Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili një ditë më parë lexoi kërkesat e protestuesve në protestën e 23-të radhazi para Kryeministrisë në Tiranë. Gjatë reagimit të tij, Rama publikoi një dokument për të cilin pretendoi se vinte në pikëpyetje përfshirjen e Goxhajt në luftën e Kosovës.
Pas deklaratave të kryeministrit, në rrjetet sociale dhe media është publikuar një dokument tjetër që, sipas mbështetësve të Goxhajt, vërteton se ai ka shërbyer në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga 1 marsi 1999 deri në përfundim të luftës. Në dokument thuhet se Goxhaj ka mbajtur detyrën e komandantit të një batalioni gjatë periudhës së konfliktit.
Debati mes palëve ka ngjallur reagime të shumta, ndërsa çështja është kthyer në një përplasje publike pas pjesëmarrjes së Goxhajt në protestën para Kryeministrisë. Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me dokumentet e publikuara.

© SYRI.net