është e lartë, pse ky qenka në paraburgimin e Durrësit ku siguria është më e ulët? Do të thotë, meqënëse ka ikur tani, i bie që ka filluar korrupsioni këto dy-tre muaj. Pra, ka gjetur vendin se ku do vinte, spitalin, makinën që e priste e të gjitha me radhë. Sepse edhe personi me makinë luksoze që e priti, është pjesë e krimit dhe ai ka frikë, por ai, që mund të jetë dhe ky paguesi, ky e ka ditur që s'ishte njoftuar Policia e Shtetit. Se si ka mundësi për një person me rrezikshmëri të lartë, më fal, nuk njoftohet policia rajonale. Kemi rastin e Ervis Martinit, pra, kur vajti në spital. U shoqërua nga Policia e Shtetit, forcat operacionale, të gjitha me radhë. Kemi rastin dhe të Tan Dajtit e të gjitha me radhë. Pra, janë shoqëruar me forca të shumta policie.

Në rastin konkret, me një fjalë, këtu duket që është një dorë mafioze, kriminale, zinxhir….

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco