Për të katërtën ditë radhazi, aksi Qafë Plloçë-Qukës vijon të jetë e bllokuar.
Në vendin e quajtur Ura e Golikut është regjistruar sërish shkarje masivi dherash dhe inertesh në shtratin e rrugës, ndërsa po vijon pastrimi nga subjekti ndërtues.
Ky segment rrugor u shemb nga reshje e shiut, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Masivi i inerteve ra mbi një automjet që po qarkullonte në rrugë; për fat, drejtuesi i mjetit arriti të shpëtojë pa pasoja në njerëz, por ngjarja nxori edhe një herë në pah rrezikun serioz që paraqet kjo vepër infrastrukturore.
Aksi Qukës-Qafë Plloçë, i cili i ka kushtuar qytetarëve shqiptarë rreth 260 milionë euro, po shndërrohet në simbol të dështimit dhe abuzimit me fondet publike.
Rruga po shembet vazhdimisht, duke dëshmuar mungesë standardesh, planifikimi dhe kontrolli teknik dhe duke ngritur pikëpyetje se a janë investuar 260 mln eurot apo janë vjedhur.
Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, zv/kryeministrja Belinda Balluku deklaroi se të gjitha rrugët janë të hapura dhe të kalueshme, por nuk përmendi aksin Qukës–Qafë Plloçë. Në terren, situata rezulton krejt ndryshe.
Përballë kësaj situate, aksioni i pastrimit nuk mjafton për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Shembjet e përsëritura dëshmojnë se problemi është strukturor dhe i thellë, ndërsa heshtja institucionale vetëm sa e thekson më tej dështimin e një prej projekteve më të shtrenjta rrugore në vend.
© SYRI.net