Një banesë e përmbytur, orendi të shkatërruara dhe një thirrje dëshpëruese për ndihmë nga Durrësi, që bie në vesh të shurdhër.
Kjo është situata dramatike e Fatmira Mehmetit, një gruaje të verbër në Durrës, e cila u gjend e bllokuar në shtëpinë e saj teksa uji i rrëmbyeshëm mbulonte gjithçka.
“Jam një e verbër e grupit të parë. Uji erdhi njëherësh. Më mbyllti brenda, më mbuloi dhe erdhën më nxorrën jashtë,” rrëfen ajo mes lotësh për gazetarin e SYRI-t, Klajdi Bodlli.
Shpëtimi i saj erdhi falë ndërhyrjes së shpejtë të familjarëve dhe komshinjve, të cilët arritën ta nxirrnin nga banesa që po “mbytej” nga uji.
Por për zonjën Fatmire ka nisur një tjetër kalvar. E gjendur mes baltës dhe orendive të dala jashtë përdorimit, ajo denoncon braktisjen totale nga institucionet shtetërore.
Pavarësisht thirrjeve telefonike, askush nuk është paraqitur për të konstatuar dëmet apo për t’i ofruar një ndihmë.
“Komunikova, mora telefon, më thanë po vij. Prita dhe nuk erdhën,” shprehet ajo, duke shtuar se deri në momentin e mbërritjes së medias, nuk kishte parë asnjë përfaqësues të bashkisë apo emergjencave civile.
“Deri tani që erdhët ju, faleminderit prej jush, nuk kemi parë ndihmë as nga kërkush. Të vini dorë në zemër për një të verbër,” është apeli i saj.
Me një pension prej vetëm 300 mijë lekësh (të vjetra) dhe pa asnjë mundësi tjetër strehimi, e moshuara është e vendosur të mos largohet nga shtëpia e saj e shkatërruar.
“Nuk dal nga shtëpia. Unë këtu do rri. Do jetoj këtu. Të vëri dorë shteti, bashkia, se unë nuk luaj nga vendi,” thotë ajo me vendosmëri, teksa tregon se nuk ka familje apo fëmijë ku të mbështetet.
Pamjet nga banesa janë dëshmi e qartë e katastrofës. Niveli i ujit ka arritur në 50-60 centimetra, duke shkatërruar gjithçka. Kjo nuk është hera e parë që banesa e saj përmbytet, por siç pohon edhe vetë, asnjëherë më parë nuk ka marrë ndihmë.
Situata e saj është pasqyrë e një problemi më të gjerë në zonën pranë Gjykatës së Apelit në Durrës, e cila konsiderohet si një pikë problematike sa i përket përmbytjeve.
Bllokimi i kanalizimeve ka bërë që shumë familje të tjera të përballen me të njëjtin fat, por për Fatmira Mehmetin, beteja është dyfish më e vështirë, e vetme dhe e braktisur në errësirën e saj.
© SYRI.net