Deputetja e PD, Jozefina Topalli ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Rinas, ku si pasojë e një atentati mafioz u ekzekutua një person, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Përmes një statusi të gjatë në rrjetin social Facebook, Topalli shkruan se atentate të tilla, shënojnë kufirin mes Republikës dhe narkoshtetit.
Topalli risjell në vëmendje edhe deklaratën e Ministres së Brendshme, se: “Shqipëria është më e sigurt se kurrë”, duke shtuar se: “Ky kontrast i frikshëm — mes propagandës dhe realitetit — është fotografia më e saktë e shtetit që po shembet, por pa u rrëzuar ende”.
‘Sot, Shqipëria nuk është më republikë ligjore. Është një territor i krimit të organizuar, i veshur me retorikë qeveritare dhe me uniforma që nuk mbrojnë, por mbulojnë’, përmbyllreagimin e saj ligjvënësja demokrate.
Statusi i plotë:
Sot në Rinas ndodhi një atentat mafioz. Një ekzekutim në zonën më të mbrojtur të vendit — aty ku çdo metër është nën kamera, çdo lëvizje presupozohet se duhej te ishte nën kontroll.
Megjithatë, krimi hyri, vrau, doli, dogji makinën dhe u zhduk si të ishte zot i territorit.
Dy orë më herët, në parlament, Ministria e Brendshme shpallte me ton fitimtar se “Shqipëria është më e sigurt se kurrë”.
Ky kontrast i frikshëm — mes propagandës dhe realitetit — është fotografia më e saktë e shtetit që po shembet, por pa u rrëzuar ende.
Shqipëria ndodhet në fazën ku krimi është integruar në sistem, ku pushteti dhe mafia nuk janë më dy botë të ndara, por një organizëm i vetëm që jeton me gjakun e qytetarëve të vet.
Sot, trafikantët që dikur fshiheshin, kthehen si “biznesmenë të suksesshëm”.
Qeveritaret që duhet t’i luftonin, i ftojnë në koncesione, në tendera, në lista e financime.
Kur krimi legalizohet, kur korrupsioni institucionalizohet, atëherë edhe vrasja bëhet pjesë e normalitetit.
Atentatet në Shqipëri nuk ndodhin për hakmarrje personale, por për ndarje tregjesh — të parave, të pushtetit, të mbrojtjes.
Kjo është skema e një republike të kapur.
Rinasi është simbol. Është porta e vendit. Dhe kur porta e vendit shndërrohet në skenë atentatesh, kjo tregon se krimi nuk ka më frikë as nga ligji, as nga shteti, as nga drejtësia.
Ky atentat nuk është rastësi. Është pasojë.
Pasojë e një dekade ku pastrimi i parave u quajt “zhvillim ekonomik”,
ku ndërtimet pa burim financiar u quajtën “rritje e GDP-së”,
ku heshtja ndaj krimit u quajt “stabilitet politik”.
Në vendet e kapura, vrasjet nuk ndodhin nga dobësia e shtetit — por nga forca e krimit që e sundon atë.
Dhe kur pushteti mburret me “ulje të vrasjeve”, ndërsa atentatet ndodhin në zemër të aeroportit, nuk kemi më të bëjmë me një dështim të sigurisë — por me kolapsin e shtetit si ide.
Sot, Shqipëria nuk është më republikë ligjore.
Është një territor i krimit të organizuar, i veshur me retorikë qeveritare dhe me uniforma që nuk mbrojnë, por mbulojnë.
Dhe çdo atentat i tillë është kujtesë se krimi nuk është më jashtë shtetit — ai është vetë shteti. Eshte narco shtet
© SYRI.net