‘Na lanë të mbytemi në ujërat e zeza’/ Rrëfimi tronditës i banores në Durrës për SYRI-n

10:22, 08/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Durrësi është nën pushtetin e ujit prej më shumë se 48 orësh, ku dhjetëra familje po përballen me një situatë dramatike.

Banesat e tyre janë përmbytur, duke i detyruar banorët të kalojnë netët në kushte të vështira, disa prej tyre jashtë në temperatura të ulëta, ndërsa të tjerët brenda shtëpive të pushtuara nga uji.

Në një lidhje të drejtëpërdrejtë nga terreni me gazetaren e SYRI-t, Albana Alia, banorët theksojnë se përveç dëmeve materiale, ata janë ndjerë të braktisur nga autoritetet, duke pretenduar se askush nuk u ka ardhur në ndihmë.

Zonat më problematike mbeten Durrësi i Ri dhe zona e Shkozetit, por përmbytje raportohen në shumë lagje të qytetit. Situata rrezikon të përkeqësohet edhe më tej, pasi emergjencat civile kanë lëshuar alarmin për një dalje të mundshme nga shtrati të lumit Erzen.

Në mes të kësaj situate kaotike, dëshmitë e banorëve janë tronditëse.

Një zonjë e moshuar tregon me lot në sy betejën me ujërat.

“Ku e kaluam natën? Në ujë, në det e kaluam,” shprehet ajo, duke shtuar se uji që ka vërshuar në shtëpinë e saj nuk është thjesht ujë shiu. “Është uji i banjove. Është shumë keq.”

Sipas saj, asnjë përfaqësues nga bashkia apo emergjencat civile nuk ka shkuar për t'i ofruar ndihmë. Banorja fajëson infrastrukturën e papërshtatshme, duke thënë se tubacionet e instaluara janë shumë të vogla për të përballuar situatën. “Kur i kanë vënë tubat, i kanë vënë të vegjël për dy familje, jo për krejt këtë kënetë. E dinë ata, por s’kanë çfarë bëjnë,” thotë ajo.

Dëmet materiale janë të shumta. Banorja rrëfen se uji i ka shkatërruar pajisjet elektroshtëpiake dhe shumë sende të tjera. “Kam pasur qonin [frigoriferin], po shumë gjëra më kanë shkuar dëm. Nuk janë më për t’i mbajtur brenda,” thotë ajo, duke shtuar se niveli i ujit brenda shtëpisë së saj i ka kaluar 50 centimetrat.

Shumë familje kanë refuzuar të largohen nga banesat e tyre, ndërsa të tjera raportojnë se edhe pse kanë telefonuar policinë dhe zjarrfikësit, ndihma nuk ka mbërritur. Ndërkohë që reshjet vazhdojnë, situata në Durrës mbetet kritike dhe një bilanc i plotë i dëmeve ende nuk mund të bëhet, por për banorët e prekur, beteja për të shpëtuar pasurinë dhe për të kaluar natën është sfida më e madhe.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco