Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, në një intervistë për mediat ka folur mbi protestën e paralajmëruar për datën 24 janar, duke theksuar se objektivi kryesor i opozitës mbetet rrëzimi i qeverisë aktuale.
Bozdo u shpreh se Partia Demokratike e ka të qartë rrugën që po ndjek dhe se prej muajsh po punohet për ndërtimin e një fronti të përbashkët opozitar. Sipas tij, thirrja është për bashkim pa dallime, me qëllimin e vetëm largimin e asaj që ai e cilësoi si “regjimi i Edi Ramës”.
“Besoj se PD e ka të zgjidhur rrugën e saj. Jo sot, por prej muajsh tashmë, na takon të thërrasim në një front të përbashkët, pa dallim dhe me objektiv të vetëm, rrëzimin e regjimit të Edi Ramës”, u shpreh Bozdo.
Ai theksoi se kryetari i Partisë Demokratike ka vënë theksin tek bashkëbisedimi me qytetarët dhe angazhimi i drejtpërdrejtë me ta në prag të protestës.
“Këto ditë duhet t’i shfrytëzojmë për t’u ulur e për të folur me të gjitha grupet e interesit, me familjarët, jo vetëm për nevojën e pjesëmarrjes masive në protestën e 24 janarit, por edhe për t’u përgatitur për një protestë të vazhdueshme”, tha deputeti demokrat për OraNews .
© SYRI.net