Shqipëria ka humbur një sërë mundësish strategjike për zhvillimin ekonomik, duke nisur nga industria e pjesëve të automjeteve dhe deri te potenciali i pashfrytëzuar i teknologjisë së informacionit, ku dyshimet për abuzime financiare arrijnë shifra marramendëse. Një analizë e detajuar e politikave ekonomike të ndjekura tregon për një model dështimesh strategjike që kanë lënë pasoja të thella në ekonomi dhe punësim.
Ekspertja e ekonomisë, Brisida Shehaj për ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV tregon se një nga shanset më të mëdha të humbura lidhet me industrinë automotive. Kur kompani gjigante si Fiat dhe Toyota, në procesin e largimit nga Serbia, kishin shfaqur interes për t'u zhvendosur në Shqipëri.
Kjo mundësi do të krijonte mijëra vende të reja pune dhe do të poziciononte Shqipërinë në hartën e zinxhirit global të prodhimit. Megjithatë, ky potencial mbeti i parealizuar.
“Të gjithë donin të largoheshin nga Serbia dhe nuk ishte vetëm Fiati, por ishin shumë. Ishte dhe Toyota që donte të vinte në Shqipëri dhe do vinin në Shqipëri jo për të prodhuar makinën.
Ne kishim shansin që të kishim industrinë automotive. Të prodhoheshin pjesë të këtyre makinave dhe ishin industri të automatizuara. Unë jam shumë dakord kur thuhet në Shqipëri nuk mund të kemi industri të rëndë. Nuk i kemi ato kapacitete, as nuk na duhet në fakt. Por, industri të caktuar siç ishte industria automotive sepse vinte shumë logjikshëm nga një suportim i biznesit fason.
Pastaj na erdhi fat i madh për shkak të asaj lufte që u bë atje dhe problemeve që ata donin të largoheshin, se shumica e këtyre kanë qenë të gjithë në Serbi, ne kishim mundësi t'i përthithnim këto dhe kishte për të hapur, diskutohej 10,000 deri në 15,000 vende pune” tha Shehaj.
Në mënyrë të ngjashme, vizioni i vitit 2013 për të transformuar industrinë tradicionale fason (veshje dhe këpucë) në një sektor më të avancuar dhe të automatizuar, dështoi. Edhe pse u krijuan paketa fiskale për të mbështetur këtë tranzicion, strategjia jo vetëm që nuk e çoi përpara sektorin, por kontribuoi në shkatërrimin e tij. Për shkak të rritjes së kostove të punës dhe mungesës së mbështetjes, shumë biznese fason u mbyllën, duke lënë pas dhjetëra mijëra të papunë.
“Nga ajo fasoneria që ishte e gjitha e bazuar te burimet njerëzore dhe që 2013-ën ishte vizion për t'u suportuar, dhe prandaj u bënë edhe paketat fiskale për t'u lehtësuar kjo industria fason, u mendua që të kalohej në industri disi më të automatizuar, pra që ne të bënim automatizim procesi dhe të nxirrnim dhe një produkt final dhe në disa momente u mendua të kishim dhe produktin Made in Albania.
“Nuk e bëri as këtë. Dhe çfarë ndodhi? Nga një strategji që u nis me biznesin fason dhe të gjithë paketat fiskale që u bënë për t'u facilituar këtë lloj industrie, ne e shkatërruam edhe këtë që nisëm.
Do të jenë shumë pak ato që kanë mbetur, se me koston e punës që është rritur nuk janë më, s'do të jenë më rentabël. Pra ti, edhe atë industri që punësonte jo pak në Shqipëri, jo pak, po me mijëra, me dhjetëra mijëra individë që punësoheshin në Shqipëri, u mbyllën dhe ti e shkatërrove dhe një industri të cilën mund ta zhvilloje dhe ta vazhdoje" nënvizoi Shehaj
Në qendër të kritikave qëndron Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe menaxhimi i fondit prej 500 milionë eurosh për dixhitalizimin e vendit"
Pavarësisht lehtësive fiskale të ofruara për bizneset e IT-së, si tatimfitimi 5% dhe tatimi mbi dividentin 8%, mungoi një strategji për të detyruar riinvestimin e fitimeve në sektorë prioritarë. Sugjerohet se një kusht, ku bizneset duhet të riinvestonin 40-50% të fitimit për të përfituar nga taksat e ulëta, do të kishte orientuar kapitalin drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
“Ti ke shtetin me një institucion që quhet AKSHI. Nëse ne kemi menduar se tuneli i Llogarasë, aferat e Belës, aferat e X-it, Y-it, sterilizimet, koncesionet janë vjedhje, nëse do ketë kurajo kush të futet në atë AKSHI, nuk mendoj se ka patur masakër më të madhe.
Që ti të hedhësh 500 milionë euro si shtet për të blerë shërbime IT-je për të bërë këtë digjitalizimin e Shqipërisë, të hedhësh kaq shumë para sa sot duhet të kishe kompani shumë të mira që punësonin dhe t'i detyroje ato kompani të ofronin dhe bursa për të rinjtë, të ofronin dhe vende pune për ata që do shkonin te ajo shkolla për të krijuar këtë brezin e ri.
Po flasim 500 milionë euro, pra gjysëm miliardi euro me analizat deri para një viti e gjysëm, imagjino se sa janë dhënë dhe këto kohë. Gjysmë miliardi euro të hedhur nga buxheti, të hedhura nga buxheti i shtetit, për të digjitalizuar idiotësinë e diellës dhe e-Albania-n që mezi e përdorim
Edhe në sektorin e turizmit, modeli i ndjekur vihet në dyshim. Pavarësisht pasurive të jashtëzakonshme natyrore, si dielli, deti dhe toka, fokusi ka qenë te ndërtimi pa kriter (“betoni”) në vend të zhvillimit të një kulture shërbimi cilësor.
"Ti, edhe turizmin do ta bësh patjetër, po turizmi nuk është beton. Ju thatë ne ofrojmë shërbim, më gjeni kush ofron shërbim turizmin në këtë vend? Ju lutem më thoni, ku është një hotel normal, që ti të marrësh shërbim.”
© SYRI.net