Sistemi online i aplikimeve për shërbime me pronat në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) ka shfaqur probleme që nga dita e Enjte e javes se kaluar, duke shkaktuar vështirësi për qytetarët dhe noterët që kryejnë një pjesë të shërbimeve pranë zyrave të ASHK-së.
Sipas denoncimeve, aplikimet që plotësohen online shpesh nuk pranohen nga sistemi, ndërsa ato që pranohen duhen përsëritur deri në katër herë për t’u regjistruar si duhet. Një noter në Tiranë shprehet:
“Sistemi për gati një javë ka qenë thuajse në kolaps, për shkak se shumë aplikime që plotësohen nuk merren nga sistemi online i ASHK-së. Edhe ato që pranohen duhet të përsëriten dy ose deri në katër herë për t’u pranuar.”
Probleme janë raportuar edhe në Hipotekën e Durrësit, ku shërbimet e aplikimit janë ngadalësuar ose nuk janë pranuar fare.
Sistemi online i Hipotekës herë pas here ka pasur ndërprerje, por pas ndërhyrjeve kibernetike, funksionaliteti i shërbimeve ka përmirësuar pjesërisht performancën.
Mosfunksionimi i sistemit ka sjellë ulje të rendimentit të punës në zyrat e Hipotekës dhe ka pamundësuar qytetarët të marrin shërbimet e nevojshme në kohë.
© SYRI.net