Plazhi i famshëm Banje në Dubrovnik është përmbytur nga tonë mbeturinash të sjella nga deti, kryesisht nga Shqipëria, një problem i përsëritur prej vitesh që, sipas medias luksemburgase Lessentiel.lu, po shton presionin ndaj Tiranës nga ana e Kroacisë që mund të vendosë kushte për integrimin në Bashkimit Europian.
Të martën në mëngjes, banorët e lagjes Brezheviç u përballën me një pamje tronditëse: plazhi Banje, një nga më të njohurit në Adriatik dhe ikonë e qytetit ku janë xhiruar skena të ‘Game of Thrones’, ishte mbuluar plotësisht me mbeturina.
Situata ishte e njëjtë edhe në portin e vjetër.
Sipas një banori të intervistuar nga mediat lokale, kjo ndotje masive përsëritet çdo vit. Shkaku kryesor lidhet me rrymat detare dhe kushtet e motit, sidomos gjatë dimrit, të cilat shtyjnë drejt Kroacisë sasi të mëdha mbeturinash që, sipas autoriteteve kroate, vijnë nga Shqipëria.
Problemi është i njohur edhe në nivel të BE-së: Shqipëria riciklon shumë pak, ka vendgrumbullime masive mbeturinash në qiell të hapur, dhe një pjesë e tyre përfundon në lumenj, duke përfunduar më pas në Adriatik.
Kjo situatë ka shkaktuar irritim në vendet fqinje dhe po përdoret si argument nga Kroacia për të kërkuar më shumë angazhim nga Tirana dhe presion të shtuar nga Brukseli lidhur me standardet mjedisore në kuadër të procesit të integrimit.
© SYRI.net