VIDEO/ Kepi: Porti i Durrësit prej 4 vitesh nuk kap asnjë gram kokainë apo heroine, partnerët të shqetësuar

20:22, 26/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetarja Alba Kepi, e ftuar në Edicionin ‘Ora 19’, ka folur në lidhje me raportin e autoriteteve italiane për trafikun e drogave.

Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Kepi u shpreh se tek partnerët ndërkombëtarë ekziston shqetësim i madh për portin e Durrësit, ku prej më shumë se katër vitesh nuk është kapur asnjë kilogramë kokainë apo heroinë.

‘Jemi përballë një situate që e ka një kuptim. Dhe nuk i solla kot të dyja bashkë për të dalë në përfundimin që në portin e Durrësit prej 4 vitesh nuk kapet asnjë sasi lënde narkotike që është edhe ajo më fitimprurësja, kokaina ose heroina. Nuk kapet dhe si ka mundësi që agjencitë partnere e përcaktojnë portin e Durrësit si një pikë nyje hyrëse e lëndëve narkotike, por edhe dalëse dhe nuk konstatohet.’

Sipas Kepit, disa prej operacioneve të zhvilluara nga SPAK, të monitoruara dhe drejtuara nga partnerët ndërkombëtarë, kanë treguar mosndërhyrje në kohë për goditjen e rasteve të trafikimit. Ajo përmendi rastet e zbulimit të laboratorëve të drogave dhe itineraret e monitoruara nga DEA amerikane, Europol dhe Eurojust.

‘Porti i Durrësit është një anë e fortë dhe e them me bindje këtë, sepse përderisa ti në raporte ndërkombëtare të agjencive prestigjioze dhe institucioneve shumë serioze ndërkombëtare rezulton që je një port pritëse apo përcjellëse e lëndëve të forta narkotike, detyrimisht që duhet të ketë edhe një statistikë dhe bilanc të autoriteteve ligjzbatuese vendase, që nuk ekziston, që do të thotë se shteti është palë.’

Ajo shtoi se problemi qëndron te mosveprimi i qëllimshëm ndaj elementëve të krimit të organizuar, të cilët lejohen të pastrojnë para në Shqipëri.

‘Dhe si zbërthehet kjo dhe si kuptohet kjo që është kthyer në standard? Tek mostraizmi i elementëve të krimit të organizuar dhe të elementëve të grupeve të strukturuara kriminale, madje deri në organizata kriminale, të lejimit të aktiviteteve të tyre për të pastruar para në vendin tonë.’

Kepi theksoi se paratë e pista nuk shkojnë në investime të dobishme për vendin, por në ndërtime që dëmtojnë asetet historike dhe kulturore.

‘Dhe këto para nuk pastrohen në investime për të ringritur fshatra apo për të ringjallur kujtimet historike të vendit që i ka me shumicë, por ndodh për t’i dëmtuar këto asete historike. Për të ndërtuar pallate, për të ndërtuar rezorte, për të ndërtuar projekte që i shërbejnë pompozitetit të momentit, por që janë edhe për mendimin tim një fatkeqësi kombëtare, sepse një investim pa vizion, sepse nuk mund të presim që elementët e krimit të organizuar të kenë një vizion. Ata duan të pastrojnë para. Problemi i tyre vetëm është kaq.’

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco