Në një analizë të thelluar mbi gjendjen e demokracisë në Shqipëri, profesori dhe eksperti amerikan, Edward Joseph, theksoi gjatë intervistës për gazetaren Armela Ferko në SYRI TV, nevojën urgjente për një garë të ndershme politike, duke iu referuar gjetjeve kritike të raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth integritetit zgjedhor, eksperti citoi drejtpërdrejt nga raporti i OSBE-së, i cili konstaton se zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan në një "klimë të polarizuar" dhe se palët politike nuk garuan në një "terren loje të drejtë". Raporti, siç theksoi Joseph, evidenton probleme serioze si frikësimi, keqpërdorimi i burimeve publike dhe presioni mbi administratën shtetërore. Këto gjetje, sipas tij, minojnë mundësitë e barabarta dhe tregojnë për parregullsi që cenojnë pluralizmin.
“Në fakt, unë mund t'jua lexoj raportin e OSBE-së prej zyrës së tyre të miratuar nga zyra në Varshavë dhe atje shprehen, zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të polarizuar dhe palët nuk ishin në një terren loje të drejtë.
Domethënë, jo të gjitha partitë kishin të njëjtat mundësi dhe gjithashtu thuhet se ka pasur edhe raportime të frikësimit, të keqpërdorimit të burimeve publike si edhe presion ushtruar mbi punonjësit e administratës dhe thotë se kjo minon mundësitë e barabarta.
Është një raport profesional dhe është brenda misionit të OSBE-së, të cilin e drejtonte Lamberto Zannier, të cilin e njoh personalisht, i cili ka qenë ish-sekretar i përgjithshëm i OSBE-së. Unë kam punuar personalisht me të kur kam qenë zëvendëskryetar i misionit në Kosovë.
Këtë po thotë OSBE dhe këto janë shqetësimet të cilat tashmë janë të ndara dhe i njohin që të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe ato duhet të trajtohen në Shqipëri,” tha Joseph.
© SYRI.net