Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në Tiranë, ku kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Bylykbashi: Rama ka privatizuar shtetin dhe ka shtetëzuar privatin

14:10, 04/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, gjatë fjalës së tij në Kuvend ditën e sotme, e cilësoi situatën aktuale si një model të konsoliduar korrupsioni, keqqeverisjeje dhe kapjeje totale të shtetit.

Bylykbashi akuzoi qeverinë për korrupsion të përhapur, përqendrim të pushtetit dhe përdorim të PPP-ve si mekanizëm për “privatizimin e shtetit”. Ai solli tre argumente kryesore që, sipas tij, përshkruajnë qeverisjen e 12 viteve të fundit, duke nisur nga korrupsioni masiv, te largimi i të rinjve nga vendi dhe deri te vendimmarrjet që, sipas tij, kanë transferuar funksione kyçe publike tek privatët.

Në fjalimin e tij, Bylykbashi theksoi se ky model qeverisës ka krijuar një sistem që nuk garanton më llogaridhënie për qytetarët dhe e ka kthyer administrimin publik në një rrjet kontratash private.

Fjala e plotë:

Të nderuar kolegë, të nderuar nderuar qytetarë,  çështja që kemi për diskutim është krejt formale, aderimi në një traktat i cili i shërben njerëzve me një aftësi specifike. Po unë jam i sigurt, që nëqoftëse buxheti i shtetit do të shpenzonte shumë herë më tepër për këta njerëz, për të gjithë shtresat në nevojë, aq para sa i marrin nga xhepat me taksa, jam i sigurt që gjendjen e tyre do e kishin shumë më të mire. Jo më larg se dje pata një bisedë me një koleg, qytetar, intelektual, me eksperience, i zgjuar,  i cili më përmblodhi tre pika të cilat unë besoj ia vlen që t'i ngrej këtu me ju.

Tre çështje që e kanë përshkruar qeverisjen tuaj gjatë këtyre 12 viteve.

 E para, me shprehjen e famshme, dhe ndoshta gjënë që realizoi më shumë Edi Rama Kryeministër, kur ditën e parë tha:  Nuk keni parë gjë  akoma. E ka plotësuar pikë për pike, nuk ka lënë gjë. Ne u çuditëm në fillimin e këtij sesioni me faktin që tashmë ka dhe një ministër virtual Diella,  por kur pamë komunikimet online të zëvendëskryeministres kuptuam edhe si funksionon kjo gjë. Se si funksionon mënyra, si paraja e shqiptarëve mund të zhduket, përvetësohet në mënyrë kriminale, jo thjesht korruptive, siç ndodh me këtë buxhet.  Nuk ka njeri që nuk bie dakort që minimumi, minimumi i korrupsionit, minimumi konservator, është 25 deri në 30%.  Bëni llogarinë e buxhetit të shtetit, merrni vetëm investimet, aplikojeni këtë 30% dhe kuptoni se po flasim për qindra miliona euro korrupsion në vit, me një buxhet. Shumëzojeni me numrin e buxheteve e kuptoni sa para u janë marrë shqiptarëve, po flas vetëm për investimet, asgjë tjetër.

“Nuk keni parë gjë akoma, dhe ne kush e di çdo shohim, vetëm sa është hapur kutia e Pandorës, me emrin Balluku. Mund të ndryshojë edhe shprehja, sepse do të çuditemi përdite më shumë. Dhe kjo në fakt, nga ana tjetër ka një emër, që është Edi Rama, se e ka paralajmëruar ai. Do them më pak më vonë diçka tjetër.

E dyta që më tha është ç'prindërimi. E pyeta, ore çfarë do të thuash me këtë? Prindërit që po largojnë fëmijët e tyre. I largojnë për të studiuar, se këtu nuk kanë shpresë që marrin ndonjë arsim; i largojnë për të punuar se këtu nuk kanë punë, por edhe kur janë në gjendje i largojnë se ky nuk është vend. Pra, nuk janë më prindër se i kanë larg fëmijët e tyre. Tani kjo nuk është histori opozite, edhe votuesit tuaj e kanë këtë histori, që i kanë fëmijët jashtë, larg,  i shohin rrallë, vdesin pa i patur aty pranë, se ky vend që ka vend për shumë herë më tepër se sa jemi ne këtu sot prezent; jo nuk ka vend se s'ka mundësi!

 Dhe e treta,  këtu do shkoj pak më gjatë,  e treta ishte; privatizimi i shtetit dhe shtetëzimi i privatit. Brilante! Tani unë do ju them pse. Urdhër 257, mos gaboj, se ashtu lexohet, i nëntorit 2014 Për marrjen e Masave për Kryerjen e Procedurave për Dhënien me Koncesion, Partneritet Publik Privat të Punëve dhe Shërbimeve Publike të Identifikuara si të Mundshme. Ky është urdhër i Kryeministrit, urdhër dhe më pas thotë: ministritë kanë detyrimin ta zbatojnë këtë urdhër, numri i ministrive të përfshira është nëntë, nëntë ministri. Do lexoj listën unë tani, por është praktikisht si të thuash gjithë shteti, brenda i përfshirë. Koncesion ose PPP për gjysmën apo më shumë, të qeverisjes publike që sipas Kushtetutës,  Nenit 2 thotë: Populli ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejtë. Përfaqësuesit zgjedhin Këshillin e Ministrave, i cili sipas nenit 100 përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, më pas i ekzekuton ato. Dhe 102 pika 4 thotë: Ministri brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetence.

Kryeministri jep urdhër çfarë ke në kompetencë privatizoje! Shtetin privatizoje! Tani dëgjoni pak listën që ka identifikuar ky urdhër, që i jep urdhër ministrave për t'u privatizuar. Çfarë?

Kontrolli bazë mjekësor, shërbimi i dializës, shërbimi i furnizimit të instrumenteve kirurgjikale të sterilizuara. Ju tingëllojnë koncesione këto dhe qindra miliona nga mbrapa?

Track and Trace për barnat, Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore, furnizimi me oksigjen i shërbimit spitalor publik, shërbimi laboratorik spitalor, administrimi i një spitali rajonal, administrimi i mbetjeve spitalore, ndërtim i hidrocentraleve dhe prodhim energjie Hec Skavicë, menaxhim privat i OSHEE-së, dixhitalizimi i databazës të dhënave ekzistuese sizmike për eksplorim dhe realizimin i sizmikave të reja etj. Reforma e shërbimit veterinar, reforma e sigurisë ushqimore edhe kjo me koncesion, reformat shtetërore.

Prodhimi bujqësor, peshkimi,  grumbullimi dhe administrimi i diferencuar i mbetjeve të institucioneve qëndrore dhe varësisë së tyre, grumbullimi dhe administrimi i diferencuar i mbetjeve elektronike, grumbullimi dhe administrimi i diferencuar i mbetjeve elektrike, grumbullimi dhe administrimi i diferencuar i mbetjeve nga ambalazhet;  ju tingulllojnë këto historirat e mbetjeve ju, sepse sa ka kaluar dhe ligji. Grumbullimi dhe administrimi i diferencuar i vajrave të përdorura, grumbullimi i administrimit të diferencuar i mbetjeve organike, grumbullimi i administrimit i diferencuar i mbetjeve të makinave në fund të jetës, grumbullimi i administrimit i diferencuar i gomave të përdorura, koncesione më vete, secila. Grumbullimi, administrimi i diferencuar i baterive, planifikimi, ndërtimi i vend depozitimeve të mbetjeve të ngurta; gjithë histori inceneratorësh, mbetjesh e të tjerë,  qindra miliona kanë paguar deri tani shqiptarët!

Planifikimi, ndërtimi i inceneratorit për prodhimin e energjisë nga mbetja organike. Ja ku e keni, në 2014! Pastrimi, drenazhimi i lumenjve dhe deltave nga mbetjet inerte dhe administrimi i këtyre mbetjeve. Përdorimi i administrimit dhe rehabilitimi i burimeve ujore me koncesion ose PPP. Përdorimi i administrimit dhe rehabilitimi i tokës, pyjeve, parqeve si dhe të gjitha produkteve të tyre.

Ripyllëzimi i zonave të mbrojtura, shërbimet sociale për investime në shtëpitë e të moshuarve, shtëpitë e fëmijës, qendra e zhvillimit për personat, e të tjerë, pra këto çështje. Shërbimi i punësimit, marrëveshje me kompani të ndryshme private për të investuar në hapjen e zyrave të reja moderne për punësimin e 36 rrethe të Shqipërisë. Partneritet me kompanitë private për hapjen e shkollave të reja profesionale dhe për modernizimin dhe hapjen e profileve të reja të studimit të qendrave të formimit profesional. Në turizëm, për investimet në fushën e sipërmarrjes turistike si hotel, komplekse turistike, struktura akomoduese, koncesion. Për shembull, historia e portit të Durrësit, ju thotë gjë?  Marrëveshje trepalëshe në lidhje me kreditimin e lehtësuar për strehim, si pjesë e programeve sociale të strehimit dhe kjo me koncesion.

Qeverisja normale publike, koncesion tek privati!

Ndërtimi i banesave nga privati në truall shtetëror, në funksion të zgjidhjes  afatgjatë të problemit të strehimit, në përputhje me planin e përgjithshëm urbanistik. Në portin e Durrësit, keni hequr dhe detyrimin për të strehuar, po u prishin shtëpitë me projektin e atij, dhe po i nxjerrin në rrugë.  Ama, tek ajo që është detyrim shtetëror, jo, ajo është me koncesion. Ndërtim dhe menaxhimi i landfilleve, ku pala private siguron token, ndërtimin dhe menaxhimin, pala publike siguron kontratën e bashkëpunimit. Pra dhe landfillet me koncesion. Koncesion për mirëmbajtjen, operimin dhe përmirësimin e autostradës Milot-Morinë, ndërtimi I rrugës së Arbrit, mirëmbajtje e rrugës Tiranë-Elbasan me tunel, ndërtimi I rrugës Berat-Tepelenë, Tiranë-Durrës me koncesion. Kardhiq-Delvinë, Thumanë-Vorë, projekti i shorteut të kuponave fiskal dhe projekti i kadastrës fiskale. Mbledhja e borxheve të vjetra në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve,” nuk është diskutuar dhe nuk është avancuar me diskutimin e kësaj pike por mbetet një fushë e mundshme” thotë urdhëri i Kryeministrit dhe rendit gjysmën e qeverisë.

Pra, ne kemi privatizimin e shtetit! Por kemi dhe shtetëzimin e publikut, sepse kjo mënyrë qeverisje dhe centralizimi i pushtetit nuk ka bërë gjë tjetër, se të gjithë duhet të shkojnë atje!

 Hapni dhe lexoni, deri  edhe raportet e ODIHR-it, e kanë kuptuar që po përdoret shteti dhe privati për të ushtruar presion! Pse? Se nuk kanë ku shkojnë tjetër. Piramida e përqëndrimit të pushtetit prodhon vetëm këtë situate. Dhe ju sot, për ta mbyllur, dhe ju sot e keni kthyer qeverisjen e shqiptarëve; nga detyrimi kushtetues ku jepet llogari me vote. E keni kthyer qeverisjen nga një detyrim publik, përgjegjshmëri me vote, llogaridhënie me vote, ku bazohet në Kushtetutë dhe në të Drejtën Publike, e keni kthyer në qeverisje me Kod Civil me kontrata. Po kujt do t'i japin llogari deputetët dhe qeveria? Për fajet e kujt; të qeverisë apo të privatit? Po si kuptohet demokracia në këtë histori? Si mund të garantohet që vota e ndan përgjegjësinë? Jo, nuk është e ministrit është e atij privati tjetër!  E kuptoni apo nuk e kuptoni? Është një llogjikë e tëra kriminale, jo korruptive! Po për t'i grabitur buxhetin e shtetit shqiptarëve ta bësh privat dhe më pas privatin ta kthesh shërbëtor shtetit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco