Imuniteti i Ballukut/ Bardhi: PD dënon shkeljen e Rregullores nga Peleshi dhe zbatimin e urdhërit politik të Ramës për të penguar drejtësinë

17:15, 12/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas njoftimit të Niko Peleshit se Këshilli i Mandateve do të mblidhet më 28 janar 2026 për të shqyrtuar kërkesën e SPAK.

Sipas Bardhit, vendimi për ta mbledhur Këshillin fiks gjashtë javë pas paraqitjes së kërkesës nga SPAK përbën një bllokim të paprecedent dhe një akt të rëndë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste. Ai deklaroi se kjo zvarritje synon të mbrojë korrupsionin qeveritar dhe e cilësoi mazhorancën si “bunkerin e të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës”.

Në reagimin e tij, Bardhi theksoi se pengimi për gjashtë javë i shqyrtimit të kërkesës së SPAK nga Kuvendi ka cenuar hetimet, duke i dhënë, sipas tij, mundësi të pandehurës Balluku të tentojë prishjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për vullnet të hapur për të mbrojtur korrupsionin qeveritar, duke e lidhur zvarritjen e çështjes me, siç u shpreh, frikën se drejtësia po i afrohet vetë atij.

“Në emër të Grupit Parlamentar të PD, dënoj me forcë shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhrit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë,” përfundon reagimi i Bardhit.

Reagimi i plotë:

Pas kallëzimit penal për shpërdorim detyre nga Grupi Parlamentar i PD, sot pasdite Niko Peleshi ka njoftuar se do të mbledhë Këshillin e Mandateve në datën 28 Janar 2026, pra fiks 6 javë pasi SPAK ka paraqitur kërkesën. 

Ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste, që ka vendosur të jetë bunkeri i të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës. 

Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve. 

Edi Rama nuk fshihet më në vullnetin e tij për të mbrojtur korrupsionin qeveritar. Akte si këto, të diktuara nga tmerri se drejtësia po i afrohet më në fund atij vetë, tregojnë se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij. 

Në emër të Grupit Parlamentar të PD dënoj me forcë shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhërit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco